1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

180708 Frankreich Atom

Claudia Deeg / Paris (SWR) 19 Korrik 2008

A po lëkundet besimi i Francës tek energjia bërthamore? Pas incidentit të dytë brenda një kohe të shkurtër në një central bërthamor francez, kritika është shtuar.

https://p.dw.com/p/Ef92
Përgatitjet për provat atomike në Mururoa 27 korrik, 1995
Përgatitjet për provat atomike në Mururoa 27 korrik, 1995Fotografi: AP

Ministri francez i ambjentit përpiqet të qetësojë. Nuk ka ndodhur ndonjë gjë e madhe, thotë Jean Louis Borloo. Çdo vit në centralet bërthamore franceze ndodhin incidente të vogla të kategorisë 1 në një shkallë nga 1 në 7. Vitin e kaluar numri i tyre ka qenë 86.


"Nuk duhet të ngatërrohen transparenca dhe përhapja e panikut. Nuk ka asgjë më të keqe se sa të zhysësh kokën në rërë. Kush do të kujdeset për raporte të qarta nuk duhet të krijojë konfuzion."


Politika e informacionit, kontrolli dhe siguria e centraleve bërthamore do të merren tani në shqyrtim. Një grup pune duhet të paraqesë për këtë një raport deri në vjeshtë. Edhe uji nëntokësor përreth të gjitha centraleve bërthamore duhet të kontrollohet. Të premten (18.7.) në mëngjes një informacion nga një zonë pranë Grenoble-s ngjalli shqetësim. Në një fabrikë për prodhimin e shufrave kombustibile në Roman-sur-Isere kishte patur derdhje të një lëngu radioaktiv. Asnjë rrezik për ambjentin, bëri të ditur firma pronare e fabrikës. Probabiliteti që lëngu radioaktiv të ketë depërtuar në tokë është shumë i vogël, deklarojnë edhe autoritetet vendore. Autoriteti për Mbikqyrjen e Energjisë Bërthamore konstaton se lënda e lëngshme vinte nga një tubacion që ishte prej vitesh i prishur. Roland Desbordes është një shkencëtar kritik ndaj energjisë bërthamore:

"Të premten në mëngjes (18.7.) mediet njoftuan shumë shpejt për incidentin pasi tema është aktuale për momentin dhe të gjithë reagojnë menjëherë. Mua më mungojnë informacione më të sakta për të thënë më shumë. Me siguri që ky incident nuk është aq i rëndë sa ai në Tricastin, por ka të ngjarë të mos jetë edhe aq i parëndësishëm sa duket."


Në centralin bërthamor Tricastin një javë më parë pati derdhje lëngu më përmbajtje uraniumi. Firma që operon centralin, e cila i përket koncernit të energjisë bërthamore Areva, e informoi me shumë zvarritje publikun. Ndërkohë është pushuar drejtori i prodhimit. Vlerat e uraniumit në ujin nëntokësor luhaten. Specialistët mendojnë se shkaqet për këtë nuk kanë të bëjnë me incidentin. Dyshimi lidhet me egzistencën e mijëra tonë mbetjeve bërthamore dhe kimike të ushtrisë franceze të cilat janë të depozituara nën një kodër. Një kultivuese vreshtash e zonës e cila jep edhe dhoma me qera thotë:


"Unë asnjëherë nuk kam panikuar. Kam pirë ujin e rrubinetit dhe ua kam ofruar edhe klientëve të mi. Ne kultivuesit e vreshtave rekomandojmë më shumë verën tonë se ujin. Por ajo që ka ndodhur dëmton emrin tonë. Kjo është indinjuese dhe e panevojshme. Duhet që gjërat të bëhen të qarta."


Energjia bërthamore pranohet gjerësisht në Francë. Rreth 80 për qind e energjisë vjen nga centralet bërthamore. Një banore e Tricastin thotë:


"Rreziqet janë të kufizuara. veç kësaj ne nuk kemi zgjidhje tjetër përballë çmimeve aktuale të karburanteve. Duhet të jetojmë me këtë. Por natyrisht është e vështirë të krijosh një opinion."


E vështirë në rradhë të parë për shkak të mungesës së transparencës. Mbrojtësit e ambjentit kërkojnë informacione të gjera dhe më shumë sensiblitet nga kompanitë.