1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

061009 France Télécom Proteste

7 Tetor 2009

24 punonjës të France Telecom vranë veten 18 muajt e fundit. Sindikatat u bënë thirrje punonjësve të shfrytëzonin të gjitha mjetet, edhe grevën e përgjithshme, për të protestuar kundër kushteve të punës

https://p.dw.com/p/K19t
Logo e Telekomit FrancezFotografi: AP

Kur të martën (6.10.) sindikatat dhe France Telecom negociuan për reduktimin e stresit, nuk ishte i pranishëm faktori kryesor i stresit: Louis Pierres Wenes, zv/drejtor i përgjithshëm i ish-sipërmarrjes shtetërore. Wenes ishte babai i një programi riorganizimi, me të cilin ndër të tjera u përcaktua që asnjë menaxher nuk lejohej të qëndronte më shumë se tre vjet në postin e tij. Por vitet e fundit edhe punonjësit e thjeshtë janë lëvizur vazhdimisht, jo vetëm në sektorë të tjerë të firmës, por duke i caktuar papritur detyra krejt të reja. Kjo ishte për punonjësit shumë më tepër se stres, tregon mjekja e kompanisë, Dr. Catherine Morel:

"Problemi tek këto ndryshime pune është se punonjësit nuk kanë më përshtypje se bëjnë punë të mirë. Kjo cënon besimin tek aftësitë personale dhe sjell gjendje ankthi dhe depresione."

Kështu p.sh. një punonjëse e Telecom-it gjeti në kuzhinën e seksionit të saj medikamente kundër depresionit dhe hape për gjumë. Ajo kishte shkuar atje për të qarë, pasi kishte mësuar se do ta transferonin në një tjetër vend pune. Ajo u zgjua më pas në spital.

"Më hodhën në koshin e plehrave si mbeturinë, si një figurë shahu që eliminiohet nga loja dhe pastaj bie përtokë."

Gruaja nuk pranon ta shohë emrin e saj në medie dhe ka raport mjekësor edhe për shumë muaj të tjerë.

Didier Lombard CEO France Telecom
Shefi i Telecom-it, Didier Lombard.Fotografi: AP

Gjatë 18 muajve të fundit dëshpërimi për kushtet e punës ka çuar vërtet drejt vdekjes 24 punonjës. Deri dy javë më parë shefi i Telecom-it, Didier Lombard, i përgjigjej me komente cinike kritikave. "I duhet dhënë fund kësaj mode vetëvrasjesh, e cila natyrisht i trondit të gjithë."

Më pas ai u thërrit për të raportuar nga qeveria franceze. Por që në France Telecom të viheshin gjërat në lëvizje, u desh të hidhej edhe një tjetër punonjës nga një urë autostrade. Kjo ndodhi një javë më parë dhe Lombard nxitoi të shkonte në Annecy në juglindje të vendit, ku burri kishte punuar.

"Trysnia në firmë i përgjgjet asaj që është e nevojshme, asaj që imponohet nga liberalizimi i tregut dhe konkurrenca. Por ka edhe mundësi për ta reduktuar këtë trysni: të jemi më njerëzorë gjatë aplikimit. Premtimi konkret është: deri në fund të vitit nuk do të ketë transferime arbitrare brenda firmës."

Tek punonjësit në Annecy fjalët e shefit mezi arritën, tregon Jean-Paul Portello, nga komiteti i punonjësve:

"Në takim kolegët shpërthyen në të qara. Ata nuk arrinin më të flisnin dhe përsërisnin vetëm: bëni më në fund diçka, nuk mund t'i lini njerëzit të vdesin kështu. Por drejtuesit e kompanisë i përmbahen me kokëfortësi mendimit të tyre."

Tani shefi i kompanisë, Lombard, është i detyruar të negociojë me sindikatat mbi një plan shëndetësor, i shoqëruar nga protestat dhe grevat në të gjitha filialet e Telekomit francez.

Autor: Johannes Duchrow/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica