1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti Evropian miraton fillimin e bisedimeve me Turqinë

Bernd Riegert28 Shtator 2005

Pak ditë para fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimi Europian, përgatitjet për to nuk kanë përfunduar ende. Në lidhje me procedurën e bisedimeve me Turqinë diskutoi edhe Parlamenti Europian në Strasburg.

https://p.dw.com/p/ArDD

Me shumicë të madhe votash Parlamenti Europian rekomandoi sërish dokumentin përfundimtar për hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Turqisë. Natyrisht që pati edhe shumë zëra kritikë. Megjithë këtë dokument, ratifikimi i bashkimit doganor të Turqisë me vendet e reja anëtare të Bashkimit Europian, përfshirë dhe Qipron u shty për tu diskutuar për më vonë,.
Kërkesën për këtë e bëri Grupi parlamentar i partive konservatore. Turqia e ka nënshkruar dokumentin e bashkimit doganor me BE-në në muajin korrik, por përmes një deklarate individuale, nuk i lejon anijet dhe avionët qipriotë që të shkelin territorin e saj. Ministri britanik për çështjet e Europës Douglas Alexander, deklaroi në emër të BE-së: "Turqia duhet ta zbatojë bashkimin doganor kundrejt të gjitha shteteve anëtare. Bashkimi Evropian do ta shqyrtojë këtë gjë gjatë vitit 2006 me shumë shumë vëmendje."

Praktikisht fillimi i bisedimeve mund të bëhet vetëm pas hyrjes në fuqi dhe zbatimit të bashkimit doganor, megjithatë për shpalljen formale të fillimit të bisedimeve mjafton edhe fakti që: "Turqia tashmë i ka plotësuar kushtet e vendosura prej Bashkimit Europian gjatë takimit të nivelit të lartë të BE-së, të dhjetorit të kaluar." - tha Alexander.

Në emër të presidencës së radhës së BE-së, Daglas Alexander bëri të qartë se prej Turqisë kërkohet që të njohë sa më shpejt Qipron. Njohja e të gjitha shteteve anëtare është një element i domosdoshëm në procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE.

Komisari i BE-së për zgjerimin, Olli Rehn lavdëroi gjatë takimit përparimet e mëdha që ka bërë qeveria turke për demokratizimin e vendit. Megjithatë, theksoi ai, ende mbetet shumë për të bërë në drejtim të lirisë së ushtrimit të fesë, mbrojtjes së minoriteteve dhe të drejtave te njeriut. "Në sektorin e mbrojtjes së lirisë së shprehjes së mendimit mendimit, ka pasur disa procese gjyqësore kontradiktore ndaj disa gazëtarëve të cilët madje në disa raste edhe janë dënuar sepse kanë mbrojtur mendime të caktuara."- tha Rehn.
Kryetari i grupit më të madh të Parlamentit Europian, Përfaqësuesi i konservatorëve Hans Gerd Pëtering, kërkoi që bisedimet të cilat do të vazhdojnë 10 deri 15 vjet të zhvillohen në mënyrë të tillë që përfundimi të lihet i hapur. Kjo do të thotë që në fund të bisedimeve Turqisë të mund t'i ofrohet edhe vetëm statusi i partnerit të privilegjuar.
Kryetari i grupit parlamentar të socialistëve në Parlamentin Europian, Martin Schulz, tha se ka ardhur koha që të mbahet premtimi 40-vjeçar që i bëhet Turqisë për anëtarësim në BE.

Deputeti i Partisë Demokristiane gjermane Elmar Brock, Kryetar i Komisionit të Parlamentit për marrëdhëniet me jashtë u shpreh se bisedimet me Turqinë nuk do të jenë të lehta për shkak se Turqia, ndryshe nga vendet e tjera kandidate, nxjerr vazhdimisht pengesa, sidomos në lidhje me çështjen e Qipros.
"Ne duhet ta bëjmë të qartë, se është Turqia që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, dhe jo ne që po i lutemi Turqisë që të anëtarësohet. Ndonjëherë më krijohet përshtypja se kjo çështje është duke u kuptuar anasjelltas", tha Brock.