Parisi lëshon pe ndaj protestuesve

Pas incidenteve të rënda në fundjavën e kaluar, presidenti francez Macron shpalli masa të reja. Ndër masat e para duket se do të jetë ndalimi i rritjes së çmimit të karburanteve. Por shumë çështje mbeten të hapura.

Qeveria franceze në konfliktin me "jelek verdhët" - lëvizjen e protestave në Francë - ka vendosur që të mos e rrisë nga 1 janari çmimin e karburanteve sikurse ishte parashikuar më parë. Nga qarqet qeveritare thuhet se kryeministri Edouard Philippe ka kërkuar "ngrirjen" e këtij vendimi për të paktën disa muaj. Kryeministri ka parashikuar edhe masa të tjera, me qëllim uljen e tensioneve dhe konflikteve të fundit në Francë.

Kryeministri ka parashikuar të mbajë edhe një fjalim në televizion, ku do t'u drejtohet protestuesve dhe do të bëjë publike masat që ka parashikuar për çtensionimin e gjendjes.

Frankreich Protest Vandalismus Arc de Triomphe

Pas një takimi krize të presidentit Emmanuel Macron me kryeministrin Philippe dhe shumë ministra në Pallatin Elysée, nga qarqet qeveritare është thënë se kryeministri ka paralajmëruar masa "urgjente" për daljen nga kjo krizë. Në këtë mënyrë duhet të mundësohet edhe një fazë tre mujore për negociata me përfaqësuesit e lëvizjes së protestave. Ministri i Kulturës Franck Riester tha, se kryeministri Philippe ka dërguar një "sinjal shumë të fuqishëm".

Një përfaqësues i qeverisë tha se Philippe të martën (04.12) do të takohet me deputetë të partisë së Macronit, La République en Marche (LREM, Republika në Lëvizje), ku do të paraqesë qëndrimet e tij për zhvillimet e fundit.

Më parë përfaqësuesit e protestave e anuluan një takim të parashikuar me Philippe. Dy përfaqësues të "jelek verdhëve" thanë se takimi është anuluar për shkaqe sigurie, sepse ata janë cënuar nga përfaqësuesit e linjës së ngurtë në protesta, të cilët nuk duan të flasin fare me qeverinë. Delegacioni i aktivistëve, që donte t'i priste kryeministri Philippe nuk do që ata të njihen nga protestuesit, nga frika e sulmeve fizike.

Protestat kundër çmimeve të larta të karburanteve, tatimeve të larta dhe rritjes së kostove të jetesës, po zhvillohen për më shumë se dy javë e gjysmë. Në fundjavë demonstruesit patën përleshje të ashpra fizike me forcat e policisë në Paris. Ata dogjën goma makinash dhe makina, palçkitën dyqane dhe dëmtuan objektet përreth. Të paktën 400 vetë u arrestuan - një nivel dhune, që nuk është parë në Paris në dekadat e kaluara. Mediat franceze flasin për krizën më të thellë që prej ardhjes së Macronit në pushtet.

bc/stu/jj (afp, rtr)

Më shumë për këtë temë

Evropa | 12.12.2018

Emmanuel Macron në hall

Evropa | 04.12.2018

Koment: Vive l’Anarchie!