1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas paketës së ndihmës, njëlloj si para paketës së ndihmës

Barbara Wesel/Angelina Verbica28 Shkurt 2015

Parashikimet pozitive për zhvillimin ekonomik në Greqi janë korrigjuar me zbritje. Por në qoftë se nuk ka asnjë tepricë në buxhet, llogaritë nuk dalin dhe Athina ka nevojë për para të reja.

https://p.dw.com/p/1Ej2L
Fotografi: Reuters/A. Konstantinidis

Që tani arka e buxhetit grek është deri diku bosh. Deri në fund të marsit qeveria në Athinë duhet të mbledhë 6,8 miliardë euro për të shlyer kreditë e dikurshme të FMN-së dhe obligacionet. Pasi në janar të ardhurat nga taksat ishin rreth një miliardë më të ulëta, se sa pritej dhe rritja ekonomike që në tremujorin e dimrit 2014 u tkurr me 0,4%, duket se me të ardhurat e Greqisë nuk duket puna mirë. Dhe fillimi kaotik i qeverisë së re i kaloi ato edhe më shumë në minus. Ndërkohë qytetarët në pritje të uljes së taksave dhe amnestisë së premtuar i kanë shmangur autoritetet tatimore. Do të bisedojmë me BQE, thuhej deri tani në Athinë, me shpresën, se ajo do të pranojë përsëri bonot qeveritare greke si siguri për kreditë provizore.

Sepse derisa të vijnë paratë e para nga paketa e zgjatur nga ndihmës e BE, duhet edhe pak kohë. Në prill/maj vijnë pagesat nga Brukseli dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në vlerë prej rreth 7,2 miliardë euro. Me to qeveria Cipras do të mund pastaj të mbyllë vrimat e hapura. Mbetej edhe një linjë kredie prej më shumë se 10 miliardë euro, e cila i përket paketës së ndihmës fillestare dhe që do të mund të merret më vonë. Por a është e mjaftueshme?

Greqia nuk mund të hyjë në tregun e kapitalit dhe vazhdon të ketë nevojë për ndihmë

Të gjitha detyrimet e shtetit grek arrijnë këtë vit në rreth 21 miliardë euro, llogaria nuk del, thonë tani vëzhguesit. Eksperti socialdemokrat për buxhetin në Bundestagun gjerman Carsten Schneider pret që qysh në verë, sepse nevojitet një paketë e tretë shpëtimi. Me këtë ai ka ndoshta parasysh 30-40 miliardë eurot, për të cilat flet shefi i Institutit gjerman për Studime Ekonomike.

Demonstratat e para në Athinë kundër kursit të pajtimit të qeverisë Cipras
Demonstratat e para në Athinë kundër kursit të kompromisit të qeverisë Cipras?Fotografi: AFP/Getty Images/L. Gouliamaki

Marcel Fratzscher beson se është e pashmangshme, që BE ta ndihmojë edhe më tej Greqinë, tha ai në një intervistë. Vëzhguesit në Bruksel lënë edhe një shkëndijë të vogël shprese. "Në verë Greqia do të këtë përsëri nevojë për ndihmë financiare, sepse është afati i kthimit të parave FMN-së dhe BQE-së. Këto para Greqia duhet t'i marrë pastaj ne tregun e kapitalit", thotë Guntram Wolff nga Instituti Bruegel për Politika Ekonomike. Pastaj qeveria e ka nisur punën në mënyrë aq kaotike, saqë është dëmtuar jo vetëm besimi politik te partnerët, por edhe në tregun financiar. Ky i fundit i dënon pastaj huamarrësit me norma shumë të larta interesi. Një kthim prapa për Athinën do të ishte i shtrenjtë dhe i pamundur.

Përsëri zhvillimi ekonomik ecën keq

Çdo gjë varet tani nga shifrat për shkurtin, thotë ekonomisti. Nëse të ardhurat tatimore mbeten nën pritjet si në fillim të vitit, atëherë ndoshta do të jetë i humbur edhe ky tremujor dhe tremujori i ardhshëm, dhe teprica e vogël e shpresuar në buxhetin e shtetit nuk do të jetë. Megjithatë Wolff kujton se edhe një deficit i vogël është më mirë se situata para disa vitesh, ku në Athinë ishin në program 15% borxhe të reja. Objektivat e kursimeve do të duhet të përshtaten, dhe kjo është bërë gjithmonë.

Guntram Wolff, Drejtori i institutit Bruegel
Guntram Wolff, Drejtori i institutit BruegelFotografi: Bruegel

Megjithatë kjo është edhe pika, ku do të duhej negociuar për një paketë të mëtejshme ndihme, sepse vendi nuk mund të përballojë më shpenzimet dhe pagesat e prapambetura (kjo nuk ka të bëjë për fondet e BE, por vetëm për këstet e FMN-së dhe Bankës Qendrore Evropiane). Dhe këtu vjen përsëri problemi me besimin e humbur. Qeveria greke nuk ka prishur besimin vetëm në Gjermani, por edhe në vende të tjera evropiane. Bisedime të tilla mund të jenë jashtëzakonisht të vështira. Madje edhe ministria gjermane e Financave duhet të ketë pranuar jozyrtarisht, se mund të ketë bisedime të reja.

Do të ketë Grexit, nëse nuk paguhet dot ndihma tjetër

Drejtori i institutit Bruegel Guntram Wolff mendon se nuk ka të ngjarë që Greqia të dalë në verë nga Eurozona, por se do të ketë ndihma të tjera nga evropianët. Sepse ka edhe arsye të tjera gjeopolitike: "E duam Greqinë si anëtare të BE, apo duam t'i çojmë grekët në krahët e Rusisë dhe Kinës?" Kësaj pyetje duhet t'i japin përgjigje në fund jo ministrat e financave, por kryetarët e qeverive. Eurodeputeti i CSU Markus Ferber flet fjalë të qarta: "Nuk do të jemi në gjendje për të bërë përsëri diçka të tillë", thotë ai duke patur parasysh bisedimet e javëve të fundit.