1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partitë e vogla akuzojnë partitë e mëdha

8 Korrik 2009

Evidente në zgjedhjet e 28 qershorit ishte reduktimi maksimal i partive që kanë përfaqësues në parlament. Vetëm 6 prej tyre siguruan mandate deputetësh. Tre parti arritën të marrin vetëm nga një mandat.

https://p.dw.com/p/IjW6
Postera zgjedhorë - Zgjedhjet 2009
Postera zgjedhorë - Zgjedhjet 2009Fotografi: DW/ Ballvora

Partitë e vogla të spektrit të djathtë a të majtë thuajse kanë të njëjtin qëndrim për zgjedhjet e 28 qershorit. Duke qënë se shumica dërmuese e tyre nuk arriti të fusë qoftë dhe një deputet në parlamentin e ri, kanë filluar ankesat dhe akuzat ndaj dy partive të mëdha. Më shumë duket se janë fokusuar tek procesi i numërimit të votave.

Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, thotë hapur se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kishin një akord mes tyre, që gjatë numërimit të votave të penalizonin të vegjlit. "Ka patur konsensus, që vota e Polit të Lirisë dhe Partisë Demokristiane të kalonin për PD. Kjo ka qënë evidente. Unë kam konstatuar që në disa raste që kur në monitor jepej vota e demokristianëve vihej për llogari të PD-së.

Këtë argument kryesor për rezultatin e dobët të Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut e ka dhe numri 2 i kësaj partie Leonard Solis. "U vunë ca kamera kot, të cilat nuk mund t`i ndiqje dot. Jepeshin imazhe se gjithshka kontrollohej. Mua më kanë ardhur komisionerë socialistë që më kanë thënë se janë shtuar votat…"

Andi Bejtja
Andi BejtjaFotografi: DW/ Arben Muka

Por analisti Andi Bejtja duke folur për DW nuk e shikon rezultatin negativ të partive të vogla tek procesi i numërimit. Sipas tij, shkak thelbësor është sistemi i ri elektoral që u aplikua për herë të parë më 28 qershor. Bejtja shpreh habi se si gjatë kohës kur diskutohej sistemi shumë drejtues të partive të vogla nuk e kundërshtuan atë. Tani pas zgjedhjeve, sipas tij, u provua se jashtë parlamentit kanë mbetur disa figura të njohura të politikës shqiptare që kanë drejtuar këto parti. "Pavarësisht se disa parti nuk e meritojnë të jenë në parlament mendoj se disa liderë janë të konsoliduar si figura politike. Të vjen keq që tashmë disa prej tyre, si Skënder Gjinushi, Dashamir Shehi, Paskal Milo etj., të largohen nga politika. Ndërkohë që në parlament do të kemi zëra të tillë, si ushtarë të partive, që nuk do të thonë asgjë".

Kryetari i PDK-së Nard Ndoka e shikon mospërfaqësimin e tij personal dhe të partisë në parlament, jo si një mbyllje kapitulli të angazhimit në politikë. "Ne jemi të vendosur të qëndrojmë, të jemi prezent në politikën shqiptare. Se gjykojmë dhe mendojmë që alternativa kristiane në Shqipëri është e domosdoshme dhe ka mbështetje".

Në këtë linjë janë pak a shumë dhe politikanët jodeputetë, që për shumë vjet kanë qenë protagonistë në skenën politike. Por veç goditjes direkte që sistemi proporcional rajonal bëri për partitë e vogla, analisti Andi Bejtja shikon dhe një mangësi tjetër, të cilën e përshkruan si serioze. "Ky system i jep pak shpresë një force të re politike që të dalë në skenë. Jemi në përmbyllje të tranzicionit dhe mund të kemi vullnete politike të dëshiruara, forca të reja që me sistemin aktual e kanë të pamundur të dalin në dritë. Unë këtu e shoh të keqen më të madhe të sistemit rajonal proporcional, se sa tek penalizimi i një apo dy liderëve. Shqipëria nuk ka ardhur ende në fazën e dy luanëve. Duhet të ketë pluralitet mendimi aq më tepër të lehtësojë ose të krijojë terren për lindjen e forcavë të reja politike. Ato mund të ndryshojnë dhe historinë e Shqipërisë".

Më i thjeshtë në aplikim, thotë Andi Bejtja për DW është sistemi proporcional kombëtar. Ku pesha e çdo partie konkuruese del më e qartë dhe e merituar. Si për subjektet politike të mëdha ashtu dhe të tjerat më të vogla. Edhe për mënyrën e numërimit të votave Andi Bejtja, mendon se procesi nuk duhet të realizohet në disa pika, në rrethe të ndryshme të vendit. "Por vetëm në një qendër, psh në Tiranë. Dhe kjo është plotësisht e mundshme. Më pak e kushtueshme dhe aspak e kontestueshme".

Autor : Arben Muka

Redaktoi : Aida Cama