1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasojat afatgjata të ndotjes në Gjirin e Meksikës nuk dihen

14 Qershor 2010

Një ndotje e tillë me naftë - si kjo në Gjirin e Meksikës - deri tani nuk kishte ndodhur. Në thellësi nafta shpërbëhet shumë më me vështirësi se në sipërfaqe. Nafta tani po rëndon jo vetëm ambientin.

https://p.dw.com/p/NpkE
Thasë rëre pengojnë avancimin e naftës në Gjirin e Meksikës
Thasë rëre pengojnë avancimin e naftës në Gjirin e MeksikësFotografi: AP

Sa naftë po del nga e çara e shpimit në Deepwater - Horizon, kjo ka javë që është bërë temë debatesh të ashpra. Që nga data 10 qershor është bërë një parashikim i ri: sipas tij, çdo ditë nga e çara e shpimit në Gjirin e Meksikës rrjedhin deri 6,4 milionë litra naftë. Kjo është e barabartë me të paktën dyfishin e asaj që mendohej deri tani.

"Aktualisht ne ndeshemi me efekte shumë dramatike: kjo katastrofë nafte është një nga më të mëdhatë, që kemi përjetuar ndonjëherë dhe ajo dëmton të gjitha ekosistemet: që nga ambjenti i drejtpërdrejtë pranë çarjes së shpimit, ujin që nga 50 m deri 1000 m thellësi, që nga sipërfaqja e detit deri në brigje. Atje nga nafta janë ndotur edhe bari i detit, plazhet dhe gjithnjë e më shumë edhe zonat me lagështirë dhe pyjet e mangrovave."

Carl Gustaf Lundin është drejtues i sektorit të detit në IUCN, një organizatë e pavarur ambjentaliste, me seli në Gland të Zvicrës. Nafta, thotë Lundini, noton jo vetëm në sipërfaqe. Në zona të thella të ujit janë krijuar re, të cilat përmbajnë pjesëza shumë të vogla nafte. Vërtet që përmbajtja e naftës atje është relativisht e ulët, por askush nuk mund të parashikojë, se si do të reagojnë gjallesat e thellësive detare ndaj këtij fenomeni:

"Një ndotje me naftë në thellësi të tilla deri tani ka qenë e panjohur. Prandaj është shumë e vështirë që t'i parashikosh pasojat. Por ne e dimë se nafta në thellësi të tilla shpërbëhet shumë më me vështirësi, se sa në sipërfaqen e detit. Pra pasojat do të jenë shumë të këqia për një kohë të gjatë."

Problem edhe kimikatet që luftojnë ndotjen

Veç kësaj, Lundinin dhe koleget e tij i shqetësojnë edhe sasitë gjigante të agjentëve dispersivë. Përzierjet me lëndë dispersive përdoren për të luftuar murtajën e naftës. Me këto kimikate synohet që të shpërndahet qilimi i naftës dhe të mbrohen ekosistemet në brigje - por këto lëndë janë tepër helmuese dhe pasojat e tyre ndaj ekosistemeve të ndryshme ende nuk parashikohen, thotë Ron Kendall nga Universiteti Teknik i Texas-it, në Lubbock:

Një zog fluturon mbi sipërfaqet e ndotura me naftë në Gjirin e Meksikës
Një zog fluturon mbi sipërfaqet e ndotura me naftë në Gjirin e MeksikësFotografi: AP

"Kjo prek hapësirat e ndryshme të jetesës në Gjirin e Meksikës. Në këtë mënyrë, helmet përfundojnë kudo, para së gjithash të ashtuquajturat hidrokarbure policiklike aromatike, shkurt: PAH. Ato janë helmuese për bimët, kafshët dhe njeriun. Ato dëmtojnë para së gjithash mëlçinë dhe veshkat."

Zonat detare, drejt të cilave po avancon qilimi i naftës janë mbyllur për peshkimin - një humbje e paparashikueshme kjo për peshkatarët. Dhe shumë nga njerëzit, që punojnë në platforma të tjera shpimi ofshore kanë humbur vendin e punës. Qeveria e ka ndërprerë përkohësisht punën në këto platforma. Për njerëzit kjo do të jetë diçka që si ka ardhur, ashtu edhe do të ikë - për këtë Gustaf Lundin është e bindur. Edhe natyra dikur do të rimëkëmbet. Por për momentin, mijëra zogj të ndotur me naftë dhe lloje të tjera kafshësh tregojnë një pamje krejt tjetër.

Autor: Dagmar Röhrlich/Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti