1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

060909 Finanzministertreffen Abschluss

7 Shtator 2009

Takimi përgatitor i ministrave të financave dhe i shefave të bankave qendrore të shteteve anëtare të G-20-ës solli të shtunën (05.09) në Londër para së gjithash kompromise. Kjo kënaqi shumë nga pjesëmarrësit.

https://p.dw.com/p/JToK
Ministrat e financave të vendeve të grupit G-20 u takuan në Londër më 05.09.2009Fotografi: AP

Pas takimit të ministrave të financave të G - 20-ës të gjithë folën për "sukses". Para së gjithash ministri gjerman i financave, Peer Shtajnbryk (Steinbrück): "Unë jam i gëzuar që i kemi miratuar këto tekste 20 me zero. Kjo ndoshta mund të ketë qenë e vështirë për njërin ose për tjetrin. Por unë gëzohem për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm gjermano-francez në këtë çështje, i cili ka qenë shumë i mirë." Kolegët me të cilët sipas Shtajnbrykut gjetja e kompromisit rezultoi më e vështirë ishin ministrat britanikë dhe amerikanë të financave. Para së gjithash ata kishin bërë bllokadë ndaj planeve gjermano-franceze, që të caktohen kufij maksimalë në rastin e pagesave të kompensimeve për menaxherët e bankave.

Shtajnbryk: 'Duhet vrarë mendja se çfarë do të bëhet pas përfundimit të kësaj krize?'


Dokumenti i kompromisit i ministrave të financave nuk përmend kufij konkretë. Eshtë parashikuar para së gjithash përkufizimi i saktë i raportit të kompensimeve me pagën fikse. Veç kësaj kërkohet që pagimi i kompensimeve të shtrihet në disa vite, dhe në rastet kur bizneset nuk ecin si duhet, mund të kërkohet që kompensimet të kthehen. Edhe në temën e dytë të madhe të konfliktit, në programet koniunkturore u arrit një kompromis. Pagimi i ndihmave miliardëshe do të vazhdojë, derisa të garantohet çlodhja ekonomike në të gjitha shtetet e G-20-ës. Njëkohësisht po përgatitet një reduktim: "Nuk mund të filloni në këtë moment strategji daljesh nga situata, kur vazhdoni të ndodheni në këtë krizë financiare dhe kur vazhdoni të keni të bëni me një situatë koniunkturore, e cila kërkon mbështetje. Por tani duhet vrarë mendja për faktin se çfarë do të bëhet pas përfundimit të kësaj krize, për të mos paraprogramuar me sjelljen vetjake krizën tjetër." Ajo nga e cila druhet Shtajnbryku është: pompimi për një kohë të gjatë i parave në ekonominë botërore pasohet para së gjithash nga një hap: inflacioni i rëndë.

Dokumenti i kompromisit të ministrave të financave disi i turbullt

Rregullat për pagesat e kompensimeve në të ardhmen nuk u përkufizuan, por një grup ekspertësh do t'i përpunojë hollësitë deri në takimin e nivelit të lartë të G-20-ës, i cili do të zhvillohet pas tri javësh në Pitsburg (Pittsburgh) të SHBA-së. Por ministrja franceze e Financave, Kristin Lagard (Lagarde) premtoi se nuk do të lëshojë pe në përpjekjet e saj për një rregullore që t'u rezistojë krizave: "Ne jemi të vendosur, që t'i ndjekim ngjarjet me shumë vëmendje. Ne nuk do ta lëmë që të na bjerë edhe njëherë nga duart ky top. Rregullimi i sektorit të financave është shumë i rëndësishëm. Pagesat e kompensimeve janë shumë skandaloze. Nuk mund t'i lëmë punët të vazhdojnë si janë për momentin."

Takimi Merkel Braun në Berlin

Deutschland Großbritannien Angela Merkel und Gordon Brown zu Afghanistan
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri britanik Gordon Brown në konferencë shtypi pas takimit në Berlin më 06.09.2009Fotografi: AP

Hapi tjetër në kërkimin me mundim të kompromisit të shteteve të G-20-ës ishte takimi i kryeministrit britanik Gordon Braun (Brown) me kancelaren gjermane Angela Merkel të dielën (06.09) në darkë. Në Gjermani janë përvijuar shenjat e para të çlodhjes ekonomike, Britania e Madhe zyrtarisht ndodhet ende në recesion. Kancelarja Merkel deklaroi pas takimit: "Synimi ynë është që asnjë produkt, asnjë rajon dhe asnjë bankë të mos jetë pa kontroll. Këtë synim ne e kemi përgatitur në Londër në një konferencë shumë të suksesshme. Ndërsa në Pitsburg ne do të bëjmë bilanc dhe së dyti duhet të ndërmarrim hapa të rinj."

Kancelarja theksoi më tej në këtë kuadër se për të ishin dy gjëra të rëndësishme: së pari, kufizimi i pagesave të kompensimeve, nëpërmjet caktimit të hapësirave kohore, në të cilat mund të matet suksesi i një banke. Së dyti, në Pitsburg do të kërkohet që kërkesat për kapital vetjak ndaj bankave të rriten në përputhje me madhësinë e tyre dhe me shkallën e ndërthurrjes së bankave në aspektin ndërkombëtar.

Autor: Ralf Borchard / Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora