1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përkujtim për hir të së vërtetës

Monika Dietrich2 Shtator 2006

Në "Ditën e vendlindjes" Lidhja gjermane e të Dëbuarve përkujton shpërnguljet e dhunshme dhe fatin e hidhur të miliona gjermanëve të dëbuar prej vatrave të tyre në vendet e Evropës Lindore. Njëkohësisht në këtë ditë përkujtohen edhe dëbimet e bëra prej nazistëve, të cilat u bënë shkak për dëbimet e mëtejshme të gjermanëve. Në festimet e sivjetshme ishte i pranishëm edhe presidenti gjerman Horst Këhler.

https://p.dw.com/p/Aqzb
Gjermanë të dëbuar
Gjermanë të dëbuarFotografi: dpa - Bildarchiv

Megjithë punën për pajtimin që është bërë që pas Luftës së II botërore dhe deklaratave të qeverisë gjermane, se i konsideron si të paprekshme kufijtë dhe marrëdhëniet e pronësisë, në formën që e përcaktuara pas Luftës së II Botërore, përmendja e fatit të të dëbuarve shkakton mosbesim tek fqinjët lindorë të Gjermanisë, sidomos në Poloni. Qëllimi i presidentit gjerman në fjalimin e tij në Ditën e të dëbuarve ishte pikërisht që t'i fshinte këto dyshime dhe mosbesime. Familja e presidentit gjerman e ka pësuar vetë në kurriz këtë fat. sepse edhe familja e tij u detyrua të largohej prej Polonisë në vitin 1944. Presidenti gjerman tha se historia e të dëbuarve bën pjesë në identitetin gjerman, dhe se duhet përkujtuar në mënyrë të dukshme, por se nuk duhen harruar as preokupimet e fqinjëve.

"Ne duhet të ndërmjetësojmë me durim, se në Gjermani nuk ka forca të tilla që duhen marrë seriozisht, të cilat dëshirojnë ta rishkruajnë historinë duke e ndryshuar atë. Unë nuk shoh përpjekje të tilla dhe një gjë të tillë ne duhet ta themi qartë. Nuk ka asnjë dyshim, që shkaku që shkaktoi valët e refugjatëve dhe dëbimet ishte regjimi nazist dhe Lufta e II Botërore që filloi Gjermania."

E rëndësishme është, theksoi ai që sot t'i pengojmë padrejtësitë dhe dëbimet e njerëzve, si p.sh. në ish-Jugosllavi, Afrikë apo Timorin Lindor.

Presidentja e Lidhjes gjermane e të Dëbuarve, Erika Shtainbah, shfytëzoi rastin për të kërkuar edhe një herë ngritjen e një qendre kundër dëbimeve. ajo ka vite që angazhohet për ngritjen e një qendre të tillë në mes të Berlinit, megjithë kritikat nga vendet fqinje. Sidomos polakët kanë shumë frikë se gjermanët mund ta harrojnë fajin e tyre historik.

Shtainbah i hodhi poshtë kritikat e palës polake duke thënë që fati i të dëbuarve nuk duhet të bjerë në harresë: "Të gjithë popujt e botës duhet të kenë të drejtë që të flasin për vuajtjet që kanë përjetuar që të përkujtojnë viktimat. Një gjë e tillë duhet të vlejë dhe për Gjermaninë, aq më tepër që puna përkujtimore është baza për një vështrim përpara pozitiv dhe të aftë për dialog. Kush e mbyll këtë rrugë, shitohet".