1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti maqedonas debaton për qeverinë e re

31 Maj 2017

Zoran Zaev prezanton para deputetëve shtyllat e programit të qeverisë së re maqedonase. Kritika nga opozita.

https://p.dw.com/p/2dw3s
Zoran Zaev
Fotografi: Picture alliance/AP Photo/B. Grdanoski

Qeveria e re dhe reformatore do të ofrojë perspektivë për të gjithë qytarët, institucione të fuqishme profesionale, drejtësi si dhe integrim të vendit në NATO dhe BE. Këto janë disa nga shtyllat e programit të qeverisë së re të prezantuara para deputetëve nga  Zoran Zaev.

Do të jem kryeministër i të gjithë qytetarëve, kjo qeveri do të ketë zero tolerancë për krimin, korrupsionin dhe për shërbimet përmes lidhjeve. Me punë do t'i bashkojë dhe jo ndajë qytetarët duke u ofruar perspektivë për një jetë më të mirë, tha  Zaevi.

"Jemi të përcaktuar të ndërtojmë shoqëri stabile, do ta shpiem Maqedoninë drejt NATO-së dhe Bashkimit Evropian. Obligohemi që në tërësi të zbatojmë reformat urgjente prioritare nga raporti i Pribes, që janë edhe pjesë e Marrëveshjes së Përzhinës”, ka deklaruar Zoran Zaev.

Gjuhët e bashkësive etnike

Në ekspoze Zaevi ka përmendur edhe nevojën e miratimit të një zgjidhjeje të re ligjore për zgjerimin e përdorimit të gjuhëve të bashkësive etnike. "Obligohemi se do të mundësojmë përdorim adekuat të gjuhëve të bashkësive, me çka do të mundësojmë që të gjithë qytetarët më lehtë dhe në mënyrë më efikase t'i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese, pa u rrezikuar në asnjë mënyrë gjuha maqedonase” - tha Zoran Zaev.

Në programin e qeverisë së re rëndësi të veçantë i është edhe sundimit të së drejtës, sundimit të shtetit ligjor përmes krijimit të një sistemi gjyqësor të pavarur i cili do të merrej me lëndët e Prokurorisë Speciale. 

 

Dimovski: Do të përcjellim në çdo hap veprimet e Qeverisë

Debati në Parlament për zgjedhjen e qeverisë së re po përcillet me polemika të shumta mes deputetëve të shumicës së re dhe VMRO-së opozitare. Deputetët e partisë së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski e kanë akuzuar LSDM-në që në seancën e parë ka nisur me realizimin e siç theksojnë "Platformës së Tiranës”, pasi kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi seancën e ka nisur në gjuhën shqipe.

Mazedonien Parlament in Skopje
Fotografi: Picture alliance/dpa/epa/G. Licovski

"Gjuhë zyrtare në Parlament është gjuha maqedonase. Në rregullore thuhet se deputeti që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja mund të flasë në gjuhën e tij por jo edhe të drejtojë seancën plenare. Këtë rregullore duhet ta respektoni deri sa të miratoni ndryshimet për të cilat jeni marrë vesh”, është shprehur deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.

Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE tha se mandatari ka premtuar njerëz të rinj, por nuk e mbajtët premtimin, me përjashtime të vogla.Qeveria e re sipas Dimovskit ka një ekip shumë të dobët në fushën e ekonomisë. Dimovski gjithashtu kritikoi Zaevin  se në prezantimin e programit qeveritar nuk tha as edhe një fjalë lidhur me problemin rreth çështjes së emrit.

"Do të jemi këtu, aktiv në punë, propozimeve të mira do t'u japim mbështetje ndërsa projektet e këqija do t'i kundërshtojmë me argumente”, ka thënë Ilija Dimovski.

Lëvizja BESA jo pjesë e koalicionit të ri qeveritar

Deputetët e Lëvizjes BESA, sqaruan se mospjesëmarrja në qeveri është si rezultat i parimit të tyre për të kundërshtuar një qeveri në radhët e së cilës ka kandidatë të dyshuar për krim dhe korrupsion.

"Kam qenë i bindur se arsyeja pse Zaevi kishte refuzuar bashkëpunimin me ne është platforma jonë ridefinimi. Por sot e kam të qartë se nuk ka qenë kjo por parimi ynë i parë që të mos ketë në qeveri persona të korruptuar dhe inkriminuar. Andaj ju falemnderit që nuk e pranuat ofertën tonë”, ka thënë deputeti i Lëvizjes "BESA”, Zeqirja Ibrahimi.

Kryetari i i Lëvizjes BESA Bilall Kasami ka thënë se marrëveshja për bashkëqeverisje me LSDM-në nuk u arrit pasi mandatari Zaev nuk pranoi të firmosë marrëveshjen e shkruar mbi parimet e BESËS si ridefinimi, vendimmarrja konsensuale dhe qeverisja e balancuar. Gjithnjë sipas Kasamit BESA do të jetë opozitë konstruktive dhe do të mbështesë të gjitha iniciativat në interes të shqiptarëve.

Shumicë parlamentare e ngushtë

LSDM thekson se edhe përskaj asaj që dy subjektet janë dakorduar dhe ndajnë  përcaktimin e njëjtë për reforma urgjente për zhvillim demokratik dhe evropian të Maqedonisë, megjithatë për një pjesë të çështjeve nuk arritën marrëveshje.

"I lemë dyert e hapura për bashkëpunim rreth  mbështetjes për reformat që pasojnë si dhe për gjithçka tjetër me interes të përbashkët për të gjithë qytetarët e vendit tonë”, thuhet nga LSDM.

Sipas Kushtetutës dhe rregullores mbi punën e Parlamentit debati për miratimin e Qeverisë mund të zgjasë më së shumti 48 orë. Ajo votohet me 61 vota pro nga 120 deputetët e Parlamentit. Partitë e shumicës parlamentare që formojnë Qeverinë kanë 62 deputetë, pra vetëm një votë më shumë se numri i nevojshëm për miratimin e saj.