1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakistani pas Musharafit

Kai Küstner22 Gusht 2008

Në një atentat në Pakistan, sipas të dhënave më të fundit të autoriteteve u vranë 64 vetë. A po del jashtë kontrollit gjendja e sigurisë në Pakistan, pas deklaratës së dorëheqjes së presidentit Pervez Musharaf?

https://p.dw.com/p/F36j
Shumë shpejt ekstremistët i bënë të qartë në mënyrë të përgjakshme qeverisë se ku janë problemet e vërteta të Pakistanit
Shumë shpejt ekstremistët i bënë të qartë në mënyrë të përgjakshme qeverisë se ku janë problemet e vërteta të PakistanitFotografi: AP Photo

Nëse qeveria e koalicionit në Pakistan besoi ndonjëherë se do t'i linin kohë që të tregojë veten- kjo më e vonta tani mund të konsiderohet e kapërcyer. Dhe vetëm pak ditë, pasi ajo kremtoi suksesin e saj më të madh deri tani: dorëheqjen e pushtetmbajtësit të padëshiruar, Pervez Musharaf. Që tani, ekstremistët i bënë të qartë në mënyrë të përgjakshme qeverisë se ku janë problemet e vërteta të vendit. E këto janë jo vetëm probleme të Pakistanit, por të gjithë rajonit: prej shumë javësh, në provincën veriperëndimore të vendit ka shpërthyer një luftë e vërtetë: midis trupave qeveritare dhe talibanëve.

Taktika e terrorit e islamistëve është e qartë: me llojin e atentateve që përjetoi vendi ditët e shkuara, ata duan të tregojnë jo vetëm muskujt e t'u demonstrojnë forcave të sigurisë: "ju nuk jeni në gjendje ta mbroni vendin tuaj." Ata synojnë t'i demoralizojnë ushtarakët dhe t'i detyrojnë ata mundësisht të largohen prej zonave të tyre.

Pakistani nuk është zgjuar akoma si duhet

Se çfarë kuptimi ka një armëpushim me Talibanët, kjo mund të vërehej në të shkuarën: ata rigrupohen, rikthehen, sapo largohet ushtria dhe i mbulojnë zonat e kontrolluara prej tyre me përfytyrimet e një "feje islame të kohës së gurit". Kështu që lëshimet, përkulja para terrorit do të ishte pikërisht zgjidhja e gabuar.

Për fat të keq, vëzhguesit i kap gjithmonë e më shumë ndjenja mbytëse se Pakistani nuk është zgjuar akoma si duhet. Reagimi i zëdhënësit të qeverisë të bën ta kuptosh këtë si duhet: në këtë atentat ai sheh nënshkrimin e botës së jashtme, tha ai. Me sa duket Pakistani nuk e ka kuptuar se është i përfshirë vetë në një luftë kundër terrorit- dhe se nuk e bën këtë luftë në vend të Perëndimit ose të SHBA kaq të padashura.

Presidenti Pervez Musharraf
Presidenti Pervez MusharrafFotografi: AP

Pakistani pa Musharafin nuk është krejtësisht i pambrojtur dhe i hutuar

Vetëm kur vendi të kuptojë se është në interesin e tij lufta që bën, vetëm atëherë mund të fitohet ajo. Që një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike do të jetë në gjendje t'ia përcjellë këtë popullit të saj, këtu janë përqendruar shpresat e mëdha. Në ditët që prej dorëheqjes së Musharafit, qeveria me plotëkuptimin e fjalës nuk la përshtypjen se e ka qejf marrjen e vendimeve: kur ajo nuk është në gjendje të bierë dakord për të kthyer në punë gjykatësit e pushuar nga Musharafi, si mund të mbarojë punë ajo me talibanët?

Pakistani pa Musharafin me të vërtetë që nuk është krejtësisht i pambrojtur dhe i hutuar - por qeveria duhet të vërtetojë sa më shpejt që të jetë e mundur, pikërisht se nuk do të jenë hutimi dhe pavendosmëria ato që do të karakterizojnë politikën e Pakistanit në të ardhmen.