1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfundon vizita e Ministres së Jashtme të Italisë Mogherini në Tiranë

Ani Ruci26 Korrik 2014

Italia gjatë Presidencës së BE do të punojë për një dialog të ri Beograd- Tiranë. Ajo bën apel për zgjerim të marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

https://p.dw.com/p/1CjLB
Fotografi: DW/A. Ruci

Federica Mogherini, Ministrja e Jashtme e Italisë, vendit që mban presidencën e rradhës së BE, përfundoi (25.07) vizitën e saj të parë zyrtare në Tiranë, në kuadër të një turi në Ballkanin Perëndimor. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ditmir Bushatin, Ministrin e Jashtëm shqiptar, ajo e konsideroi Shqipërinë “shtyllë të fortë të sigurisë dhe stabilitetit rajonal” dhe bëri thirrje për zgjerim të mëtejshëm të marrdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nga njëra anë dhe mes tyre dhe BE, nga ana tjetër. Ajo bëri publike nismën e Italisë si kryesuese e radhës e Presidencës së BE, për një dialog të ri Shqipëri - Serbi.

“Dëshiroj të permend rolin kyç të Shqipërisë në sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Do të bisedoj me ministrin e Jashtëm serb të cilin do ta takoj të hënën (28 korrik 2014) në Beograd për të realizuar një takim tripalësh Shqipëri-Itali-Serbi për të çelur një dialog të ri mes tre vendeve, për t'i dhënë rëndësi më të madhe rolit të sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, tha mnistrja Mogherini mbrëmë në Tiranë.

Ajo deklaroi se gjithashtu se “Italia është partnere strategjike e Shqipërisë dhe gjatë presidencës italiane të BE do të punohet për një frymë të re në marrëdhëniet Itali- Shqipëri”.

Program i ri bashkëpunimit trevjeçar për zhvillim

Në kuadër të kësaj përpjekjeje ministrja Mogherimi bëri të ditur nënshkrimin në Tiranë, me homologun e saj shqiptar Ditmir Bushati të programit të ri trevjecar të bashkëpunimit për zhvillim mes Italisë dhe Shqipërisë, 2014-2016.

“Ky program bashkëpunimi pasuron me një gamë shumë të gjerë fushat e bashkëpunimit të deritanishëm duke kaluar nga prania sasiore e Italisë në Shqipëri në atë cilësore. Ky program nuk është ndihmë për Shqipërinë por partneritet mes dy vendeve”, tha ministrja Mogherini.

Programimi i bashkëpunimit trevjeçar shihet si një vazhdim i mbështetjes së konsoliduar të Italisë ndaj zhvillimit ekonomiko-shoqëror të Shqipërisë, që nga vitet '90 , të konkretizuar në shumë projekte me një vlerë të përgjithshme prej rreth 750 milionë euro. Programi i ri ka një vlerë prej 71 milionë eurosh. Ai synon rritjen e qëndrueshme të Shqipërisë përmes projektesh që nxisin konkurrueshmerine dhe inovacionin në makro sektorët e Zhvillimit Ekonomik, Bujqësisë e Zhvillimit Rural. Një vëmendje të veçantë në programin e ri të bashkëpunmit 2014- 2016 i kushtohet projekteve në mbështetje të qeverisjes së mirë, demokratizimit dhe shtetit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit. Burime zyrtare nga Zyra e Bashkëpunimit Itali – Shqipëri me seli në Tiranë , pohojnë për DW se aktualisht projektet aktive italiane të bashkëpunimit për zhvillim në Shqipëri arrijnë në 300 milionë euro, të cilat e bëjnë Italinë, pas Gjermanisë, një nga donatoret kryesore ndërkombetare aktive në Shqipëri. Marrëdhëniet mes dy vendeve u konsideruam mbrëmë nga Ministri i Jashtëm shqiptar Bushati, si model që mund të ndiqet edhe me Greqinë:
“Interesi i Shqipërisë mbetet i palëkundur, për të konsoliduar marrëdhënien strategjike që ekziston mes Shqipërisë dhe Greqisë për të adresuar të gjitha çështjet edhe në kuadër të fqinjësisë së mirë, edhe të rrugës së përbashkët evropiane. Marrëdhëniet Shqipëri-Itali mund të jetë një model që mund të ndiqet edhe me Greqinë pavarësisht diferencave”, tha ministri Bushati.

Prioritet kryesor i Shqipërisë - kryerja e reformave

Ministrja e Jashtme e Italisë, Mogherini, e vlerësoi Shqipërinë si ”një model të shkëlqyer të vendosmërisë për të ndërmarrë reforma në të mirë të vendit”. Ajo tha se statusi kandidat ishte njohje e rezultateve të punës së mirë që është bërë nga qeveria e Tiranës në kryerjen e reformave.
“Flas gjithnjë për njohje të statusit dhe jo dhënie të statusit, sepse puna më e madhe është bërë këtu. Vendimi i Këshillit të BE për njohjen e statusit Mbledhja e fundit e Këshillit përcakton edhe një sërë reformash të tjera që duhen marrë. Reformat përbërjnë yllin polar për Shqipërinë”, theksoi ajo.

Ministrja e Jashtme e Italisë ështe ministrja e parë e një vendi të Bashkimit Europian që vizitoi Shqipërinë pas marrjes së statusit të vendit kandidat në kuadër të një turi vizitash që do të mbahen gjatë muajit të parë të kryesimit të Presidencës së Bashkimit Europian nga Italia, në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor.