1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përpjekje e BE për uljen e tensioneve Shkup -Sofje

4 Qershor 2021

Shkupi e sheh me shpresa vizitën në Ballkanin Perëndimor të Presidentit portugez De Souza, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e radhës të BE.

https://p.dw.com/p/3uREP
Mazedonien Skopje Archäologisches Museum
Fotografi: picture-alliance/dpa/Georgi Licovski

"Pozicioni i Portugalisë është për dialog të vazhdueshëm, duke kuptuar problemet e tjetrit, pa paragjykime ose komplekse rreth zgjerimit të BE”, ka thënë Marcelo De Souza. Presidenti bullgar Rumen Radev thotë se Bullgaria po kërkon garanci në zgjerimin e Bashkimit Evropian me Maqedoninë e Veriut. Detyra më e rëndësishme është rivendosja e dialogut në të gjitha nivelet midis Sofjes dhe Shkupit. Ai theksoi se presidenca portugeze mund të ndihmojë në gjetjen e një qasjeje konstruktive.

"Në bazë të kësaj qasjeje, unë shoh hapjen e një perspektive për vazhdimin intensiv të dialogut, për zhvillimin e udhërrëfyesve të duhur, të cilët do të ofrojnë garancitë e duhura për ne, veçanërisht për t'u bindur se procesi i zgjerimit do të jetë efikas, i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm”, thekson Radev.

Zaev: Ende shpresojm për samitin e qershorit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev vlerëson se propozimi portugez për Shkupin është një pikënisje e shkëlqyeshme për arritjen e marrëveshjes me Bullgarinë, në mënyrë që të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare deri në fund të qershorit.

"Për ne është veçanërisht e rëndësishme që ky projektpropozim të mos prekë ose të cenojë çështjet e identitetit tonë maqedonas, gjë që plotëson pozicionin tonë thelbësor, dhe ne jemi fort të bindur se propozimi është një bazë e mirë për pozicionet thelbësore të Bullgarisë”, ka deklaruar Zaevi.

Kryeministri Zaev thekson se qeveria teknike në Sofje ka mundësi kushtetuese për të marrë një vendim dhe kjo është ajo që ai pret. Sidoqoftë, ai përsëriti se megjithëse ka një shans për të bërë një hap përpara në integrimin evropian më 22 qershor, në rast se nuk do të ndodhë, në shtator do të ketë qeveri politike në Bullgari.

Zoran Zaev
Zoran ZaevFotografi: Petr Stojanovski/DW

"Sigurisht, duhet të presim pak. Bullgaria ka qeveri teknike dhe është e lehtë të kuptohet e gjithë kjo, por nuk është e pamundur. Vjen shtatori, në shtator do të ketë qeveri politike, që mund të marrë vendime. Por nëse biem dakord, do të ishte shkëlqyeshëm”, tha Zaevi.

Osmani: Po përpiqemi t'i argumentojmë parimet para miqve tanë

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani beson se ajo që  mbron Maqedonin e Veriut në mosmarrëveshjen me Bullgarinë janë parimet, mbi të gjitha ato evropiane dhe kjo sipas tij është argumenti më i fortë në këtë mosmarrëveshje.

"Po përpiqemi t'i argumentojmë këto parime para Bullgarisë dhe miqve tanë. Ka shumë parime që kanë mbrojtur idenë evropiane për 75 vitet e fundit. Në të gjitha valët e zgjerimit të BE-së, ka pasur përpjekje për të imponuar çështje bilaterale, për të ngadalësuar procesin, por tani BE besoj se do të dalë më i fortë për t'i menjanuar këto pengesa”, thotë Osmani.

Sipas tij, qershori dhe pastaj dhjetori janë datat e mundshme për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të BE me Maqedoninë e Veriut.

"Qershori më duket një mundësi më e mirë, por fatkeqësisht, ajo që ndodhi në Bullgari pa një qeveri e ndërlikon atë dritare të mundësive”, vlerëson Osmani.

Mickoski: Po përgatitet tradhëti e re për Maqedoninë e Veriut

Kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare Hrisitjan Mickoski paralajmëron tradhëti të re të kryeministrit Zaev dhe përfaqësuesit në bisedimet me Bullgarinë, Vllado Buçkovski. Sipas Mickovskit dyshja Buçkovski-Zaev koordinojnë bisedime të fshehta ku ofrohet që Deklarata e miratuar nga Parlamenti bullgar të bëhet pjesë e kornizës negociuese me BE.

"Një veprim i tillë është tradhëti ndaj popullit maqedonas. Nëse Zaevi e pranon një gjë të tillë, na vendos në pozitën që të mohojmë identitetin maqedonas dhe të pranojmë se si popull ekzistojmë që nga viti 1945”, vlerëson Mickoski.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut