1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partia militante kurde shpall armëpushimin njëmujor me Turqinë

Susane Güsten20 Gusht 2005

Pas atentateve me bombë dhe luftimeve të muajve të shkuar në Turqi partia militante e punës, PKK bëri të ditur ditën e premte se do të heqë dorë për një muaj nga armët. Kjo ndodhi pasi kreu i qeverisë turke, Rexhep Taip Erdogan shpalli para një jave ndryshimin e kursit tw shtetit turk në politikën kurde

https://p.dw.com/p/ArOL
Milicë kurdë
Milicë kurdëFotografi: AP


Prej ditës së sotme partia militante kurde, PKK do të heq dorë për një muaj nga përdorimi i armëve. Shpallja e armëpushimit të përkohshëm do të hap rrugën për zgjidhjen me mjete demokratike e paqësore të konfliktit kurd. Kështu deklaroi krahu politik i PKK-së, Kongra Gel. Pas përfundimit të armëpushimit, partia kurde do të rivlerësojë edhe një herë situatën.

PKK reagoi menjëherë pozitivisht pasi kreu i qeverisë kurde, Rexhep Taip Erdogan shpalli para një jave ndryshimin e kursit në politikën kurde. Në fjalimin e tij historik në territorin kurd, Erdogan pranoi gabimet e shtetit turk në raport me pakicën kurde dhe premtoi zgjidhjen e konfliktit me mjete demokratike.

Në Turqi deklarata e Erdoganit u prit me zhgënjim, për shkak se armëpushimi është i përkohshëm. Ndërkaq një politikan kurd nga Turqia juglindore u shpreh se reagimi i kryengritësve kurdë është një gjë e vogël krahasuar me shpresat dhe dëshirat e tyre.

Udhëheqësit kryesorë kurdë në Turqi, ndër ta edhe laureatja e çmimit të njohur Saharov, Leila Sana, kërkuan madje një ditë para armëpushimit, që PKK-ja t'i dorëzojë armët pa kushte dhe të heqin dorë përfundimisht nga lëvizjet e armatosura.

Refuzimi i PKK-së për heqjen dorë përfundimisht nga përdorimi i armëve, është edhe një goditje për përkrahësit kurd të Leila Sanës, e cila në ditët e ardhshme do të shpallë krijimin e një partie të re.

Qeveria turke nuk dha asnjë deklaratë zyrtare lidhur me shpalljen e PKK-së. Megjithatë është e qartë, që shteti turk nuk do të pranojë kërkesën e kryengritësve për të ndaluar të gjitha operacionet ushtarake në Turqinë juglindore dhe për të lejuar që udhëheqësi rebel, Abdullah Öçalan, të integrohet në procesin e paqes.

Fakti që armëpushimit i mbaron afati në 20 shtator, interpretohet në Ankara, si një mundësi e hapur që duan të lënë rebelët për të përdorur dhunën pikërisht në 3 tetor kur Turqia pret fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin evropian. Kështu Turqia nuk do të paraqitej me një imazh të mirë.

Në juglindje të Turqisë në muajt e fundit kanë humbur jetën me qindra vetë. Një ditë më parë në një tren pasagjerësh u vendos lëndë eksplozive. Për një javë në territorin kurd kishte shpresa të mëdha për arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Pas deklarimit të armëpushimit me afat njëmujor, ato janë fundosur sërish.