1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas protestës reagimi: Tekstet shkollore në Maqedoni do të rishqyrtohen

6 Shtator 2010

Shqiptarët në Maqedoni kanë protestuar për përmbajtjet e teksteve shkollorë në arsimin fillor dhe të mesëm. Ministria e Arsimit ka formuar komisione të veçanta për rishqyrtimin e teksteve, disa libra hiqen nga përdorimi.

https://p.dw.com/p/P55N
Nxënës në klasë, pamje simbolike
Nxënës në klasë, pamje simbolikeFotografi: Barbara Gruber

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoni vitin e ri shkollor e kanë filluar pa libra të kompletuar meqë ministri i Arsimit Nikolla Todorov ka marrë vendimin për rishqyrtimin e mbi 200 teksteve të librave shkollore që janë në përdorim në Maqedoni.

Rishqyrtimi i teksteve shkollore bëhet pas reagimeve të ardhura nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, organizatave civile dhe pedagogëve lidhur me përmbajtjen e këtyre librave dhe vlerësimeve të bëra për kulturën, traditën dhe historinë e shqiptarëve. Vërejtje ka patur edhe për tekstet në gjuhën maqedone ku në librat nga lëndët e kimisë, fizikës janë vërejtur përcaktime të gabuara për njësi të veçanta mësimore. Sipas ministrit të Arsimit Nikolla Todorov rishqyrtimi i teksteve shkollore do të realizohet nga komisionet përkatëse brenda dyzet ditëve të ardhshme.

Nikolla Todorov, ministër Arsimi urdhëron rishqyrtimin e teksteve
Nikolla Todorov, ministër Arsimi urdhëron rishqyrtimin e teksteveFotografi: MIA

Tesktet me mllef etnik dëmtojnë gjeneratat e reja

Avzi Mustafa është kryetar i Unionit të Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni. Ai thotë se është e pa tolerueshme që edhe kjo gjeneratë e nxënësve të edukohet me të pavërtetat për kulturën dhe historinë shqiptare, e cila më pas rritet në mllef mes etniteteteve. “Shumë tekste përveç gjuhës amtare, i hartojnë autorë maqedonas dhe unë pyes se vallë aq të paaftë janë shqiptarët që të mos mund të hartojnë tekste edhe në fushat e tjera të diturisë.” Në ato libra ku paraqiten vetëm autorë maqedonas gjithnjë sipas profesorit universitar Avzi Mustafa përkthimet në gjuhën shqipe janë tejet të dobta. Përkthimi nuk i ngjan gjuhës shqipe, thotë Mustafa, duke shprehur shqetësimin se jemi në një gjendje kaotike, e sa u përket teksteve shkollore, sipas zotit Mustafa në një gjendje skandaloze pikërisht tani kur ka filluar viti i ri shkollor.Ndërsa kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë Nuhi Dardhishta thotë se tekstet shkollore në këtë periudhë të tranzicionit kanë qenë kontroverse.

Nxënës të një shkolle fillore në Maqedoni
Nxënës të një shkolle fillore në MaqedoniFotografi: Petr Stojanovski

“Ne kërkojmë që të implementohet mësimi i integruar i ofruar nga OSBE, ku thuhet se brenda tre viteve duhet të ndryshojnë të gjitha tekstet shkollore të arsimit fillor dhe të mesëm dhe ku mund të marrin pjesë autorë dhe recenzentë edhe nga vendi por edhe ndërkombëtarë.” vlerëson Nuhi Dardhishta.

Tekstet bojkotohen nga pala shqiptare

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë ka kërkuar nga profesorët dhe drejtorët e shkollave që t'i bojkotojnë të gjitha tekstet e librave, të cilat vlerësohen si të dëmshme për edukimin e nxënësve. “Ne kërkuam që të bojkotohet teksti i librit të gjeografisë për arsimin e mesëm ku fliten shumë të pavërteta për prejardhjen e popullit shqiptar”, thotë Dardhishta. Sipas tij përgjegjësinë më të madhe për kaosin në tekstet shkollore e mban ministria e arsimit.

Shkupi
ShkupiFotografi: DW/Tosev

Edhe për kryetarin e Unionit të Intelektualëve Shqiptarë Avzi Mustafa përgjegjësia më e madhe për tekstet bie te Byroja për zhvillim të arsimit.

Mustafa thotë se është ky institucion që bën vlerësimin për një tekst pas një viti. "Unë nuk mbaj mend deri tani që Byroja për zhvillimin e arsimit ka organizuar ndonjë debat rreth teksteve shkollore dhe t'i shohim të metat e atyre teksteve ”, shprehet Mustafa. Deri në rishqyrtimin përfundimtar të teksteve shkollore, pedagogët do të përdorin tekstet alternative që janë të lejuara nga ministria e arsimit.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi