1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman, 07.02.2006

7 Shkurt 2006

Ndër temat më të trajtuara në shtypin e sotëm gjerman janë mosmarrëveshjet e shumta rreth botimit të karikaturave të profetit Muhamed si dhe greva e djeshme e shërbimeve publike, për shkak të zgjatjes së orarit të punës

https://p.dw.com/p/ArrW
Fotografi: dpa

Lidhur me temën e parë, «Der Tagesspiegel» e Berlinit komenton:

"Grindja në fillim kishte të bënte vetëm me kritikat, për shkak të ofendimeve ndaj zotit. Mirëpo protestat e dhunshme dëshmojnë për ekzistencën e një lloj cenzure, e cila hedhë hije mbi motivet fillestare. Cenzura është vdekje për lirinë. Ky është edhe shkaku pse organizatorët e Berlinales kërkojnë fotografi të diktaturave dhe vendeve të luftës, në radhë të parë nga Iraku dhe Irani, për të zbuluar brendësinë e regjimeve totalitare dhe strukturave patriarkale e mesjetare, të cilat po rimëkëmben në këto vende."

Kështu pohon komentatori i të përditshmes "Der Tagesspiegel», ndërsa «Süddeutsche Zeitung» e Mynihut pohon se shtetet perëndimore duhet të nxjerrin mësime nga konfliktet e fundit:

"Perëndimi në këtë rast është këshilluar mirë: që drejtësinë të mos e marrë në duart e veta - jo për shkak se nuk ka të drejtë, por për faktin se të kesh të drejtë në botën e sotme nuk të ndihmon shumë. Detyra kryesore tani është zbutja e tensioneve. Sa i përket aspektit të brendshëm, integrimi i të huajve duhet të jetë një prej detyrave kryesore të shteteve perëndimore".

Konfliktet rreth karikaturave të profetit Muhamet i komenton sot edhe gazeta e Berlinit "Die Welt" e cila sugjeron:

"Askush nuk ka të drejtën që t'i lëndojë ndjenjat fetare, qofshin ato edhe të minoriteteve të caktuara militante. Mirëpo, në qoftë se kjo pakicë kërcënon të drejtat elementare të lirisë, politika e ka për detyrë që t'ia tregojë kufijtë. Këtu nuk është fjala për repsekt dhe tolerancë. Të gjitha apelet për kujdes dhe mirëkuptim, duken për momentin si një shenjë e pranimit të fajit dhe mungesë e guximit për përballje me grupet agresive, që jetojnë në mesin tonë dhe të cilat nuk u përmbahen rregullave të një shoqërie të hapur", vlerëson "Die Welt".

Lidhur me këtë temë veçojmë edhe komentin e "Bild Zeitung", të Hamburgut:

"Orienti është shqetësuar. Flamuj të djegur gjermanë. Ambasada të shkatërruara. Protesta histerike në mbarë botën islame. Kërcënime të presidentit iranian me asgjësimin e Izraelit. Përpjekje për ndërtimin e armëve atomike... A thua bota islame me të vërtetë i ka shpallur luftë hebrejve, të krishterëve si dhe Evropës dhe Amerikës demokratike?", shtron pyetejn komentatori dhe përgjigjet: "Në asnjë mënyrë. Feja islame është një fe e matur dhe tolerante, e cila respekton hebrejtë dhe të krishterët. Ekstremistët politik janë ata të cilët po përpiqen t'a shfrytëzojnë mllefin e tanishëm. Për të fituar më shumë pushtet dhe për të shtrirë influencën. Ata po e keqpërdorin fenë islame si instrumet për urrejtje. Ne demokratët duhet që ekstremistët politik dhe nxitësit e luftërave t'i luftojmë me mençuri dhe duke respektuar fenë islame".

Ndërrojmë temë. E përditshmja «Frankfurter Allgemeine Zeitung» sot me prioritet trajton grevën e shërbimeve publike:

"Kjo luftë për punë është e dëmshme, josolidare dhe kontraproduktive. Të mos flasim për ironinë e faktit që sindikata Verdi po përpiqet që t'i ringjallë marrëveshjet, të cilat i kundërshtonte më parë. Greva është e dëmshme për shkak se e pengon jetën ekonomike. Gjermania në gjendjen e tanishme, më së paku ka nevojë për greva. Kjo luftë është kontraproduktive sepse buxhetet e shërbimeve publike janë bosh. Prandaj duhen bërë të gjitha përpjekjet për zvogëlimin e shpenzimeve. Ata, të cilët sot bëjnë grevë kundër zgjatjes së orarit të punës, po presin degën në të cilën janë ulur".

Grevën e shërbimeve publike e komenton sot edhe «Westdeutsche Zeitung» e Dyseldorfit:

"Greva ka të bëjë me shumicën e njerëzve, të cilët në lande të ndryshme punojnë edhe më gjatë se sa shkruhet në kontratat e tyre. Kjo ka të bëjë me nënat të cilat, për shkak të grevës nuk kanë mundur t'i dërgojnë fëmijët në kopshte. Kjo ka të bëjë me të gjithë ata, të cilët kanë frikë se do të humbin vendin e punës, për shkak të shkurtimeve. Ka të bëjë edhe me pesë milionë të papunët. Suksesi eventual i grevës mund t'u kthehet si bumerang edhe organizatorëve të protestës, sepse për shkak të buxheteve të boshatisura, mund të shkaktohet privatizimi i shërbimeve publike në qytete e komuna", konstaton «Westdeutsche Zeitung».