1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260809 Israel Soldaten-Diplomaten

26 Gusht 2009

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka nisur një tur vizitash në Evropë. Këtë të mërkurë ai pritet në Berlin, ndërsa stacioni i parë ishte Londra. Në Izrael janë ndezur debatet për profilet e diplomatëve.

https://p.dw.com/p/JIcP
Ushtarë izraelitë në Rripin e Gazës.
Ministri i jashtëm izraelit Avigdor Lieberman, kërkon që në shërbimet diplomatike të merren vetëm ata persona që kanë kryer shërbimin ushtarak ose atë civil.Fotografi: AP

Në prag të këtyre vizitave, ministri i Jashtëm Avigdor Lieberman, ka hapur debate të shumta në Izrael me kërkesën për profilet e diplomatëve të ardhshëm. Sipas tij, në diplomaci mund të futen vetëm ata persona që kanë kryer shërbimin ushtarak apo atë civil, çka do të thotë se përjashtohen të gjithë izraelitët me prejardhje arabe apo besimtarët hebrejë, që kanë refuzuar shërbimin ushtarak.

Kolegët e tij në kabinetin qeveritar kanë kërkuar nga kryeministri Netanjahu që t'i tërheqë vërejtjen ministrit të jashtëm, ndërsa ish - bashkëpunëtorët që ndodhen tani në pension, kanë bërë publike qëndrimet e tyre përmes mediave. Ilan Li'el, ish - ambasador i Izraelit në Afrikën e Jugut e më vonë edhe drejtor i përgjithshëm në ministrinë e Jashtme, u shpreh me fjalë jo diplomatike.„Shteti izraelit prej 7 milionë banorësh ka zgjedhur pikërisht atë, më të papërshtatshmin nga të shtatë milionët është për të qenë ministër i jashtëm dhe për të udhëhequr sistemin tonë diplomatik."

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe ministri i Jashtëm Avigdor Lieberman.
Kryeministri Netanjahu e ka nxjerrë nga loja ministrin e jashtëm dhe të gjitha aksionet diplomatike i ka marrë në duart e veta.Fotografi: AP/DPA/DW-Grafik

Po çfarë ka shkaktuar një shqetësim kaq të thellë të ish - punonjësve dhe punonjësve të tanishëm të ministrisë? Avigdor Lieberman, themelues dhe kryetar i partisë ultranacionaliste izraelite Beiteinu, kërkoi në fillim ta javës që në shërbimet diplomatike të merren vetëm ata persona që kanë kryer shërbimin ushtarak ose shërbimin civil, në vend të shërbimit ushtarak. Gjithë të tjerët, si arabët ashtu edhe ultra-ortodoksët hebrejë, që nuk kanë kryer këto shërbime, nuk mund të kandidojnë për poste në diplomaci. Ministri i jashtëm Lieberman: „Sipas mendimit tim, një shërbim kaq të rëndësishëm si ai diplomatik dhe prezantativ i Izraelit në botën e jashtme, mund ta kryejnë vetëm njerëzit që identifikohen me vlerat themelore të shtetit, siç janë shërbimi ushtarak apo civil. Unë nuk do të heq dorë nga këto kushte.“

Për vërejtjen se ky qëndrim është në kundërshtim me ligjin, ministri tha se ligji duhet të ndryshohet në parlament. Kjo do të ndodhë brenda pak ditësh, dhe diskutimet e tyre i kanë paralajmëruar shumë politikanë të Partisë Punëtore. Kjo është e pashembullt, deklaroi ish-ministrja e arsimit, Tamir, duke shtuar se "një prej anëtarëve kryesorë të kabinetit qeveritar ka paraqitur një axhentë raciste dhe diskriminuese ndaj grupeve të shoqërisë izraelite".

Kryeministri britanik Gordon Brown, duke folur me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, 25 gusht 2009.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka nisur një tur vizitash në Evropë. Këtë të mërkurë ai pritet në Berlin, ndërsa stacioni i parë ishte Londra.Fotografi: AP

Edhe ish - kolegu i saj, Jossi Beilin, i cili në vitet 80-ta dhe 90-ta ka qenë në pozicionet udhëheqëse në ministrinë e jashtme, është shumë i zemëruar. Duke shpjeguar se kundër Libermanit kanë nisur hetimet policore, ai deklaroi në radio: „Liebermanni po ndjek vërtet një politikë sipas motos "pas meje le të përmbyset". Ai e di se i ka ditët e numëruara në ministrinë e Jashtme dhe se brenda disa javësh apo muajsh, do të futet në burg. Prandaj po përpiqet të ndezë zjarrin gjithandej ku është e mundur, e ky është një prej shembujve."

Komentatorët politikë në televizionin izraelit janë të një mendimi tjetër: Kryeministri Netanjahu e ka nxjerrë nga loja ministrin e jashtëm dhe të gjitha aksionet diplomatike i ka marrë në duart e veta, si negociatat me amerikanët ashtu edhe me evropianët.

Autor : Clemens Verenkotte / Bahri Cani

Redaktoi : Aida Cama