1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit evropian

Martin Muno4 Shkurt 2006

Shtypi ndërkombëtar evropian u fokusua gjatë javës që sapo kaloi tek debati mbi programin bërthamor të Iranit dhe konfliktin që kanë shkaktuar karikaturat e Muhamedit.

https://p.dw.com/p/ArrY

Gazeta Luxemburger Wort shkruan:

"Kultura e Evropës është e përzjerë nga fe të ndryshme, ndërkohë që kultura myslimane nuk është e tillë. Karikaturat e fundit që portretojnë profetin Muhamed si një politikan të pafuqishëm dhe konflikti që është krijuar për shkak të tyre, është shembulli më i mirë se mes këtyre dy kulturave ekziston një ndryshim gjigand. Eshtë për t´u çuditur përse këto karikatura e kanë shqetësuar kaq shumë opinionin publik mysliman, kur në Evropë satira mbi kryqet, Jezusin apo Papën janë shumë më agresive se ato të profetit Muhamed."

Edhe gazeta franceze LIBÉRATION shkruan:

"Njëri sistem shoqëror bazohet tek principi i demokracisë dhe lejon shakara edhe mbi klerikun më të lartë. Ndërkohë, në një sistem tjetër, feja është në qendër të identitetit të popullit dhe qeverive dhe nuk lejon asnjë sulm kundër saj."


Gazeta austriake STANDARD rezulton:

"Shpesh besimtarë radikalë e konsiderojnë veten si pjesë të disa vlerave fetare, pa i respektuar në të vërtetë ato. Karikaturat e Muhamendit do të ishin zhdukur pa zhurmë sikur diku në botë të mos ekzistonte ndonjë idiot që vendos të bëhet martir krejt papapritur. Në fakt ato karikatura janë punë shumë e keqe, por kualiteti i vizatimit nuk luan asnjë rol. Sidoqoftë karikatura të tilla duhet të ekzistojnë si pjesë e debatit pafund që karakterizon kulturën tonë. Pa këtë debat nuk do të na mbetej shumë qytetarizëm. Prandaj nuk mund të lejojmë askënd që të na ndalojë të drejtën e fjalës."

Gazeta spanjolle EL MUNDO shkruan:

"Aksionet e dhunshme në vendet e botës arabe, dëshmojnë se aty nuk ekziston asnjë mirëkuptim për një sistem demokratik, në të cilin garantohet e drejta e lirisë së fjalës apo shtypit. Protestat e dhunshme të myslimanëve duhen injoruar dhe në asnjë mënyrë nuk duhet kërkuar falje. Perëndimi duhet të luftojë për të drejtën e lirisë së mendimit."


Gazeta BASLER ZEITUNG tregon mirëkuptim me protestat e myslimanëve:

"Lufta e SHBA-s kundër Irakut, procesi gjyqësor kundër Sadam Hyseinit, fitorja e Hamasit në rajonet palestineze - të gjitha këto ngjarje ndiqen me kujdes nëpërmjet kanaleve televizive satelitore në të gjithë botën myslimane. Dhe kështu protestat ndaj këtyre karikaturave janë në mënyrë indirekte reaksionet e këtyre njerëzve ndaj politizimit të plotë të vlerave islamike, për shkak të të cilave myslimanët po përfliten kaq shumë në Perëndim."


Gazeta hungareze NEPSZAVA shkruan mbi debatin bërthamor të Iranit:

"Në rast se në shoqërinë iraniane ekzistonte deri tani vetëm një fije solidaritet, atëherë tani edhe ajo humbi. Për programin bërthamor të Iranit flasin pozitivisht edhe kundërshtarët më të fortë të qeverisë së Shahut. Një ndër qëllimet kryesore të programit bërthamor është që pakënaqësia e popullit të kthehet kundër qeverisë islamike të vendit. Por qëllimi kryesor i bombës atomike është që elita iraniane të qëndrojë në krye të qeverisë."

Gazeta britanike GUARDIAN shkruan:

"Ka ende kohë dhe mundësi për të dalë nga dilema, por duket sikur Irani nuk do ta zgjidhë krizën. Këtë e dëshmon kërcënimi i ministrit të jashtëm Motaki, se vendi i tij do të marrë masa përkatëse në rast se Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendos sanksione kundër Iranit. Ndoshta Teherani shpreson që evropianët të dorëzohen dhe të mos pranojnë një bashkëpunim me SHBA-s. Ose ndoshta presin që Moska dhe Pekini të kundërshtojnë. Fakt mbetet se ka ende mundësi për marrëveshje."


Dhe së fundi në gazetën franceze RÉPUBLIQUE DES PYRÉNÉES lexojmë:

"Debati mbi programin bërthamor të Iranit mund të kthehet në krizën e këtij viti, ndonëse gjithçka është ende e paqartë. Në rast se Irani do të ndërtojë një armë bërthamore, atëherë nuk do të kalojë shumë kohë deri sa edhe Arabia Saudite, Egjipti dhe Turqia të kërkojnë të njejtën gjë, duke shkaktuar konflikte të ngjashme edhe në botën persiane, turke dhe atë arabe."