1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakicat jo serbe: E ardhmja jonë është në Kosovë

Bekim Shehu9 Dhjetor 2005

Përfaqësuesit e pakicës turke dhe asaj egjiptiane, kërkuan që të jenë pjesë e drejpërdrejtë e Grupit Negociator të Kosovës në bisedimet për statusin

https://p.dw.com/p/Aqrz
Trupat e Kforit
Trupat e KforitFotografi: dpa

Këshilli Konsultativ i Komuniteteve, një mekanizëm ky i krijuar nga Grupi Negociator i Kosovës, zhvilloi takimin e parë me pjesëtarët e pakicave jo serbe. Pjesëtarët e pakicave nuk janë përfshirë në Grupin Negociator, mirëpo, nevojat e tyre do të përfshihen në të gjitha dokumentat që do të dalin nga marrëveshjet gjatë bisedave për statusin e Kosovës. Këshilli Konsultativ i Komuniteteve, kryesohet nga Veton Surroi, anëtar i Grupit Negociator. Pas një takimi që zhvilloi me pjesëtarët e pakicës turke dhe asaj egjiptiane, zoti Surroi, tha se kjo nismë ka për qëllim integrimin e nevojat reale të komuniteteve pakicë pas definimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Njëri nga përfaqësuesit e pakicës turke në Kosovë, Mahir Jagxhillar, i cili përfaqëson pakicën me numërin më të madh të banorëve, tha se e ardhmja e komunitetit të tij është në Kosovë. Ai u shpreh në përkrahje të proceseve dhe i gatshëm në marrjen e përgjegjësive.

Pjesëtarët e pakicave jo serbe edhe më herët kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë që të jenë pjesë e drejpërdrejtë e Grupit Negociator të Kosovës në bisedimet për statusin. Kjo kërkesë nuk është pranuar nga udhëheqësit shqiptar të Kosovës, mirëpo, për të kënaqur nevojat e komuniteteve pakicë ata kanë krijuar, Këshillin Konsultativ të Komuniteteve. Këshilli obligohet të merret edhe me nevojat e pjesëtarëve të pakicës serbe edhe pse këta të fundit janë rreshtuar në Grupin Negociator të Serbisë. Megjithatë, të hënën e javës së ardhshme, Veton Surroi, do të takojë edhe përfaqësuesit e pakicës serbe dhe njoftohet se ata ju kanë përgjigjur pozitivisht ftesës për takim.