1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përpjekjet vazhdojnë, suksesi i pasigurt

14 Maj 2012

Ndërmjetësimi i presidentit grek Karolos Papoulias nuk ka bërë ende të mundur një qeveri për Greqinë. Por ai planifikon t'i vazhdojë përpjekjet e tij ndërmjetësuese më së vonëti deri të hënën në mbrëmje.

https://p.dw.com/p/14uvD
Karolios Papoulias
Karolios PapouliasFotografi: AP

Dy partitë me traditë të vendit, konservatorja Nea Dimokratia dhe socialistja PASOK, janë shprehur të gatshme për një koalicion. Mirëpo me 149 prej gjithsej 300 vendeve në parlament ato për pak nuk e arrijnë shumicën e kësisoj kanë nevojë për partnerë.

Si partner i mundshëm koalicioni për Nea Dimokratian dhe PASOK-un shtrohet për diskutim para së gjithash "E Majta Demokratike" e ish-eurokomunistit Fotis Kouvelis (me një qëndrim të theksuar miqësor ndaj Evropës). Kouvelis, i cili në bazë të sondazheve konsiderohet si politikani më popullor i vendit, tregohet i gatshëm për një qeveri shumëpartiake, me kusht që koalicioni të miratohet edhe nga kryetari i "Të Majtëve Radikalë" (SYRIZA), Alexis Tsipras (i renditur papritur i dyti në zgjedhje).

Negociata pa rezultat
Negociata pa rezultatFotografi: Reuters

Të Majtët Radikalë shpresojnë për zgjedhje të reja

Mirëpo, Tsipras i hap luftë sa vjen e më ashpër kursit të kursimit dhe spekulon për zgjedhje të reja të afërta (me shpresën se partia e tij do të dalë pas përsëritjes së zgjedhjeve si forca më e madhe). Sondazhet e fundit duket se e konfirmojnë llogarinë e tij. Që Tsipras nuk lë rast pa humbur që me retorikë të majtë të kërkojë të mbledhë vota, kjo u pa përsëri në fjalimin e tij televiziv pas bisedimeve të krizës te presidenti i shtetit.

"Pas këtij takimi është e qartë se prej partisë sonë nuk pritet miratim a tolerancë, po sheshim rruge në krim", deklaroi Tsipras. Mirëpo, në emër të demokracisë, të sovranitetit të popullit dhe të përgjegjësisë patriotike unë nuk do të marr pjesë në këtë bashkëpunim në krim, shtoi ai. "Dua t'u bëj thirrje të gjithë grekëve, të dënojnë njëherë e përgjithmonë politikën e së djeshmes. Vetëm një shpresë mbetet për vendin: Uniteti i popullit kundër shantazhit dhe kundër vazhdimit të barbarisë."

Derisa presidenti i shtetit vazhdonte të përpiqej të dielën në mbrëmje për një qeveri koalicioni, Tsiprasi shijoi një kontakt të drejtpërdrejtë me masën në një të ashtuquajtur asamble popullore në qytetin-port të Pireut. Atje, ai u premtoi përkrahësve të vet një të majtë të fortë, e cila do të bashkëpunojë vetëm me popullin. Bashkëpunëtorë të kryetarit të SYRIZA-s deklaruan se Tsiprasi nuk do të marrë pjesë në një takim tjetër me presidentin e shtetit të hënën, më 14 maj.

Antonis Samaras i të Djathtës akuzon të Majtët radikalë
Antonis Samaras i të Djathtës akuzon të Majtët radikalëFotografi: picture-alliance/dpa

Populistët si ata që i vënë vulën punës?

Për të marrë miratimin e radikalëve të majtë për një qeveri koalicioni, udhëheqësi partiak konservator Antonis Samaras premtoi rinegociimin e paketës greke të shpëtimit. Këtë qëndrim Samaras e pati mbrojtur energjikisht, para se nën trysninë e botës së jashtme të arrinte të jepte në nëntor 2011 mbështetjen për kursin e kursimeve. Tani që ëndrra e tij për të qeverisur i vetëm dështoi, Samaras duhet të druajë se nuk ka për t'u bërë as kryeministër në një qeveri koalicioni.

Fajin për këtë ai ua ngarkon radikalëve të majtë: "Kjo parti injoron porosinë e zgjedhësve dhe kundërshton formimin e një qeverie të aftë për të mnbijetuar", kritikon politikani konservator.

Autor: Jannis Papadimitriou / Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi