1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit evropian

Günter Birkenstock9 Prill 2006

Pas vendimit të gjykatës së Hamburgut, shefi i partisë liberale gjermane FDP, Guido Vestervelle nuk ka më të drejtë ta akuzojë ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder, se i bëri një favor koncernit rus të gazit Gasprom, përpara se të largohej nga posti i tij. Megjithatë analistët e shtypit evropian të javës që sapo kaloi, mbajnë një qëndrim kritikues ndaj figurës së Schröderit.

https://p.dw.com/p/ArqW
Gerhard Schröder me logon e Gaspromit në Moskë, 30 mars 2006
Gerhard Schröder me logon e Gaspromit në Moskë, 30 mars 2006Fotografi: AP

Gazeta vieneze DIE PRESSE e vlerëson postin e ri të Gerhard Schröderit si një aksion të planifikuar keq, për t´u pasuruar sa më parë:

"Mesa duket shoqëria e ngushtë me Putinin kishte si qëllim një post të sukesshëm pas largimit nga detyra e kancelarit të shtetit gjerman. Gerhard Schröder ka humbur çdo ndjenjë apo instinkt se si mund të jetë një mik i zjarrtë i rusëve dhe në të njejtën kohë një njeri i drejtë dhe pa hile."

Gazeta NEW YORK TIMES sheh tek pranimi i postit të ri të Schröderit një lëkundje të dallimit mes legalitetit dhe legjitimitetit:

"Si shumë politikanë të tjerë, të cilët nuk mund të presin deri sa të përfitojnë financiarisht nga detyra e tyre, edhe Gerhard Schröder duket se ka probleme ta kuptojë dallimin mes diçkaje që është gabim dhe diçkaje që është ilegale. Të fillosh të fitosh para nëpërmjet projekteve që financon si politikan i lartë, është një thyerje e rëndë e besimit, sidomos kur në një konflikt të tillë bëhet fjalë për ish kryetarin e shtetit. Gjermanët duhet të ngulin këmbë për këtë deri sa edhe zoti Schröder dhe politikanë të tjerë lakmitarë ta kenë kuptuar se për çfarë bëhet fjalë."


Temë tjetër e rëndësishme e gazetave evropiane ishte edhe kriza politike në Francë për shkak të reformës së re të tregut të punës. Javën e kaluar presidenti francez Jaques Chirac e aprovoi ligjin e ri, por premtoi se do të kryejë disa ndryshime në të.

Për gazetën austriake SALZBURGER NACHRICHTEN, kriza aktuale e politikës franceze është fundi logjik i një politike të dështuar:

"Franca është kthyer në një shtet që nuk mund të qeveriset më. Pas referendumit të dështuar të Kushtetutës Evropiane, presidenti francez duhet të kish dhënë dorëheqjen, ashtu si dikur Charles de Gaulle. Chirac ka vdekur politikisht që prej datës 29 maj 2005, autoriteti i tij si kryetar i shtetit dhe baba i kombit ka përfunduar me kohë. Trazira brutale në nëntor të vitit të kaluar ishte vetëm një nga simptomat e kësaj boshësie. Chirac u zhduk nga tribuna politike dhe i la çdo gjë në duar kryeministrit Dominique de Villepin. Ky ishte një akt tjetër i dështuar politik."

Gazeta franceze L'EXPRESS komenton se kriza aktuale nuk rrezikon vetëm qeverinë:

"Franca ndodhet në një krizë totale ekonomike dhe megjithatë ne vazhdojmë ta injorojmë këtë fakt. Le të vazhdojmë kështu si kemi nisur dhe t´i mbyllim sytë përpara realitetit. Kjo lojë me reformat dhe ligjet ka vetëm një moral: "Le të shpëtojë kush të mundet". Në fakt kjo komedi do të ishte vërtet për të qeshur, sikur këtu të mos bëhej fjalë për rënien e plotë të një kombi."

Gazeta FINANCIAL TIMES nga Londra ngul këmbë se reformimi i tregut të punës është i rëndësishëm, por kritikon në të njejtën kohë mënyrën e veprimit të politikanëve francezë:

"Dështimi i përpjekjeve tepër të ngadalta të qeverisë franceze për liberalizimin e tregut të punës për të rinjtë, është një goditje e rëndë për procesin e liberalizimit të tregut evropian të punës. Reformatorët francezë duhet të mësojnë nga kjo krizë për tjetër herë, se jo reformimi i tregut të punës sjell vetëvrasjen politike, por mënyra arrogante e zbatimit të tij."