1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përpjekje e re e Gjermanisë për zgjerimin e Këshillit të Sigurimit

Rainer Sütfeld7 Janar 2006

Ndërsa Japonia do të ndërrmarë një inisiativë të pavarur për vendin e saj të përhershëm në Këshillin e Sigurimit

https://p.dw.com/p/AqrM
Këshilli i Sigurimit
Këshilli i SigurimitFotografi: AP


Qeveria gjermane ka ndërrmarë një inisiativë të re së bashku me Brazilin dhe Indinë për reformën e Kombeve të Bashkuara dhe arritjen e synimit të saj, vendin e përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Të tre vendet kanë paraqitur ditën e premte pranë Kombeve të Bashkuara pikërisht atë projektrezolutë, me të cilën ato vitin e kaluar dështuan.

Vit i ri, fat i ri, dokumenta të vjetra!

Me qëllim që tema e reformës së Këshillit të Sigurimit të mbetet në axhendën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, diplomatët gjermanë e kanë riparaqitur kërkesën e tyre të vjetër. Në Shtëpinë Gjermane në Nju Jork, kjo quhet thjesht një procedurë teknike. Por askush nuk po rrezaton nga optimizmi në këtë fillim viti.

Megjithatë ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Stajnmajer ka bërë të qartë, se edhe qeveria e re gjermane do të ndjekë kursin e mëparshëm: Reforma e Këshillit të Sigurimit mbetet temë e ditës. Sipas pikëpamjes sonë, në reformën e Këshillit të Sigurimit bën pjesë edhe zgjerimi i Këshillit të Sigurimit. Propozimi ynë është akoma i hapur mbi tavolinë."

Në notën diplomatike që shoqëron dokumentin e mëparshëm thuhet megjithatë, se paraqitësit e dokumentit në momentin e tanishëm nuk bëjnë presion për ujdi, dhe janë të gatshëm për ndryshime.


Nota diplomatike dhe propozimi kanë vetëm tre firma. Nga Grupi i katër vendeve që synonin një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit, ka mbetur vetëm Brazili, India dhe Gjermania. Japonia pas dështimit të vitit 2005 ka bërë të qartë, se do të luftojë e vetme për vendin e saj në Këshillin e Sigurimit, Edhe me Pekinin, Tokio parapëlqen tanimë të negociojë në mënyrë të veçuar.


Ambasadori gjerman në Kombet e Bashkuara, Gynter Plojger megjithatë është optimist, përsa i përket shanseve të Berlinit: Unë besoj, se Gjermania gëzon një emër kaq të mirë brenda OKB-së, saqë askujt nuk do t'i shkonte në mendje, të propozonte një reformë të Këshillit të Sigurimit dhe Kombeve të Bashkuara, e cila do linte përjashta ose do të mënjanonte Gjermaninë."


Gjermania dhe Brazili e India synojnë të zgjerojnë KS-it nga 15 deri në 25 anëtarë. Të gjashtë anëtarët e rinj të përhershëm, ndër të cilët të tre vendet duan të futen, nuk do të ushtrojnë të drejtën e vetos. Ky është një propozim, të cilit i mungon mazhoranca prej dy të tretash, sepse Afrika nga njëra anë dëshiron më shumë, ndërkohë që Amerika më pak. Me ndryshimin e krahut nga ana e Japonisë, duket se shanset janë rrudhur mjaft. Gynter Plojger megjithatë është i mendimit, se reforma e Këshillit do të trajtohet më tej në periudhën aktuale të mbledhjeve të Asamblesë:"Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme ka bërë ndërkohë të ditur dhe në të vërtetë është kështu, se problemet nuk zgjidhen, po qe se nuk ndërmarrim asgjë."


Argumentimi i Plojgerit është, se pa reformën e OKB-së, e cila prej krijimit të saj gati ka mbetur e pandryshuar, nuk mund të ndryshojë as bashkësia ndërkombëtare. Këtë argumentim e mbështet edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan. Vetëm se zgjerimi i dëshiruar, mund të rezultojë shumë më i rrudhur, se sa e ëndërron ende Berlini.