1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përvjetori i rrëzimit të Millosheviqit

Bahri Cani5 Tetor 2005

Më 5 tetor të vitit 2000 në Serbi u përmbys regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Përmbysja erdhi si pasojë e protestave në mbarë Serbinë

https://p.dw.com/p/AqiQ
Policia duke dorëzuar armët
Policia duke dorëzuar armëtFotografi: AP

Fundi i Millosheviqit

Sytë e mbarë botës ishin të drejtuar nga Serbia. Pas katër luftërave, rreth 250.000 viktimave, miliona refugjatëve dhe qindra qyteteteve e fshatrave të rrënuara; pas bombardimeve të Natos, shkatërrimeve ekonomike, izolimit dhe inflacionit më të lartë në botë, dukej se regjimit të diktatorit Sllobodan Millosheviq i kishte ardhur fundi. Qindra mijëra demonstrues të mbledhur në Beograd dhe qytete tjera, me pesë tetor kërkonin që Millosheviqi ta pranojë humbjen në zgjedhje dhe të largohet nga pushteti. Pasi u bind se ushtria dhe policia nuk do të ndërhynin si më parë, dhe kur demonstruesit me dhunë depërtuan në parlamentin federal dhe në televizionin shtetëror, të cilave u vënë flakën, Millosheviqi doli para kamerave televizive dhe pranoi humbjen.
"Zotit Koshtunica i uroj fitoren në zgjedhje. Të gjithë qytetarëve të Jugosllavisë ju uroj shumë suskese në mandatin e presidentit të ri", thoshte Millosheviq. Ndërsa presidenti i ri Koshtunica festonte para para qyetarëve të mbledhur në Beograd.
"Fituam përkundër gënjeshtrave dhe dhunës së Sllobodan Millosheviqit; përkundër sanksioneve nën të cilat kemi jetuar me vite të tëra dhe përkundër bombave të Natos të cilat kanë rënë mbi këtë vend vitin e kaluar", thoshte Koshtunica.
Gjatë natës së pesë tetorit Koshtunica takohet edhe me Millosheviqin, që u kritikua prej shumë partnerëve në koalicion. Mirëpo më vonë në shesh dalin të gjitha ndasitë e koalicionit DOS, të përbërë prej 18 partive politike. Figura qendrore e lëvizjeve demokratike dhe protestave, megjithatë ishte Zoran Gjingjiq. Një politikan energjik dhe pragmatik, i cili edhe në këto momente arrinë një marrveshje me policinë për mosndërhyrje të dhunëshme ndaj demonstruesve. Një rol shumë të madh drejt ndryshimeve ka luajtur edhe lëvizja "Otpor" (Rrezistenca). Mirëpo kryetari i Partisë Demokristiane, më vonë edhe ministër i drejtësisë, Vlladan Batiq thotë se ndryshimet i ka bërë "vendosmëria e qytetarëve të mos tolerojnë dhunën, arrogancën dhe terrorin e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Qytetarët ishin të vendosur t'i kundërshtojnë gënjeshtrat dhe vjedhjet e tija. Ata ishin të vendosur që kësaj radhe të shkojnë deri në fund. DOS-i dhe "Otpori" kanë dhënë një kontribut të madh, por populli është ai i cili ka kryer pesë tetorin."

Koha e shpresës

Populli tani priste ndryshime dhe shkëputje nga politika e luftërave dhe reformat në ushtri, polici, drejtësi, në aparatin e shtetit ekonomi. Mirëpo, ndryshimet munguan ose shkonin tepër ngadalë. Frenuesi kryesor i ndryshimeve të shpejta ishte presidenti Koshtunica i cili kërkonte që të gjitha ndryshimet të bëhen vetëm në bazë të ligjit. Kjo bëri që në ushtri dhe polici për një kohë të gjatë të mbeten strukturat e Millosheviqit. Disa prej tyre ishin të akuzuar edhe për krime lufte, si presidenti Millan Millutinoviq ose shefi i shtatmadhorisë Nebojsha Pavkoviq.
"Me pesë tetor jam angazhuar për largimin nga puna të të gjithë gjykatësve, policëve dhe gazetarëve të televizionit shtetëror. Mirëpo shumica nuk ishte e këtij mendimi. Rrallë herë unë në këtë vend kam pasur shumicën", pohonte Gjingjiq.
Kryeministri Gjingjiq thoshte se fajtorë për mungesën e ndryshimeve ishin ata të cilët kërkonin respektimin e ligjeve dhe kushtetutës së Millosheviqit. Megjithatë, me 28 qershor të vitit 2001, Gjingjiqi arrinë një prej fitoreve më të mëdha: dorëzimin e Millosheviqit në Hagë, ku akuzohet për krime lufte në Kroaci dhe Kosovë dhe për gjenocid në Bosnje - Hercegovinë.
"Vendimi futet në fuqi menjëherë. Ndërkohë organet e policisë së Republikës së Serbisë kanë vepruar sipas këtij vendimi", bëri të ditur Gjingjiq.
Kryeministri kishte ndërmend edhe më shumë. Në fillim të vitit 2003 kërkonte hapjen e çëshjtes së Kosovës. Ai kërkonte edhe takime të drejtëpërdrejta me politikanët e Kosovës, në radhë të parë me Hashim Thaçin. Fillimisht ishte e planifikuar për bisedohej për të zhdukurit dhe të burgosurit kosovar në burgjet e Serbisë. Gjingjiq ishte i gatëshëm për takim kudo.
"Po, jam i gatëshëm për takim. Ne, pra pala shqiptare dhe ajo serbe e ka për obligim që tu ndihmojë familjeve të të zhdukurve që të zbardhet kjo çëshjte tepër e rëndë. Këtu nuk guxon të ketë kalkulime politike".
Takimi me Thaçin nuk realizohet kurrë, sepse me 12 mars të vitit 2003 Gjingjiqi vritet në hyrje të godinës së Qeverisë. Për vrasjen fajësohet grupi kriminel i Zemunit. Shumica prej tyre arrestohen. Procesi po zgjatë ende, por shumëkush pohon se sfondi politik i kësaj vrasje, ende nuk është sqaruar. Ndërkohë Koshtunica ka ardhur në postin e kryeminstrit të Serbisë, ku sundon me mbështetjen e socialsitëve të Millosheviqit.
"Koshtunica sot po dëshmon atë që ka menduar edhe atëherë: një partneritet me Millosheviqin. Ai sot është në pushtet vetëm falë partisë socialiste. Koshtunica është frenuesi kryesor i këtyre proceseve. Unë kam shpresuar se kriminelët do të futen në burg ndërsa të marrët në spitale. Por çfarë ndodhi: asgjë. Njerëzit e Millosheviqt sot po kthehen në pushtet. Në skenë kemi një partneritet shumë të qartë Koshtunica - Millosheviq.", thotë ish - ministri i drejtësisë, Vlladan Batiq.
Tepër optimist për situatën e sotme në Serbi nuk është as Sinisha Shikman, një prej udhëheqësve të lëvizjes "Otpor" (Rrezistenca).
"Në Serbi sot kemi një qeveri e cila funksionon me mbështetjen e Sllobodan Millosheviqit, një qeveri e cila ka një mbështetje më të vogël se të gjitha qeveritë e Millosheviqit. Qeveria e sotme po lufton atë të mëparshmen, dhe nuk po kujdeset për interesat dhe ardhmërinë e Serbisë", thotë ai.
Në Serbinë e sotme në shumë poste janë kthyer kuadrot e Millosheviqit. Çështja e Kosovës ende ka mbetur e pazgjidhur. Kosovarët thonë se qeveria e Koshtunicës dallon shumë pak në qëndrime nga ajo e Millosheviqit. Vitin e ardhëshëm pritet edhe referendumi i Malit të Zi për pavarësi. Kryeprokurorja e Hagës, Karla Del Ponte këto ditë përsëriti akuzat se në Serbi ende po strehohen gjashtë të akuzuar për krime lufte, ndër ta edhe Ratko Mlladiq. Megjithatë, ajo është e knaqur me bashkëpunimin e vendosur kohët e fundit i cili po përmirësohet. Ndërkohë që nga Brukseli për Beogradin këto ditë mbërriti edhe një sinjal pozitiv: fillimi i procesit për nënshkrimin e marrveshjes së asociim- stabilizimit.