1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Pa migrim - më shumë papunësi"

Christoph Hasselbach9 Shtator 2015

Si paraqiten migrantët dhe refugjatët përsa i përket arsimimit? A i spostojnë ata gjermanët në tregun e punës? Ulf Rinne nga Instituti i Bonnit për Të Ardhmen e Punës kundërshton frikërat e përhapura gjerësisht.

https://p.dw.com/p/1GTJq
Ulf Rinne
Fotografi: privat

Deutsche Welle: Zoti Rinne, sipas shifrave të Zyrës Federale të Statistikave, gati një e treta e personave me origjinë migranti në Gjermani ka mbaruar maturën ose ka një kualifikim që i lejon të ndjekë një shkolle të lartë profesionale. Si përqindje kjo është një shifër më e madhe se te ata pa rrënjë të huaja. Si e shpjegoni këtë?

Ulf Rinne: Ka pak vend për t'u habitur. Sepse duhet të kujtohemi se deri tani për emigrantët që duan të vijnë në Gjermani pak rrugë janë të hapura - dhe nëse ka të tilla, ato janë para së gjithash kanale për persona me kualifikim të lartë.

Veç kësaj, shumë prej tyre janë qytetarë të BE, që gjithsesi kanë të drejtë të punojnë këtu.

E saktë.

A do të thotë kjo se kemi të bëjmë një situatë joproblematike për tregun e punës, apo ka në këtë fushë për shembull edhe konkurencë për vende pune?

Në parim gjithmonë ka konkurencë për vende pune. Kjo ka të bëjë si me migrantët, ashtu edhe me vendasit. Por nuk ka ndonjë evidencë shkencore, që vendasit bëhen të papunë, sepse kemi migrim. Përkundrazi. Papunësia do të ishte shumë më e lartë, nëse këtu nuk do të kishte migrim. Supozimi që qendron pas kësaj teze (se të huajt u marrin vendet e punës vendasve), do të ishte se në Gjermani paskemi një numër të fiksuar vendesh pune, dhe ky supozim është i gabuar. Para së gjithash kur ata që vijnë sjellin me vete kualifikime të larta, nuk ndodh një spostim i vendasve nga të huajt.

Po ka edhe një shifër tjetër që tërheq vëmendjen në drejtimin e kundërt: Ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere tha në gazetën "Die Zeit", se 20 përqind e refugjatëve të rritur që vijnë te ne janë analfabetë. Kjo duhet të ishte një problem më i madh, apo jo?

Kjo çështje kërkon një vështrim shumë më të diferencuar. Sepse në rastin e refugjatëve kemi të bëjmë në pjesën më të madhe me persona, që kërkojnë azil politik. Për pikëpamjen time, këtu nuk ka asnjë bazë pse këta persona duhen parë në pikëpamje ekonomike dhe të shihen sa të dobishëm janë për Gjermaninë. Është një çështje tjetër, që në një hap të dytë të vritet mendja: neve na vijnë kaq shumë refugjatë, për cilët nga këta persona mund të hapet ndoshta jashtë azilimit një rrugë legale për në Gjermani?

Ne folëm për një konkurencë të mundshme për vende pune te personat me kualifikim të lartë. A druheni se mund të ketë konkurrencë në sektorin e pagave të ulëta?

Sigurisht që këtu mund të ketë në raste të veçanta situata konkurence. Por po të shohësh megjithatë të kaluarën, ka dalë në pah se kjo nuk ndodhi gjerësisht në kuadër të zgjerimit në Lindje të BE. Domethënë që në këtë situatë të re duhet të vështrojmë sërish me vemëndje, por zakonisht ndodh që migrojnë jo vetëm persona të sektorit të pagave të ulëta, por edhe persona me kualifikim të lartë dhe këta persona me kualifikim të lartë krijojnë vende shtesë pune. Po ta vështrosh të gjithë nga një perspektivë nga lart, nuk sheh probleme që ia vlen të përmenden.

Cilat janë zgjidhjet që shihni?

Ne duhet të vrasim urgjentisht mendjen për një ligj migrimi. Fjala është që personave me kualifikim të mesëm, të cilët gjithashtu nevojiten gjithnjë e më shumë në tregun gjerman të punës, t'u hapen rrugë legale për në tregun gjerman të punës - edhe personave pa kualifikim akademik.

Dr. Ulf Rinne është ekspert për migrimin në Institutin e Bonnit për të Ardhmen e Punës.

Bisedën e zhvilloi Christoph Hasselbach.