1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit evropian

Thomas Grimmer25 Shkurt 2006

Në fund të javës së kaluar gripi i shpendëve hyri në BE. Gazetat evropiane përqëndrohen tek mundësitë për ta evituar përhapjen e mëtejshme të epidemisë brenda kufijve të BE-së.

https://p.dw.com/p/ArrC

Gazeta franceze FRANCE SOIR shkruan mbi rastin e parë të gripit të shpendëve H5N1 në Francë:


"Virusi hyri në vendin tonë dhe frika e popullsisë është shtuar. Sigurisht që shtypi ka informuar mbi çdo detaj të kësaj sëmundjeje, por infektimi i njerëzve me virusin H5N1 mbetet ende teorik. Nuk ka asnjë rrezik për përhapjen e pandemisë. Por hyrja e virusit të gripit të shpendëve në Evropë, u shkakton dhimbje koke të gjithë intelektualëve, që hartojnë plane sigurie. Zogjtë e Hitchkokut fluturojnë mbi Francë. Mund të jemi të sigurtë se të gjitha gënjeshtrat që shoqëruan katastrofat e mëparshme të sistemit shëndetësor, do të rikthehen sërish. Çernobili dhe retë e tij radioaktive, konservat e gjakut të infektuar me HIV që j´u shpërndanë pacientëve në nevojë... të gjitha këto ngjarje janë ende në kokat e njerëzve."

Gazeta hollandeze DE VOLKSKRANT shkruan mbi vendimin e BE-së për të vaksinuar të gjithë shpendët kundër gripit:

"Vaksimini nuk do të thotë se ekonomisë së shpendëve do t´i kursehet vrasja masive e shpendëve, në rast se virusi i këtij gripi do të hyjë sërish këtu. Duhen të paktën disa javë deri sa vaksinat të ofrojnë mbrojtjen e nevojshme. Rregulli mbi mbajtjen e shpendëve vetëm nëpër kotece është më efikas se çdo vaksinë, por nuk garanton se virusi nuk do ta kapërcejë pragun e këtyre koteceve."


Ndërkohë gazeta britanike THE INDEPENDENT kritikon politikën vendase ndaj gripit të shpendëve:

"Vizioni i frikshëm se virusi do të mund të kalojë edhe tek njerëzit mbetet i largët. Por në një kohë kur të gjithë fqinjët tanë kanë urdhëruar mbajtjen e menjëhershme nëpër kotece të të gjithë shpendëve, ne vazhdojmë të shpresojmë se virusi nuk do të hyjë në territoret tona. Sigurisht që ky virus do të hyjë edhe në Britaninë e Madhe, prandaj hapi i parë duhet të jetë mbajtja e të gjithë shpendëve nëpër kotece, edhe pse ky vendim do të inatosë shumë bujq."


Ndryshojmë temë. Thuhet se ish gjenerali boshnjako-serb Ratko Mlladiç ka kontaktuar qeverinë serbe për një dorëzim të mundshëm, në rast se kjo qeveri i ofron atij ndonjë garanti. Ndonëse Beogradi zyrtar i ka përgënjeshtruar këto informacione, shtypi evropian ka filluar një debat të zjarrtë mbi këtë temë.


Gazeta italiane LA REPUBLICCA shkruan mbi informacionet që u publikuan javën e kaluar se Mlladiç ish arrestuar:

"Në fund mbetet vetëm shija e një historie krimi dhe një manipulimi të veçantë: Arrestimi i Mlladiçit do të kishte qënë një sukses i madh për qeverinë në Beograd dhe për kryeministrin Koshtunica, i cili qëndron përpara etapës vendimtare të bisedimeve për antarësim në BE. Por ndërkohë që mediat ndërkombëtare shkruajnë me vrull mbi arrestimin e Mlladiçit, qeveria serbe përgënjeshtron çdo lajm."


Gazeta austriake SALZBURGER NACHRICHTEN e komenton kështu qëndrimin e Serbisë:

"Nuk është mirë që Serbia nuk pranon të distancohet në mënyrë kritike nga e kaluara e saj dhe mëkatet e luftërave të Ballkanit. Por pikërisht një sjellje e tillë do t´i bënte mirë politikës vendase, sepse vetëm kështu do të mund të kapërcehej ndjenja e lartë nacionaliste e politikanëve dhe intelektualëve serbë."

Edhe gazeta DER STANDARD nga Viena mendon:

"Arrestimi i "kasapit të ballkanit", siç konsiderohet Mlladiç, do ta ndryshonte në mënyrë dramatike situatën e Beogradit, ndonëse ultra nacionalistët do të protestonin në mënyrë masive. Por shumica e serbëve nuk interesohet më për ndjenjat e nacionalistëve, sepse e dinë se vendi i tyre ka një të ardhme vetëm në Evropë dhe në BE. Tani e kanë rradhën serbët dhe qeveria e tyre që të ndërmarrin hapat e nevojshëm."