1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa dhe prognozat për ekonominë gjermane

25 Janar 2006

Dy janë temat kryesore të cilat komentohen prej gazetave të sotme gjermane. Enciklika e Papës dhe paraqitja e prognozave të ministrit të ekonomisë, për zhvillimin e Gjermanisë në dy vitet e ardhëshme.

https://p.dw.com/p/Arri
Fotografi: dpa zb

Lidhur me temën e parë, «Süddeutsche Zeitung» shkruan:

"Papa paraqet një fotografi të një kishe për të tjerët, siç fliste edhe Ditrih Banhëfer. Një kishë e cila nuk paralajmëron për kufijtë e përmirësimeve në barazinë globale, ndërkohë që përkundër nevojës nuk është as cinike ndaj zhvillimeve në botë. Një kishë e cila gjithmonë kundërshton kur dikush premton parajsën në tokë, pa marrë parasyshë nëse kjo është një parajsë socialiste apo kapitaliste".

Me këtë çështje merret sot edhe gazeta «Die Welt», por nga një këndëvështrim tjetër:

"Enciklika do t'i dëshprojë të gjithë ata të cilët shpresonin një dëshprim prej papës. Benedikti i XVI nuk paraqet një reaksionar, siç shumëkush do ta prezantojë. Ai nuk shquhet për sulme ndaj feministeve dhe nuk udhëheqë ndonjë fushatë kundër kondomeve. Ndërkohë që kur është fjala për raportin e kishës dhe të shtetit, nuk ka asnjë gjurmë të fundamentalizmit, i cili do ta nënshtrojë demokracinë. Jo, papa gjerman ka paraqitur një tekst jashtëzakonisht të gjatë, i cili katolikëve u jep një orinetim të qartë dhe i cili është i pranueshëm në masë të madhe edhe për protestantët dhe ateistët".

Ndërsa «Stuttgarter Zeitung» nxjerrë një krahasim interesant mes papës së tanishëm dhe paraardhësit të tij:

"Bie në sy se Benedikti i XVI me dashuri tematizon terminologjinë e kristianizmit. Kjo të çon në përfundim se papa synon përforcimin e besimit në radhët e vet kishës. Ndërkohë që paraardhësi i tij ishte më shumë i orientuar në dërgimin e mesazheve të gëzueshme në botë. Është e diskutueshme në se kursi i papës së tanishëm ofron më shumë vëmendje".

Ndërrojmë temë dhe kalojmë tek prognozat për zhvillimin ekonomik të Gjermanisë.

"Der Tagesspiegel" e Berlinit i jep raportit të ministrit të ekonomisë Mihael Glos tone negative:

"Koalicioni duket se nuk do të shfrytëzojë shansat e mëdha të paraqitura gjatë viteve të fundit, të cilat do të ndikonin edhe në zvoglimin e papunësisë. Fajtor për këtë janë prioritetet e gabuara të qeverisë kuq e zi. Me synim ruajtjen e paqës në koalicion, partitë në pushtet janë të gatëshme që të kërkojnë më shumë para prej qytetarëve, e jo që ekonomisë t'i lejojnë ta ndjekë rrugën e vet. Viti 2007 mund të sjellë tek një situatë absurde, ku Gjermania nuk do të kalonte cenzusin e lejuar të BE, ndërkohë që rritja ekonomike do të ishte më e vogël se një përqind. Një politikë e përgjegjëshme vepron ndryshe".

Komentatori i gazetë "Financial Times", botimi i Gjermanisë, mendon ndryshe:

"Mund ta paramendosh: në Gjermani ka një rritje ekonomike, por askush nuk po e vë re. Të paktën kështu duket tek qarqet qeveritare. Ministri i ekonomisë paraqet prognoza të zbehta dhe nuk flet për ardhmërinë. Ky pesimizëm është poaq bindës sa edhe optimizmi i qeverisë së kaluar. Qeveria e re do të duhej të fliste me një bindje shumë më të thellë për shansat dhe për ardhmërinë", komenton "Financial Times".

Ndërsa gazeta «General-Anzeiger» e Bonit shkruan:

"Shumëkush fërkon sytë kur shikon sondazhet e fundit të sipërmarrjeve dhe prognozat për zhvillimin ekonomik të vendit. Befasitë e skeptikëve janë edhe më të mëdha kur shihet se kursi qeverisë së tanishme paraqet më shumë një kontinuitet se sa ndryshim. Ndërkohë që edhe ministri për ekonomi, Mihael Glos prognozat i paraqet me një vëmendje shumë të madhe. Sikur gjërat të shkonin pak më mirë, zhvillimi ekonomik do të ishte madje deri në dy përqind. Pra sikur, do të ishte e mundur, do të bëhej do të mund të ishte etj. Çmimet e derivateve të naftës dhe ekonomia botërore edhe më tej mbeten thembra e akilit për ekonominë gjermane. Prognozat pra janë të paqarta, të paktën për ardhmërinë".

Kështu pohon «General-Anzeiger» ndërsa "Tageszeitung" komentonin e nisë me dy lajme:

"Lajmi i mirë: më në fund po shkojmë përpara. Ndërsa i keqi: rritja ekonomike e vitit 2006 do të pasohet me stanjacion në vitin 2007. Unioni thekson meritat e kancelares Angela Merkel. Është e vërtetë që gjendja në popull është më optimiste prej ndryshimit të qeverisë. Mirëpo pikërisht faktori Merkel është ai i cili me rritjen e tatimeve në vlerën e prodhimeve, do të mund të cënonte rritjen ekonomike në vitin 2007."