1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti Evropian synon një politikë të përbashkët për refugjatët

Peter Heibruner27 Shtator 2006

Parlamenti Evropian dhe Komisioni i BE-së debatuan të mërkurën (27.09) në Strazburg mbi politikën për refugjatët dhe luftën e përbashkët kundër terrorizmit në Evropë. Në politikën për refugjatët në radhë të parë synohet të ndalet vala e refugjatëve në brigjet e Mesdheut dhe në ishujt Kanare.

https://p.dw.com/p/ArA5
Refugjatë që zbarkojnë në ishujt Kanare
Refugjatë që zbarkojnë në ishujt KanareFotografi: AP

Një unanimitet i rrallë u konstatua të mërkurën në Parlamentin Evropian në Strazburg. Në çështjen e refugjatëve eurodeputetët, Komisioni i Brukselit dhe kryesia finlandeze e BE-së janë të një mendimi. Motoja e tyre është: më shumë Evropë në vend të copëzimit. Komisioneri i BE-së për drejtësinë Franko Fratini:
"Ta them krejt hapur: ne s´duhet ta pranojmë, që shoqëria prej kohësh është shumë më përpara se ne me strategjitë tona politike."

Me fjalë të ngjashme u përpoq të bindë për strategjinë e tij edhe Komisioneri italian i Drejtësisë në takimin e javës së kaluar me ministrat e drejtësisë dhe të brendshëm të vendeve të BE-së, por pa sukses. Gjermanët, por edhe francezët insistojnë, që vazhdojnë të veprojnë me përgjegjësinë e vet për politikën e emigracionit. Thënë shkurt: Evropa duhet të kujdeset për kufij të sigurtë me synimin që ta pengojë valën e refugjatëve.

Edhe për migracionin legal vendet antare duan të vazhdojnë të kujdesen vet. Argumenti i tyre është: se nevojat e tregut të punës janë të ndryshme në vende të ndryshme. Shefi i grupit paralmentar të socialdemokratëve evropianë, Martin Shulc, e konsideron të gabuar veprimin e mëvetsishëm: "Vala e migracionit, që përshkruajmë ne këtu, në brigjet jugore të Evropës nuk mund të zgjidhet vetëm dhe në mënyrë restriktive. Për këtë nevojitet një qëndrim i kombinuar mes luftës kundër kriminalitetit të organizuar, legalizimit të emigracionit dhe koordinimit të politikës së integrimit."

Shulc ashtu si edhe refentët e tjerë pas tij kritikuan faktin, që vitet e shkuara nuk është bërë shumë në drejtim të një politike të përbashkët për punët e brendëshme dhe drejtësinë. Përse ka kaq shumë pengesa kjo bëhet e qartë në shemubllin e politikës për refugjatët. Heqja dorë prej sovranitetit kombëtar do të thotë që të shkëputesh prej traditave të preferuara.

Eurodeputetja kristiandemokrate Eva Klamt bën të qartë, se ajo nuk e vlerëson qëndrimin e Spanjës lidhur me çështjen e migracionit. T´u japësh nënshtetësi më shumë se një gjysmë milioni emigrantëve ilegalë dhe më pas të befasohesh prej valës së mëtejshme të refugjatëve, kjo nuk shkon: "Nuk mundesh që nga njëra anë pa informacion, pa rënë dakord të ndërmarësh legalizimin masiv të refugjatëve dhe nga ana tjetër, kur këto masa kanë efektin e joshjes të kërkosh ndihmë prej BE-së."

Kemi të bëjmë me një grindje parimore, që po buçet tashmë në radhët e ministrave të brendshëm evropianë: dëbimi me konseguencë kundër legalizimit të shpejtë. Përderisa një kontradiktë e tillë nuk mund të zgjidhet shpejt, komisioneri i BE-së për drejtësinë Franko Fratini, bën thirrje për interesin e përbashkët që është kufij të jashtëm më të sigurtë: "Solidaritet do të thotë, t´u ndihmosh vendeve që ndodhen nën presion."

Konkretisht kjo do të thotë: anije, helikopterë dhe avionë duhet të vihen në dispozicion që të mund të kontrollohen ujrat përpara brigjeve jugore. Vendimin përkatës Fratini do ta marrë në takimin e ardhshëm të ministrave të brendshëm të BE-së. Kjo do të ish në një farë mënyre një zgjidhje e vogël fillestare.