1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti serb miratoi përbërjen e qeverisë së re

DW / Esat Ahmeti16 Maj 2007

Pak para mesnate, në minutat e fundit para se të skadoj afati për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 21 janarit, 133 prej 255 deputetëve në Beograd votuan pro partive të koalicionit properëndimor

https://p.dw.com/p/ArVd
Pamje nga Kuvendi i Serbisë
Pamje nga Kuvendi i SerbisëFotografi: picture-alliance / dpa

Sikur qeveria të mos formohej mbrëmë atëherë në bazë të kushtetutës në fuqi do të duhej të organizoheshin zgjedhje të reja. Kryeministri Vojisllav Koshtunica shprehu kënaqësinë e tij që Serbia të martën mbrëma fitoi një qeveri stabile në bazë të parimeve për të cilat ranë dakord Partia demokratike, Partia demokratike serbe dhe grupi g17 plus.

'Serbia fitoi qeverinë. Jam i bindur se ajo fitoi një qeveri stabile dhe jam i bindur se me këtë qeveri ndodhemi në rrugën e cila garanton edhe stabilitet edhe zhvillim të mëtutjeshëm', tha Koshtunica. Edhe presidenti i Serbisë Boris Tadiq përshendeti formimin e qeverisë dhe uroi kryeministrin Koshtunica dhe antarët e qeverisë së re.

'Serbia pret nga qeveria e re që mënjëhere të filloj punën dhe të caktoj prioritetet: mbrojtjen e intersave kombëtare dhe shtetërore në Kosovë dhe Metohi, bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës, luftën kundër kriminalitetit dhe korrupcionit dhe krijimin e kushteve për jetë më të mirë të të gjithë qytetarëve të Serbisë në rrugë drejt Bashkimit evropian, tha Tadiq.

Ndërkaq nënkryetari i qeverisë së re, Bizhidar Çeliq, nënvizoi se: 'sonte Serbia dhe kryetari Tadiq dhe të gjithë ne nga Partia demokratike dhe patnerët tanë në koalicon jemi garant të një kursi reformues të fortë evropian të Republikës së Serbisë'.

Partia radikale serbe, Partia liberale demokratike dhe partia socialiste e Serbisë kritikuan ashpër formimin e qeverisë së re me argumentin se ajo nuk mund të jetë funksionale. Vet seanca është ndërprerë për pak kohë për shkak të insistimit të disa partive opozitare të cilat kërkonin sqarim për aksionet e fundit të bastisjeve të kryera nga sigurimi ushtarak në Beograd i cili po kërkonte të akuzuarin për krime lufte nga Triibunali i Hagës, Ratko Mlladiq.