1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Simbabwe EU Sanktionen

14 Shtator 2009

Për herë të parë prej shtatë vjetësh një delegacion i lartë i BE-së vizitoi Zimbabvenë. Marrëdhëniet me këtë vend kanë arritur një fazë të re, por bashkëpunimi varet nga respektimi i marrëveshjes për ndarjen e pushtetit.

https://p.dw.com/p/JeYs
Nga takimi i BE-së për Afrikën në Lizbonë.
Sanksionet e BE-së kundër Zimbabvesë do të hiqen vetëm atëherë kur të mos ketë më shkelje të të drejtave të njeriut.Fotografi: AP

Fermerin Ben Freeth nuk ka nevojë ta pyesësh gjatë për mendimin e tij mbi qeverinë e re. Gjykata ka vërtetuar tre herë se pushtimi i fermës së tij gjigante të mangove ka qenë i paligjshëm. Së fundi atij i dha të drejtë edhe Gjykata e Bashkësisë së Shteteve SADC (Komuniteti për Zhvillim i Afrikës së Jugut), por ferma e tij vazhdon të jetë e pushtuar dhe javën e kaluar u dogj plotësisht shtëpia e tij në fermë. "Qeveria e unitetit kombëtar ka dështuar plotësisht. Ka ndodhur e njëjta gjë si në vitin 1987, kur Robert Mugabe pranoi në qeveri sfiduesin e tij Joshua Nkomo dhe më pas e neutralizoi. Në të njëjtën mënyrë ka përpirë tani edhe Morgan Tsvangirain", thotë Freeth.

Qytetarë të Zimbabves në Harare duke lexuar "Daily News".
Qytetarë të Zimbabves në Harare duke lexuar "Daily News".Fotografi: picture-alliance/ dpa

Vërtet ka pasur përparime, dyqanet janë mbushur përsëri dhe me futjen e dollarit është ulur inflacioni. Por bujqësia nuk ecën përpara, pasi deri më sot, sundon mungesa e ligjit. Kështu shprehet Presidenti i shoqatës tregtare të fermerëve, Deon Theron, për radion ARD. "Situata duket ndoshta konfuze nga jashtë, por jo për ne. Për ne është fare e qartë se fermerët e bardhë do vazhdojnë të dëbohen nga fermat e tyre."

Partia e Tsvangirait, MDC, përfaqëson vërtetë politikën e duhur, vazhdon presidenti i fermerëve, por ajo injorohet plotësisht nga Zanu-PF e Mugabes. Edhe aktiviste për të drejtat e njeriut, si Kudakwashe Chitsike janë të zhgënjyera, pas një viti drejtimi të qeverisë së unitetit. Aktivistet politike vazhdojnë të rrihen, përdhunuesit e partisë së Mugabes janë ende të lirë. "Si mund të fillojë ndonjëherë një proces shërimi kombëtar kur gjithçka injorohet?"- pyet Chitsike.

Të dërguarit e BE-së, të cilët u pritën për herë të parë që prej shtatë vjetësh nga pushtetmbajtësit në Zimbabve, u kthyen me një gjykim kontradiktor. Komisari i BE-së për zhvillimin Karel de Gucht pranoi, se janë bërë përparime. Homologia e tij suedeze, Gunilla Carlsson, foli për "një fazë të re marrëdhëniesh". Por sanksionet kundër Mugabes dhe rrethit të tij drejtues - bllokimi i llogarive bankare dhe ndalimi i udhëtimit në BE - do të hiqen, vetëm kur të mos ketë më shkelje të të drejtave të njeriut. "Sanksionet drejtohen vetëm kundër një rrethi shumë të vogël njerëzisht dhe nuk pengojnë aspak zhvillimin ekonomik. BE-ja vazhdon të fokusohet në përmbushjen e marrëveshjes qeverisëse me partinë MDC-në." - u shpreh Carlsson.

Organizata të ndryshme demostrojnë kundër qeverisë së Mugabes, prill 2008.
Organizata të ndryshme demostrojnë kundër qeverisë së Mugabes, prill 2008.Fotografi: AP

Kryetari i MDC-së Morgan Tsvangirai, e kritikoi ashpër Mugaben. Kryeministri kërcënoi se nuk do të qëndrojë duarkryq ndërkohë që pala tjetër vazhdon të shkelë ligjet, të predikojë urrejtje dhe të thyejën marrëveshje ndërkombëtare me pushtimin e fermave. Por Mugabe nguli këmbë se pala e tij ka përmbushur brenda afateve të gjitha detyrimet e marrëveshjes. Sanksionet nuk i shërbejnë asnjë qëllimi humanitar, dhe ai, pra Mugabe, vazhdon të jetë presidenti!

Autor : Claus Stäcker / Eliana Xhani

Redaktoi : Aida Cama