1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit evropian

Herbert Peckmann18 Shkurt 2006

Shtypi i sotëm ndërkombëtar fokusohet tek rreziku për përhapjen e gripit të shpendëve në Gjermani dhe kompromisin mbi linjat e reja në sektorin publik të BE-së.

https://p.dw.com/p/ArrJ

Klima e ftohtë nuk mundi ta ulë rrezikun e përhapjes së gripit të shpendëve në Gjermani. Edhe këtu u gjendën shpendë të ngordhur. Gazeta belge DE MORGEN shkruan:

" Mjellmat që ngordhën nga gripi i shpendëve në ishullin gjerman Rügen, i kanë vënë shkencëtarët përpara një dileme të madhe. Si mundën të infektohen këta shpendë, kur gripi nuk ka hyrë endë në këtë pjesë të Evropës? Por këtu bëhet fjalë për mjellma vendase e jo për shpendë që shtegtojnë nga Afrika, ku u përhap edhe gripi i shpendëve. Kjo do të thoshte se virusi i gripit të shpendëve ka muaj që ka hyrë edhe këtu."

Gazeta TAGES-ANZEIGER nga Gjeneva shtron pyetjen:

" A është vallë vetëm çështje kohe deri sa të diagnostikohen edhe në Zvicër të sëmurët me gripin e shpendëve? Me siguri që virusi do të hyjë së shpejti edhe këtu. Por sidoqoftë nuk kemi pse merakosemi, virusi ende nuk ka mundur të pasohet mes njerëzve. Deri tani në Evropën Perëndimore nuk është infektuar asnjë njeri me virusin e gripit të shpendëve."


Gazeta AFTENPOSTEN nga Oslo shkruan:

"Deri tani Organizata Botërore e Shëndetësisë ka regjistruar më pak se 100 njerëz, të cilët vdiqën si pasojë e infektimit të drejtpërdrejtë me kafshë të ngordhura. Frika se virusi do të mund të trasportohet edhe nëpërmjet njerëzve është ende krejtësisht e pabazuar."

Edhe gazeta EL MUNDO nga Madridi shkruan:

"Deri tani mendimi se gripi i shpendëve mund të kthehet në një pandemi për miliona njerëz, është vetëm një hipotezë. Por sidoqoftë ne duhet të marrim të gjitha masat parpaprake. Në rradhë të parë duhet të ndalohet transporti i kafshëve nga vende që vlerësohen si të rrezikshme. Së dyti duhet të observohen në mënyrë të rreptë të gjitha shtegtimet e zogjve. Rreziku nuk duhet të nënvlerësohet por nga ana tjetër nuk ka asnjë arsye për panik."


Ndryshojmë temë. Linjat e reja të BE-së në sektorin publik janë një temë tjetër e rëndësishme e shtypit evropian. Gazeta hollandeze TROUV shkruan:

"Fatkeqëisht propozimi i ish komisarit Bolkenstein për heqjen e kufijve të brendshëm të BE-së në sektorin publik, është i vjetëruar. Por principi se firmat e vendeve antare të BE-së nuk duhet të pengohen kur ofrojnë shërbimet e tyre në shtete të tjera evropiane, është shumë i rëndësishëm. Ky princip krijon një dinamizëm që është i detyrueshëm në rast se Evropa vazhdon të kërkojë të jetë në krye të konkurrencës në tregun botëror."

Gazeta ekonomike franceze LES ECHOS e vlerëson Parlamentin Evropian si një fitues:

"Madje edhe qeveritë do të jenë të detyruara që t´i plotësojnë kërkesat e Parlamentit. Edhe pse procesi i ratifikimit të kushtetutës evropiane do të zgjasë ende disa kohë, deputetët parlamentarë po dëshmojnë se janë gjithnjë e më të pavarur."

Gazeta DERNIÈRES NOUVELLES D'ALSACE nga Strasburgu shkruan:

" Që nga "Jo"-ja e tyre, francezët janë zhdukur nga tribuna evropiane. Tani është Gjermania ajo që po e drejton timonin. Vendimi i propozimit të Bolkensteinit e vërteton këtë gjë. Teksti përkatës ekziston vetëm falë një kompromisi mes Partisë Popullore Evropiane dhe Partisë Socialiste Evropiane, të cilat udhëhiqen nga gjermanë."

Dhe së fundi në gazetën BASLER ZEITUNG lexojmë:

"Liberalizimi i tregut të linjave të sektorit publik në BE nuk mund të ndalet nëpërmjet dobësimit të këtyre linjave. Vendet e reja antare të BE-së dhe disa të vjetra do të vazhdojnë të vërshojnë drejt tregjeve të hapura. Debati dëshmoi se shumica e popullsisë evropiane ka frikë nga hapja pa kufij e tregjeve."