1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Para në këmbim të refugjatëve? Konferenca për Afganistanin

4 Tetor 2016

Të martën (04.10) fillon konferenca e donatorëve për Afganistanin në Bruksel, temë do të jetë edhe kthimi i refugjatëve. Ndërkohë rebelët radikalë islamistë shtojnë ofensivën për të fituar më shumë territor.

https://p.dw.com/p/2Qq0r
Afghanistan Taliban-Angriff in Kundus
Fotografi: Imago/Xinhua

Më shumë miliarda për vendin e shkatërruar nga lufta, por edhe ripranim të refugjatëve afganë nga Europa - në Bruksel fillon të martën (04-05.10.) konferenca ndërkombëtare e donatorëve për Afganistanin, e organizuar nga Bashkimi Europian dhe qeveria afgane, ku marrin pjesë 70 vende e 20 organizata ndërkombëtare. Në konferencë marrin pjesë edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon e presidenti afgan, Ashraf Ghani. Qeveria afgane ka bërë të ditur, se ndihma financiare është "vendimtare", për të pasur "më shumë stabilitet e me gjasa edhe paqe". Në këtë konferencë krahas ndihmës financiare e të ardhmen e Afganistanit diskutohet edhe për refugjatët që vijnë nga ky vend në Europë. Afganët përbëjnë grupin e dytë më të madh të azilkërkuesve në Europë. Shumica e kanë bërë këtë kërkesë në Gjermani (32.605 vetë).

Afghanistan Präsident Ashraf Ghani Unterzeichnung Friedensabkommen mit Rebellen
Presidenti Ashraf Ghani nënshkruan marrëveshjen me rebelët e Hisb-el Islamit, grupit më të fortë pas talebanëveFotografi: picture-alliance/AP Photo/R. Gul

BE ndërkohë i ka intensifikuar përpjekjet me Afganistanin në mënyrë që ky vend të ripranojë azilkërkuesit e refuzuar. Të dielën u nënshkrua një marrëveshje politike që përcakton hapat kundër "një emigracioni ilegal", tha një zëdhënëse në Bruksel. Por zëdhënësja e Amnesty International, Said Horia Mosadiq u shpreh në Bruksel se ndihma financiare për këtë vend, nuk duhet të lidhet me detyrimin për ripranimin e refugjatëve. Vendet e pasura nuk mund të shpëtojnë nga detyrimet legale për mbrojtjen e refugjatëve duke blerë marrëveshje.

Talebanët kundërpërgjigjen me ofensivë

Nga ana e tyre talebanët e dënojnë konferencën, në disa deklarata ata janë shprehur se fondet nuk janë për popullin afgan, por qeveritarët e korruptuar në Kabul. Jo pa qëllim një ditë para fillimit të konferencës në Bruksel, talebanët filluan në mesnatën e së hënës një ofensivë që synonte pushtimin e qytetit Kundus nga katër anë. Policia dhe forcat e ushtrisë u kundërpërgjigjën me të gjitha forcat. Një zëdhënës i talebanëve, Sabidulla Mudshahid e konfirmoi sulmin në twitter duke përmendur edhe vrasjen e shumë ushtarëve, por të dhënat nuk verifikohen nga media të tjera. Qeveria flet për pozicionim të talebanëve në periferi të Kundusit, ndërkohë qytetarë bëjnë fjalë për shpërthime në qendër të qytetit. Vetëm pak ditë më parë, presidenti Ashraf Ghani nënshkruan marrëveshjen me rebelët e Hisb-el Islamit, grupit më të fortë pas talebanëve

Afghanistan Angriff der Taliban in Kundus
Fotografi: Getty Images/AFP/B.-K. Safi

Talebanët janë duke marshuar edhe në jug, në provincën Helmand. Të hënën qarku i Navas ra në duart e islamistëve. Ka muaj që ata luftojnë për të fituar më shumë territor në provincën strategjike, Helmand. Njësitë ndërkombëtare prezente në Afganistan kanë bërë të ditur, se janë gati të ndihmojnë ushtarët afganë. Ende nuk dihet nëse ka pasur aksione të forcave speciale amerikane. Ushtarët e Bundeswehrit i këshillojnë kolegët afganë, por nuk duhet të ndërhyjnë në luftime.