1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Palët në Darfur nuk bien dakord

1 Maj 2006

Qeveria sudaneze aprovoi të djelën (30.04) marrëveshjen e paqes të propozuar për zgjidhjen e krizës në rajonin e Darfurit. Por rebelët nuk kanë pranuar. Drejtuesit e tyre ankohen, se projekti i paraqitur nga ndërmjetësuesit është i paekuilibruar dhe lë pas dore çështjet e sigurisë.

https://p.dw.com/p/ArLc
Gra refugjate në Darfur
Gra refugjate në DarfurFotografi: AP

Nën presionin ndërkombëtar Unioni Afrikan ka shtyrë afatin e bisedimeve të paqes edhe për dy ditë, në mënyrë që palët të kenë kohë për të nënshkruar marrëveshjen e paqes. Pala qeveritare e ka pranuar këtë marrëveshje. Ndonëse rebelët nuk i janë përgjigjur thirrjes për nënshkrimin e marrëveshjes, sipas ndërmjetësuesit të Unionit Afrikan, Salim Ahmed Salim ka shpresa për arritjen në marrëveshje:

"Lëvizja e rebelëve ka ende disa vështirësi, por ne si palë ndërmjetësuese besojmë, se jemi fare pranë marrëveshjes."

Pranimi i marrëveshjes së paqes nga qeveria sudaneze, konsiderohet si një ngjarje me rëndësi, thekson më tej Salim Ahmed: "pasi qeveria detyrohet që të marrë masa për sigurinë. Nëse kjo marrëveshje vihet vërtetë në zbatim ky do të jetë një lehtësim i madh për popullsinë."

Qysh prej javësh organizatat e ndihmës, grupet e të drejtave të njeriut dhe OKB-ja kanë dhënë alarmin. Numri i fëmijëve të paushqyer në rajonin e Darfurit është rritur qysh nga janari me 20 për qind. Njëkohësisht UNICEF-i nuk ka marrë ende as një të pestën e ndihmave të premtuara nga bashkësia ndërkombëtare.

Qysh prej vitesh milicët me prejardhje arabe, të së ashtuquajturës ushtria kalorsiake e Janjavidit të mbështetur nga trupat qeveritare luftojnë ndaj grupeve rebele në provincën Darfur. Në vitin 2004 u arrit një marrëveshje për armëpushim dhe Unioni Afrikan dislokoi 7.000 ushtarë për mbikqyrjen e saj. Që nga ajo kohë si rebelët edhe milicët akuzojnë reciprokisht njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes.

Për të disatën herë nga 29.04 - 30.04 në Nigeri u zhvilluan bisedime mes qeverisë sudaneze dhe grupeve rebele për marrëveshjen e paqes. Dokumenti prej 80 faqesh është hartuar prej Unionit Afrikan, që vendosi edhe ultimatumin për nënshkrimin e saj.

Konflikti vazhdon prej tre vjetësh në këtë rajon, ku deri më sot kanë gjetur vdekjen së paku 200.000 njerëz dhe mëse 2 milionë kanë marrë arratinë.