1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit evropian

Walther Lausch18 Qershor 2005

Tema kryesore e shtypit ndërkombëtar të javës së kaluar ishte sigurisht dështimi i samitit të BE-së në Bruksel

https://p.dw.com/p/Arv3

Gazeta Tages-Anzeiger nga Zyrihu shkruan:

"Duhet ta shohim të vërtetën në sy: Samiti i BE-së e shkatërroi tërësisht "Evropën e vjetër". Motori gjermano-francez jo vetëm që mezi punon, ai po merr fund. Chirak nuk la vetëm mbresën e një plaku të hutuar, por humbi edhe luftën kundër Blair-it. Kancelari gjerman Gerhard Schröder është aq i tensionuar me politikën e brendshme financiare në Gjermani, saqë nuk mundi t´i vijë dot të ndihmë shokut të tij francez. Tony Blair do të marrë tani në duar presidencën e BE-së. Më parë ai duhet të presë deri sa Angela Merkel në Gjermani dhe Nicolas Sarkozy në Francë, të vijnë në pushtet. Vetëm atëherë Bashkimi Evropian do të jetë në gjendje që të zhvillojë një politikë më serioze dhe të frytshme."

Ndërkohë gazeta londineze TIMES e sheh këtë fenomen paksa ndryshe:

"Kriza momentane e BE-së - duhet thënë se kjo fjalë e minimizon kuptimin - dëshmon se ëndrra e vjetër për një union që zgjerohet gjithnjë e më shumë duke u kthyer kështu në një superfuqi federale, vdiq. Kjo krizë flet për një sistem, i cili nuk ofroi ndonjëherë një të ardhme fleksible apo të qartë."

Për gazetën franceze Liberation, dështimi i samitit të BE-së në Buksel është një "Waterloo" për Evropën:

"Evropa po lundron në det të hapur pa strategji apo qëllime. Kryeministri britanik Tony Blair kërkon të kryejë një liberalizim të ekonomisë duke përdorur si reformë modelin e tij social. Por presidenti francez Zhak Chirak kërkon të mbajë modelin francez social, duke ruajtur kështu subvencionet në fushën e bujqësisë. As Blair dhe as Chirak nuk mund të presin mbështetje për idetë e tyre nga populli evropian. BE ka nevojë për një model, në të cilin ndërlidhen fleksibiliteti i ekonomisë dhe hapja drejt ekonomisë botërore. Por edhe ky model ka nevojë për një aprovim demokratik. Deri atëherë Evropa ka përjetuar më datën 18 qershor Waterloo-n e saj."

Gazeta Wyborcka nga Varshava shkruan mbi gadishmërinë e shteteve të reja evropiane për të gjetur një kompromis:

"Të premten në mbrëmje Evropa vuajti. Vendet më të varfëra të BE-së deklaruan se janë të gatshme të heqin dorë nga paratë që përfitojnë shtetet e pasura, për ta ruajtur kështu buxhetin e përbashkët. Antarët e rinj të BE-së u dëshmuan antarëve të vjetër se janë të gatshme të humbasin në interes të së mirës së përbashkët. Por fatkeqësisht "unioni i vjetër" nuk e vuri re këtë gjest. Në vend që udhëheqësit e BE-së t´u dëshmonin njerëzve se kanë mësuar nga referendumet që u zhvilluan në Hollandë dhe Francë, ata treguan edhe njëherë se nuk janë në gjendje të veprojnë."

Gazeta De Morgen nga Brukseli fokusohet tek roli që luajti Hollanda gjatë këtij samiti:

"`Jo`- ja e hollandezëve në referendumin për prjektkushtetuën evropiane, pati pasoja për samitin e BE-së. Eshtë hera e parë që Hollanda tregohet kaq e ashpër kundrejt Evropës. Gjatë debatit mbi buxhetin për vitet 2007 deri në 2013, fqnjët tanë veriorë u treguan shumë të ashpër. Sa herë që ofrohej një propozim i ri, pala hollandeze ishte e para që e hidhte poshtë atë. Si është puna? Hollandezët kërkojnë para. Shumë para. Populli hollandez është paguesi më i madh neto për BE-në. Në rast se qeveria hollandeze nuk do t´ja dalë mbanë ta ulë shumën vjetore të Hollandës për BE-në, atëhere ditët e Balkenende-s si shef i Hollandës janë të numëruara."

Dhe së fundi një pjesë nga gazeta belge Libre Belgique:

"Shefat dhe kryetarët e shteteve evropiane nuk kanë shpesh mundësi të flasin me popullin. Gjatë vizitave zyrtare ata jetojnë nëpër kështjella. Ata nuk përdorin kurrë autobuze apo trena, për shkak të imazhit apo sigurisë. Mbetet të shpresojmë se ata do të dinë t´i përdorin dy vitet që u lejuan vetes në Bruksel, për t´u takuar dhe folur me qytetarët evropianë."