1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakistani pas vrasjes së Benazir Butos

29 Dhjetor 2007

Vrasja e udhëheqëses së opozitës, Benazir Buto (Bhutto) ka shkaktuar një valë dhune në Pakistan. Ende nuk është sqaruar, se kush është implikuar në atentat dhe nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen sipas planit.

https://p.dw.com/p/ChvR
Fotografi: AP



Gazeta holandeze TROUW skicon një pamje të zymtë për gjendjen në Pakistan:


"Vrasja e udhëheqëses së opozitës, Benazir Buto krijon në Pakistan një vakuum të rrezikshëm për jetën. Demokratizimi duhej të ishte rrugëdalja. Por kjo rrugë është mbyllur pas vrasjes së udhëheqëses së opozitës. Çka mbetet është një vend me dhjetra kapsula atomike shpërthyese që shtrihet në një nga rajonet më të pastabilizuara të botës dhe me gjeneral Musharafin, formalisht një president civil, i cili e ka humbur krejtësisht kredibilitetin. (...) Nuk është e sigurtë, nëse Musharafi do të reagojë nën presion. Por ai nuk e meriton më besimin, pasi procesi i demokratizimit u mbyt qysh në filiz nën sundimit monist të tij."


Gazeta austriake DER STANDARD, që del në Vjenë komenton, se Musharafi ka detyrime:


"Kreu i shtetit duhet të dalë nga vetja për të bashkëpunuar me forcat pro-demokratike, në mënyrë që të mbahet në unitet kombi pas shokut mbi vrasjen e Butos. Musharafi dhe gjeneralët e tij duhet të shkëputen prej islamistëve, nëse duan të fitojnë besimin e Perëndimit. A është Pervez Musharaf në gjendje ta bëjë këtë? Evropa dhe SHBA nuk kanë ndërkohë një partner të besueshëm në Pakistan, vendi kyç ky në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Ky është një konstatim qetësues edhe për udhëheqjen në Islamabad. Deklarata e qeverisë, se El Kaida me vrasjen e Butos donte të destabilizonte Pakistanin, nxjerr në pah nevojën urgjente për korrigjimin e kursit."


Londinezja THE TIMES i bën thirrje Pakistanit të vazhdojë kursin e demokracisë pas vrasjes së Butos:


"Nuk mund të ketë një Pakistan modern pa demokraci. Pas një shtyrjeje të shkurtër zgjedhjet duhet të zhvillohen. Ushtrisë i duhet vetëm të dalë nga kazermat për t´u garantuar njerëzve siguri të mjaftueshme, që ata të votojnë. Vrasja e Butos ndodhi për të shkatërruar të drejtën e Pakistanit për zgjedhje të lira. Për të nderuar Buton Pakistani duhet të tregojë, se demokracia gjithmonë do të fitojë kundrejt ekstremizmit vrasës."