1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pandemia Corona dhe një verë protestash

15 Tetor 2020

Në vendet e Evropës Juglindore dhe në SHBA njerëzit demonstrojnë për demokracinë dhe sundimin e ligjit. Në Gjermani kundërshtarët e "diktaturës Corona" duan që të kthehet perandoria.

https://p.dw.com/p/3jwf7
Deutschland Berlin | Coronavirus | Protest gegen Maßnahmen
Fotografi: Fabian Sommer/dpa/picture-alliance

Në shumë drejtime vjeshta është një bilanc i verës. Kjo vlen të thuhet jo vetëm për të vjelat e të korrat, me të cilat shumica e popullsisë nuk ka të bëjë më aspak prej kohësh. Vlen të thuhet edhe për shoqërinë. Politika e madhe në verën e vitit 2020 pati pushime ashtu si të vegjëlit në shkolla. Por shoqëritë evropiane nuk patën pushim në këtë verë të parë të Coronës. Sepse kjo ishte një verë protestash.

Më këmbëngulëse protestat janë në Bullgari – atje njerëzit që prej tre muajsh dalin në rrugë. Protestat u shkaktuan nga një seri skandalesh politike, të cilat për çdo vëzhgues politik gjerman duken ende groteske: Fillimisht një ish-ministër i drejtësisë shkoi me një varkë në një pjesë të bregdetit bullgar në Detin e Zi, që me ligj duhet të jetë e hapur për publikun. Por një grup bodigardësh pa sens humori e hodhën ish ministrin në det. Siç u zbulua, muskulozët punonin në emër të shtetit, por mbronin pronën private të një ish politikani.

Pastaj u shfaqën pamjet nga rezidenca e kryeministrit Bojko Borisov. Në to shiheshin një pistoletë dhe shishe me uiski në krevatin e kryeministrit, sirtarë plot me shufra ari dhe tufa parash me kartëmonedha 500 euroshe.

Akte të tjera të një tragjikomedie pasuan në javët në vazhdim. Në to shfaqej një prokuror i përgjithshëm duke kontrolluar (ilegalisht) zyrën e presidentit, pastaj regjistrime të bisedave telefonike, fillimisht të presidentit, pastaj përsëri të kryeministrit, plot sharje të mbrapshta. Dhe si rastësisht prokuroria e përgjithshme njoftoi se e gjithë lëvizja protestuese ishte blerë nga një oligark, që jeton jashtë vendit. Si dëshmi jepeshin telefonatat e përgjuara nga shërbimi sekret, që u botuan në faqen e internetit të prokurorit publik.

Protesta kundër politikës autoritare

Kjo listë me absurditete politike, që çuan në protesta të vazhdueshme masive, mund të vazhdojë. Për këtë arsye demonstruesit në Bullgari kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe të prokurorit të përgjithshëm, fundin e korrupsionit dhe një orientim të ri moral të politikës në vend. Por ata nuk janë të vetëm këtë verë.

Në Serbi pati demonstrata të vazhdueshme masive që pas shpërthimit të pandemisë së Coronës. Nga njëra anë, protestat drejtoheshin kundër kursit të paqartë të qeverisë serbe. Para zgjedhjeve parlamentare, qeveria u tall me COVID-19 dhe menjëherë pas tyre vendosi një mbyllje drastike.

Një amalgam shpërthyes

Por në thellësitë e protestave fle ndarja politike e vendit, e cila bëri që opozita të bojkotonte zgjedhjet parlamentare në qershor. Stili politik autoritar, tensionet e jashtme dhe të brendshme politike, plus Corona përbënin dhe përbëjnë në Serbi një përzierje shpërthyese, që vazhdon edhe pas verës.

Mali i Zi, republika e vogël në Adriatik, ka një gjendje të ngjashme. Që nga zgjedhjet në fund të gushtit pati vazhdimisht demonstrata dhe kundërdemonstrata. Presidenti Milo Gjukanoviç, i cili prej 30 vjetësh është herë kryeministër dhe herë kryetar shteti, për herë të parë që nga viti 1990 nuk ka më shumicën parlamentare. Mbështetësit dhe kundërshtarët dolën të protestonin në rrugë dhe papritur gjithçka është në lojë: lidhja me perëndimin, apo ndikimi serbo-rus, grindja me kishën, ligjet e kishës dhe korrupsioni. Këto janë pikat kryesore të mosmarrëveshjeve. Dhe jo pak për një popullsi prej as një gjysmë milioni.

Kundër racizmit

Dhe natyrisht janë edhe SHBA. Atje protestat masive kundër racizmit po lënë madje në hije pandeminë globale të koronës. Në mënyrë të përsëritur afroamerikanë të rinj humbën jetën nga operacionet e policisë. Pasuan demonstratat që nga Minneapolis në Cleveland, Nju Jork, Portland dhe Milwaukee deri në Louisville. Dhuna dhe kundërdhuna, vendosja e shtetrrethimit, rrëzimi i monumenteve dhe shpërbërja e njësive të tëra policore ishin pasojat. Eventet sportive u anuluan, jo nga Corona, por për shkak se lojtarët dhe zyrtarët u bashkuan me protestat.

Hendeqe të thella politike për çdo çështje politike, nga politika e jashtme te ajo ndaj klimës dhe shëndetit, trazira të dhunshme, racizëm. Protestat sillen rreth përkufizimit të asaj, që duhet të jetë Amerika. Dhe rreth mëkatit më të vjetër amerikan, racizmit. As infektimi i presidentit Trump me COVID-19 nuk mundi ta largonte vëmendjen nga fakti, se sa shumë zien në SHBA para zgjedhjeve kontroverse presidenciale në nëntor.

Konspiracionistë në shkallët e Reichstagut

Po ku qëndron Gjermania në verën e protestave? Lëvizja më e madhe protestuese në vitin 2020 janë "Kundërshtarët e Coronës". Në demonstratat midis Kolonës së Fitores dhe Portës së Brandenburgut, organizatorët numëruan një milion, por policia vetëm rreth 25.000 pjesëmarrës. Siç duket qytetarët e shqetësuar sinqerisht janë vetëm një pakicë në mesin e ezoterikëve, teoricienëve të konspiracionit, antisemitëve dhe ekstremistëve të djathtë. Kulmi arriti, kur më 29 gusht, më shumë se një mijë të vetëshpallur "rebelë të koronës" u turrën në shkallët e Bundestagut me flamujt zi bardh dhe kuq të Rajhut Gjerman.

Simbolet autoritare në shkallët e demokracisë parlamentare. Rajhu gjerman për një pjesë të madhe të protestuesve duket se është ilaçi kundër gjoja "diktaturës së koronës". Kësaj "diktature" më parë iu desh që të bënte lëshime në rrugë konstitucionale duke tërhequr ndalimin e demonstratave pas një vendimi gjyqësor. Për mbështetësit e kësaj lëvizjeje proteste është gjetur tashmë një term i ri politik: covidiotë.

Korrupsioni, autokracia dhe racizmi janë temat e protestave në Bullgari, Serbi, Mal të Zi dhe SHBA. Demokraci, sundimi i ligjit, liri dhe barazi janë kërkesat. Por në Gjermani reichsbürger, ekstremistë të djathtë, antisemitë, mbështetës të QAnon dhe mbështetës të tjerë të teorive të konspiracionit, të ngopur me huatë shtetërore dhe përfitimet e punës me kohë të shkurtuar, dalin në rrugë me flamuj të Rajhut kundër demokracisë.

Bota qëndron me kokë përmbys në vitin 2020. Pandemia e Coronës ka ndryshuar gjithçka dhe të gjithë, mbase përgjithmonë. Nuk ishte çudi që ky stres, kjo pasiguri dhe krizë ekonomike, do të çonin në zemërim politik dhe protesta. Por kush mund ta merrte me mend, që protestuesit në Gjermani, një nga vendet më me stabilitet në Evropë (mbase edhe në të gjithë botën), dhe jo demonstruesit në Ballkanin e shumëqortuar, dëshironin të fitonin patjetër medaljen në konspiracionizëm?

Vera e protestave në Bullgari, Serbi apo SHBA njeh shumë heronj, viktima, armiq imagjinarë dhe shpresë për një të ardhme më demokratike. Në Gjermani ajo njeh covidiotinë.