1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit evropian

Hans-Bernd Zirkel27 Nëntor 2005

Shtypi evropian u fokusua gjatë javës së kaluar tek zgjedhja e Angela Merkelit si kancelare gjermane. Të gjitha gazetat janë të bindura se Merkel ka marrë mbi supe një punë të rëndë, por shfaqin mendime të ndryshme nëse kjo grua do t´ja dalë mbanë ta nxjerrë Gjermaninë nga kriza.

https://p.dw.com/p/Arse

Gazeta franceze L'ALSACE shkruan:

"Stili i saj personal, aspak teatral apo i tepruar si ai i shumicës së politikanëve meshkuj, mund t´i shërbejë Merkelit për të gjetur simpatizantë edhe brenda rradhëve të rinisë. Flitet se kancelarja e re gjermane është shumë këmbëngulëse. Ajo do të ketë nevojë për këtë prirje, në rast se kërkon ta mbajë për disa kohë këtë lidhje mes dy partive konkurrente më të mëdha në Gjermani."


Gazeta britanike DAILY TELEGRAPH nga Londra shkruan:

"Ajo nuk ka kaq shumë përvojë me mediat sa parardhësi i saj. Por Merkel ka një vizion të qartë se për çfarë ka nevojë Gjermania për ta rritur sërish ekonominë e saj."

Gazeta austriake DER STANDARD shkruan:

"Fushata e rëndë zgjedhore, rezultatet e vonuara, debatet mbi krijimin e koalicionit - Merkel nuk e ka filluar me këmbë të mbarë këtë detyrë. Por ku i dihet? Ndoshta pas pak muajsh në Berlin do të dëgjohet sërish fjalia:" Pa shiko, e paskemi gjykuar para kohe".


Ndërkohë gazeta ruse NESAWISSIMAJA GASETA komenton:

"Problemet me të cilat konfrontohet qeveria e re janë të mëdha: Papunësia masive, ekonomia e dobët, defiçiti gjigand buxhetor. Diskutimet brenda kabinetit qeveritar do të jenë të pashmangshme. A do të jetë në gjendje kancelarja e re, që t´u bëjë ballë këtyre konflikteve?"

Gazeta spanjolle EL MUNDO shkruan:

"Gerhard Schröder ishte i pari që u ngrit në këmbë dhe e uroi Angela Merkelin për fitoren. Me këtë gjest ai dëshmoi se është një politikan i vërtetë. Ndonëse rezultati i zgjedhjeve nuk ishte ende shumë i qartë, Schröder hoqi dorë nga mandati i tij si deputet, duke i hapur kështu rrugën ndërrimit të posteve. Ky rast është shumë i rrallë në politikën botërore."


Ndërkohë gazetat shtrojnë pyetjen nëse Merkel do ta vazhdojë politikën e jashtme të parardhësit të saj. Vëmendje të veçantë u kushtohet këtu marrëdhënieve gjermano-franceze.

Gazeta franceze NORD ECLAIR shkruan:

"Ka gjeste dhe simbole që flasin më shumë se 1000 fjalë. Fakti se kancelarja e parë gjermane vizitoi Parisin menjëherë pas betimit të saj ka një kuptim të thellë. Mesazhi i saj ishte i qartë. Ajo ka të njejtat prioritete si të gjithë parardhësit e saj që prej Konrad Adenauerit: Të ardhmen e Gjermanisë brenda një unioni paqësor dhe demokratik të popujve evropianë."

Edhe gazeta LA LIBERTÉ DE L'EST tregohet e kënaqur:

"Diplomacia franceze do të kish mbetur e zhgënjyer në rast se Merkel nuk do ta kishte zgjedhur Francën si stacionin e saj të parë jashtë shtetit. Madame Merkel i bëri Francës të gjitha nderet dhe i siguroi në të njejtën kohë Uashingtonit miqësinë më të sinqertë. Sidoqoftë Franca është e qetë tani."


Gazeta LE MONDE pyet nëse Parisi dhe Berlini do ta ndikojnë sërish politikën evropiane dhe komenton:

"Ndoshta njëherë për njëherë kjo gjë do të jetë e vështirë. Merkel i ka duart të lidhura me koalicionin e saj të madh dhe Franca është e zënë me zgjedhjet presidenciale të vitit 2007."

Dhe së fundi gazeta DER STANDARD e komenton vizitën e parë të kancelares së re gjermane në Paris si sinjal për kontinuitetin e politikës së jashtme gjermane:

"Boshti gjermano-francez funksionon njësoj si më parë. Vetëm çështja e Turqisë po përjeton disa ndryshime të tonit politik. Por deri tani vlejnë vetëm marrëveshjet e arritura nga Këshilli i Evropës në Bruksel, pra fillimi i bisedimeve me Ankaranë për antarësim. Përveç kësaj shteti gjerman është ende aq i dobët nga ana ekonomike, sa nuk ka ndonjë influencë të madhe në Bruksel."