1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit 12.11.2005

12 Nëntor 2005
https://p.dw.com/p/Arsu
Pamje nga bisedimet për koalicion
Pamje nga bisedimet për koalicionFotografi: dpa

Në qendër të vëmendjes së shtypit të sotëm gjerman është krijimi i koalicionit të madh qeveritar në Gjermani. Element i përbashkët i shumicës së mendimeve të shprehura në të përditshmet gjermane është dyshimi nëse paketa sipas së cilës do të qeverisë koalicioni i madh do të jetë vërtet në gjendje ta përmirësojë gjendjen e vendit.

Fillimisht në lidhje me këtë temë citojmë nga gazeta "Kieler Nachrichten":

"Pas tri javësh bisedimesh të ethshme kemi arritur në përfundimin se koalicioni i madh arriti të bierë dakord për paketën sipas së cilës do të qeverisë, por nga kjo paketë nuk mund të kuptosh ndonjë koncept për përmirësimin e gjendjes. Aty flitet për një politikë të ndershme pensionesh, për perspektivën e ndihmave për familjet apo modernizimin e sistemit federal në Gjermani. Po sa u takon fushave ku nevojiten reforma të rëndësishme kjo paketë nuk ofron shumë. Si do të shkojë puna me sistemin e sigurimeve shëndetsore? Për këtë s'ka përgjigje. Po ashtu nuk dëgjohet më asnjë fjalë sa i takon thjeshtimit të sistemit të tatimeve. Përfundimi pra është një koalicion i madh i hapave të vegjël. Le të shpresojmë se ky koalicion do të mësojë të bëjë hapa të mëdhej pasi të ketë filluar një herë nga puna."

Kurse në gazetën "Schwarzwälder Bote" që botohet në Oberndorf lexojmë:

"Aha, më në fund kolicioni i madh u arrit, por ç'përfitim ka Gjermania prej tij? TVSH-ja do të shtohet me 3%. E kujt i shkon mendja në këtë gjendje që të ëndërrojë për shtimin e konjunkturës. Politika po zhvillohet në mënyrë absurde, por dëmet prej kësaj duhet t'i vuajmë të gjithë."

Edhe tonet e "Berliner Kurier" janë kritike:

"Koalicion i madh nuk do të thotë patjetër edhe zgjidhje të mëdha për probleme të mëdha. Marrëveshja për koalicionin e bën më tepër se të qartë këtë. Askush nuk e vret më mendjen për parrullat që u hodhën gjatë fushatës elektorale. Demokristianët dhe socialdemokratët kishin shancin që t'i zgjidhnin në perspektivë afatgjatë probleme të tilla të shoqërisë gjermane si çështja e pensioneve, e sigurimeve shëndetsore apo e sistemit të taksave. Në vend të këtyre do të ketë vetëm rritje të taksave në kurriz të shtetasve me të cilat pritet të shlyhen deficitet buxhetore të vendit. Me të tilla masa Gjermania nuk mund të rregullohet. Të gjitha këto masa u ngjajnë mballomave dhe arrnave. Marrëveshja e koalicionit nuk është një marrëveshje për të ardhmen."

Gazeta "Ostthüringer Zeitung" që botohet në Gera e përqëndron vëmendjen tek reforma e sistemit federal të Gjermanisë.

"Edhe reforma e sistemit federal për të cilën u ra dakord është duke u kritikuar ashpër ndër të tjera për faktin se sipas rregulave të reja për raportet mes federatës dhe landeve, çështja e shkollimit mbetet kompetencë e landeve. Sipas ministres së deritanishme të arsimit Buhlmann dhe ekspertëve të SPD-së një veprim i tillë është një katastrofë. Dhe ata kanë të drejtë. Duket se shoku që shkaktuan përfundimet e studimit PISA qenka harruar. Studimet e fundit për sistemin arsimor në Gjermani treguan se dallimet në drejtim të shkollimit mes landeve janë tepër të thella. Sipas ekspertëve fajin për këtë e ka parcelizimi i sistemit shkollor në Gjermani. Qeveria e deritanishme arriti me shumë mundime që të fuste të paktën standarde në nivel kombëtar për shkollimin. Në rast se këto standarde nuk vazhdojnë të ekzistojnë atëhere do të kthehemi në kohën e copëzimit sipas principatave."

Së fundi citojmë nga gazeta "Süddeutsche Zeitung" që botohet në Mynih e cila trajton shkaqet e rasteve të fundit të atentave në Jordani.

"Si musliman kam për qëllim të përhap islamizimin nëpër botë, qoftë përmes rrugës së dashurisë, qoftë përmes dhunës" - kështu foli Osama Bin Landeni para disa vjetësh. Sulmet e fundit terroriste ndaj hoteleve luksozë në Jordani duket se vërtetojnë se shefi i Al-Kaidës dhe gjakpirësi jornadez Abu Musab Al-Sarkawi vazhdojnë edhe sot ta konsiderojnë dhunën dhe jo donacionet si mjet për përhapjen e besimit të tyre. A kanë argumente apo ndjenja? Në këtë mes kemi një keqkuptim: Al Kaida nuk e ka hallin tek feja islame, por ndjek qëllime politike, të cilat synon t'i realizojë përmes terrorit."