1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

• Papunësia e lartë ul në tryezën e bisedimeve pozitën dhe opozitën në Gjermani • BE-ja nuk i jep dritë të gjelbër Kroacisë • Taktika oportuniste e Berluskonit

18 Mars 2005
https://p.dw.com/p/ArwI
Pengesa në garën kroate për anëtarësim në BE
Pengesa në garën kroate për anëtarësim në BEFotografi: AP

Temë qendrore e shtypit të sotëm gjerman është takimi i nivelit të lartë mes pozitës dhe opozitës në Gjermani për të gjetur një rrugëdalje prej krizës së papunësisë në vend.

Në lidhje me këtë takim në gazetën "Frankfurter Rundschau" lexojmë:

"Pas këtij takimi do të ishte mirë që edhe në diskutimet publike të dominonte më tepër realizëm. Qeveria dhe opozita nuk e anashkalojnë dot bashkëpunimin në fusha të tilla si federalizmi apo taksat e ndërmarrjeve. Në demokraci dhe pluralizimin e partive bëjnë pjesë edhe bashkëegzistenca e konsensit dhe e grindjeve. Keq bëhet puna kur interesat partiake marrin rëndësi të dorës së parë."

Po për të njëjtën temë në gazetën "Kölner Stadtanzeiger" lexojmë:

"Fjalëve të mëdha u ka kaluar koha. Fjalët e Angela Merkelit për "shpirtin e lirisë" të cilat nuk i dëgjoi në fjalimin e kancelarit përpara Bundestagut, apo përbetimet e Shrëderit për solidaritetin shoqëror janë xhevahire retorike. Në sytë e njerëzve ato e kanë humbur shkëlqimin dhe atyre nuk u interesojnë fare fjalime të tilla, sepse kanë nevojë që politika t'u servirë ushqime që mund t'i kapërdijnë, pra perspektivë për vende pune. Takimi i nivelit të lartë nuk arriti t'i shpërndante dyshimet e qytetarëve ndaj aftësisë së politikës gjermane për të vepruar dhe në këtë aspekt kjo s'ishte një ditë e mirë për Gjermaninë."

Gazeta Leipziger Volkszeitung tërheq vëmendjen se dështimi i takimit të nivelit të lartë mes Schrëderit dhe përfaqësuesve të opozitës do të ishte:"Një deklaratë kapitullimi kundrejt miliona njerëzve që përpiqen të dëshpëruar për të gjetur një vend pune. Njëkohësisht ai do të ishte një sinjal me pasoja të tmerrshme për bosët e ekonomisë të cilët ende vazhdojnë ta vlerësojnë Gjermaninë si vend industrial por që duan ta çlirojnë atë prej zinxhirëve burokratikë dhe peshës së taksave që të marrin frymën."

Mediat gjermane trajtojnë edhe vendimin e BE-së për të mos filluar një herë për një herë bisedimet për anëtarësim me Kroacinë për shkak të bashkëpunimit të pamjaftueshëm me tribunalin e Hagës.

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" mban qëndrim kritik ndaj vendimit të BE-së:

"Duhet të qëndrojmë të fortë dhe të mos i shkelim parimet, thonë anëtarët e BE-së të munduar. Si do t'ja bëjmë në bisedimet e mëvonshme me Bosnjen dhe Hercegovinën, Serbinë apo Turqinë, në qoftë se e lëmë të na shpëtojë nga duart një kriminel lufte në Kroaci? Kabineti i Sanaderit ndoqi që në fillim një kurs drejt BE-së dhe u kujdes që bankat e të akuzuarve në Hagë të ulen tetë persona të akuzuar për krime lufte nga Kroacia. Po BE-ja e var tani gjithçka nga rasti i Gotovinës."

Gazeta "Stuttgarter Zeitung" ka mirëkuptim për qëndrimin e BE-së:

"Më në fund BE-ja e tërhoqi një herë frenin, dhe në këtë rast prej këtij veprimi u prek Kroacia. Aty njerëzit janë të pakënaqur, sepse qëllimi ishte që të anëtarësoheshin në BE në vitin 2007 bashkë me Rumaninë dhe me Bullgarinë. Tani kjo gjë duket larg, sepse me vendimin e saj për t'i ndërprerë bisedimet me Kroacinë Bashkimi Europian në të vërtetë ka ndërmarrë një kthesë në kursin e tij të deritanishëm që synonte të ndihmonte kandidatët për antëtarësim në BE

për t`u bërë automatikisht anëtarë të tij.

Kalojmë në një temë tjetër, vizitën e MPJ amerikane Condoleezza Rice në Afganistan. Pa i fshehur tonet ironike komentatori i "Berliner Zeitung" shkruan:

"Nën mbikqyrjen e trupave ndërkombëtare Afganistani e trefishoi në vitin 2004 prodhimin e opiumit. Dy të tretat e prodhimit bruto të vendit sigurohen prej tregëtisë së drogës. As që mund të përfytyrohet që stabilizimi dhe demokratizimi mund të arrihen me një rrugë të tillë. Po citojmë Condoleezza Rice, e cila tha se zhvillimi i Afganistanit është "frymëzim për popujt e të gjithë botës". Në këtë rast vetëm mund të shpresojmë se ministrija e jashtme amerikane nuk ka të drejtë."

Në fund citojmë nga analiza e gazetës Hamburger Abendblatt rreth deklaratës së kryeministrit italian Silvio Berluskoni për të tërhequr nga Iraku ushtarët italianë:

"Berluskoni e di se rreth tre të katërtat e italianëve nuk e mbështesin angazhimin italian në Irak krah për krah SHBA-ve. Miku i Bushit duhet t`i ketë dërguar trupat italiane në Mesopotami nisur prej bindjeve të veta politike. Tani, në prag të zgjedhjeve rajonale po i tërheq ato nisur prej oportunizmit. Për italianët kjo është një gjë e mirë sepse të paktën ushtarët nuk rrezikojnë jetën e tyre. Për irakianët gjendje do të bëhet edhe më e vështirë sepse ekstremistët do t'i vlerësojnë deklaratat e Berluskonit si një sukses të taktikës së tyre terroriste dhe vrasëse dhe do t`i zgjerojnë ato.