1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pa zgjidhje politike është e pamundur ndihma humanitare

Peter Philipp1 Shtator 2006

Konferenca donatore e Stokholmit për Lindjen e Afërme hyri sot në raundin e dytë. Dje përfaqësues nga 50 shtete miratuan një ndihmë humanitare prej rreth 700 milion eurosh për Libanin. Objekt i ditës së sotme është gjendja në Rripin e Gazës.

https://p.dw.com/p/ArKV
Bashkërenduesi i OKB-së Jan Egeland dhe i deleguari spanjoll Gonzalez de Peredo
Bashkërenduesi i OKB-së Jan Egeland dhe i deleguari spanjoll Gonzalez de PeredoFotografi: AP

Zgjidhje të drejtë dhe humanitare të konfliktit në Rripin e Gazës kërkon bashkërenduesi norvegjez i OKB-së për çështjet humanitare dhe ndihmën në raste nevojë, Jan Egeland, në hapje të konferencës disaorëshe të vendeve dhuruese për Palestinën në Stokholm. Vetëm pak orë pas mbylljes së suksesshme të koferencës dhuruese për rindërtimin e Libanit përfaqësues të shumë shteteve evropiane dhe arabe janë mbledhur për të diskutuar së bashku me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare mundësitë për të ndihmuar.

Në mesditë u bë e ditur shifra. Rreth 390 milion euro do të vihen në dispozicion për të përmirësuar gjendjen humanitare në Rripin e Gazës. Afro 60 milion do të tu jepen Kombeve të Bashkuara si ndihmë e menjëhershme. Nga 384 milion dollarët e premtuar para konferencës nuk është transferuar as gjysma. Dhe gjendja sa vjen e bëhet më emergjente, veçanërisht në Gazë. Më shumë se gjysma e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë. Shkollat, sistemi shëndetësor, furnizimi me ujë dhe oferta e ushqimeve lelë shumë për të dëshiruar. Infrastruktura është shkatërruar në pjesën më të madhe dhe papunësia rritet. Në sektorin publik nuk janë paguar më prej muajsh pagat.

Kevin Kennedy, bashkërendues i OKB-së për ndihmën humanitare në territoret palestineze, kërkon për këto arsye intensifikimin e ndihmës ndërkombëtare, por ai nuk thotë se si duhet dhe mund të realizohet kjo. Të gjithë e kanë të qartë se nuk mungon vetëm gatishmëria për ndihmë, por edhe perspektiva për zgjidhje paqësore të konfliktit. Lufta në Rripin e Gazës vazhdon. Përditë ka të vrarë dhe të plagosur, mundësitë për zgjidhje pakësohen si rezultat. Nuk i dilet as të lidhen marrëveshje me ushtrinë izraelite, për shembull për të hapur një shkollë në zonat e luftimit. Rreziku për këtë është tepër i madh.

Megjithatë, UNRWA, organizmi i Kombeve të Bashkuara për ndihmën e refugjatëve, i cili kujdeset prej dhjetëra vjetësh për palestinezët, po përpiqet që me kredi të vogla, me punë të vogla dhe me ndihmë të drejtpërdrejtë humanitare të lehtësojë gjendjen. Por në Rripin e Gazës trajtohet vetëm gjysma e rasteve dhe në Bregun Perëndimor të lumit Jordan po skicohet fundi i mundësive për të ndihmuar. Pa para shtesë operacionet duhet të ndërpriten në vjeshtë.

Ndihma humanitare nuk është produktive, paralajmëron Kevin Kennedy. Mjetet e shpenzuara tani ishin parashikuar në fakt për mbështetjen e Rripit të Gazës pas tërheqjes izraelite. Një pjesë e saj do të zhvendoset, sipas tij, në Jordani ose të paktën në Bregun Perëndimor, sepse hyrja në Rripin e Gazës është e kufizuar. Është "si në një burg", ku ushqimi jepet përmes dritares së derës, e cila hapet dhe mbyllet arbitrarisht.