1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti pritet të votojë ligjin për dosjet e bashkëpunëtorëve të ish Sigurimit famëkeq të Shtetit

Arben Muka / Tiranë2 Korrik 2008

Jozefina Topalli, kryetare e parlamentit të Shqipërisë, deklaroi se nuk duhet të lejohen që të mbërrijnë në poste të rëndësishme njerëz që kanë bashkëpunuar me ish Sigurimin e Shtetit në kohën e diktaturës.

https://p.dw.com/p/EUvr
TiranaFotografi: Aida Cama

Pas zvarritjeve dhe hezitimeve të njëpasnjëshme në vitet e fundit parlamenti në Shqipëri pritet që të diskutojë dhe votojë në seancë plenare një ligj të posaçëm për hapjen e dosjeve për ish bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, arma më e ashpër e regjimit komunist deri në vitin 1990.

Deri më tani prej afër dy vjetësh në sekretarinë e parlamentit janë depozituar tre variante projektligjesh, një propozuar nga Partia Demokratike, një nga Partia Socialiste në opozitë dhe një nga grupi parlamentar i Partisë Demokristiane. Kryetarja e parlamentit paralajmeroi të mërkurën pasdite se nuk duhet të lejohen që të propozohen dhe emërohen në poste të rëndësishme njerëz që kanë bashkëpunuar me ish Sigurimin e Shtetit në kohën e diktaturës.

Nga kryesia e parlamentit është ngritur një grup deputësh, të cilët do të arrijnë të përafrojnë tre variantet e propozuara mbi projektligjin për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit. Veç atyre që besojnë se këtë herë parlamenti në Tiranë me ligj të posaçëm do të miratojë hapjen e dosjeve të periudhës së diktaturës, nuk mungojnë dhe ata për të cilët kjo lëvizje përshkruhet si thjesht politike dhe demagogjike për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga problemet social ekonomike me të cilat përballet vendi.