1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paqyra e shtypit evropian

Günter Birkenstock11 Mars 2006

Krijimi i një komisioni hetimor mbi rolin e shërbimit sekret gjerman BND në Irak ishte gjatë javës së kaluar një ndër temat kryesore të gazetave ervopiane. Temë tjetër e rëndësishme ishte debati mes Perëndimit dhe Iranit, mbi programin bërthamor.

https://p.dw.com/p/Arqy

Gazeta Der STANDARD nga Viena shkruan nën titullin "Mos bëj me hile":

"Vështrimi qortues nuk mjafton si detyrë e këtij këshilli. Ne duhet t´i gjejmë sa më parë një përgjigje pyetjes se si mund të kotrollohet më mirë aktiviteti i shërbimit sekret të një shteti në të ardhmen. Puna e këtij këshilli duhet të jetë nxitja e debatit shoqëror dhe politik, se deri ku mund të shkojë aparati kontrollues i një shteti për të luftuar terrorizmin? Mos vallë politikanët duhet të heshtin, madje edhe pas një pengmarrjeje tragjike, vetëm për të mos i mërzitur SHBA-s me qëndrimet e tyre? A u lejohet nëpunësve gjermanë që të marrin në pyetje të burgosur në Guantanamo, ndonëse kancelarja kërkon mbylljen e këtij kampi?"

Gazeta NEUE ZÜRCHER ZEITUNG komenton:

"Komisioni hetimor, i cili është tani pothuajse duke u krijuar, ngjan me një ritual të çuditshëm për një komb, që do kish pranuar me dëshirë premtimet e Schröderit, se Gjermania është një superfuqi për paqe dhe me standarte të larta morale. Populli i mbylli sytë në mënyrë kolektive kur SHBA-s ngritën në Gjermani spitalin më të madh ushtarak në Evropë, dhe kur përdorën gjatë gjithë kohës dhjetëra aeroporte ushtarake dhe pika furnizimi, institucione këto që mund të funksionojnë vetëm me ndihmën e qeverisë gjermane."

Për gazetën INTERNATIONAL HERALD TRIBUNE, krijimi i një komisioni hetimor ka një kuptim të madh politik dhe shumë fuqi:

"Përse reagohet në këtë mënyrë gjithandej? Ajo që po ndodh nën emrin "Afera e BND-së" është shumë më e rëndë se ndonjë skandal tjetër politik. Këtu kemi të bëjmë me një veprim, i cili bie në kundërshtim me identitetin e periudhës pasnaziste dhe pas luftës së Dytë Botërore që e karakterizon popullin gjerman. Madje rezultatet që priten pas punimeve të këtij komisioni hetimor, do ta tronditin edhe më thellë situatën politike në Gjermani."

Ndërkohë gazeta spanjolle EL PAIS nga Madridi shkruan mbi debatin që është krijuar ndaj porgramit bërthamor të Iranit:

"Paraqitja e kësaj çështjeje përpara Këshillit Botëror të Sigurimit do të thotë ashpërsimin e mëtejshëm të konfliktit mes Perëndimit dhe regjimit të Ajatollës në Iran. Diplomacia nuk arriti asnjë hap pozitiv gjatë tri viteve të fundit. Ndërkohë në Këshillin e Sigurimit do të vështirësohet gjithashtu puna, sepse shumë shtete janë të mendimit se Irani trajtohet më keq se Pakistani, Izraeli apo India."


Gazeta TAGES-ANZEIGER nga Zyrihu kërkon nga Evropa më shumë pavarësi dhe strategji diplomatike:

"Evropianët e kanë tani në dorë zgjidhjen paqësore të konfliktit me Iranin. Përfaqësuesit e tyre mund ta nxjerin vetë karrocën nga balta, por vetëm në rast se munden të shkëputen nga amerikanët. Më pas nuk do të ishte e vështirë të gjindej një kompromis mbi kërkesën e iranianëve, për ta përdorur uranin në vend vetëm për arsye shkencore. Kështu do të ishte më mirë sikur Irani ta përdorte uranin përpara syve të inspektorëve të Zyrës Ndërkombëtare për Energjinë Berthamore, sesa të bënte çdo veprim fshehurazi."


Gazeta javore ruse MOSKOSKIJE NOWOSTI tregon mirëkuptim me qëndrimin e presidentit amerikan gjatë debatit bërthamor:

"Nuk duhet ta komentojmë vizitën e fundit të presidentit amerikan Bush në Nju Delhi, gjatë së cilës Bush e pranoi Indinë si superfuqi bërthamore, si deklaratë se India mundet dhe Irani jo. Kjo vizitë ishte një sinjal subtil për Teheranin, se një shtet që tregohet i heshtur dhe i përgjegjshëm në arenën politike ndërkombëtare, mund të llogarisë me mbështetjen e SHBA-s, edhe pse kjo mbështetje mund të rrezikonte zmadhimin e grupit të shteteve që konsiderohen si superfuqitë botërore bërthamore."

Dhe së fundi në gazetën austriake KLEINE ZEITUNG lexojmë:

"Ndërkohë që BE-ja qëndron sërish përpara një dileme, amerikanët kërcënojnë hapur me një sulm ushtarak. Por një sulm i tillë është gjëja e fundit që i duhet botës sonë tani. Këtu nevojiten sanksione konkrete. Jo kundër Iranit, jo kundër popullit iranian por kundër Ahmadinexhadit dhe shokëve të tij, të cilët tallen me Holokaustin, kërkojnë shkatërrimin e Izraelit dhe nuk heqin dorë aspak nga programi i tyre bërthamor."