1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman 15.04.05

14 Prill 2005

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet tek takimi i Bundestagut Gjerman lidhur me përfundimin apo jo të embargos së armëve që BE ka vënë kundër Republikës Popullore të Kinës.

https://p.dw.com/p/Arvx

Gazeta Neue Presse nga Hanoveri komenton:

"Ndoshat kancelari gjerman Schröder ka të drejtë kur thotë se politika e izolimit është një politikë kontraproduktive. Por është disi e pakuptueshme përse pikërisht përfundimi i embargos së armëve është e vetmja pengesë që ka Kina për t´ju afruar Evropës. Kancelari Schröder nuk e shpjegoi në mënyrë të bindshme qëndrimin e tij gjatë debatit në Bundestag. Përse i duhet hapur rruga industrisë së armëve një rajoni, i cili ka më shumë armë se sa duhet? Cila është arsyeja e kancelarit Schröder, i cili nuk e ndryshon qëndrimin e tij ndonëse pothuajse të gjithë deputetët e tjerë në parlament janë kundër përfundimit të kësaj embargoje? Eshtë disi i çuditshëm fakti se Schröder po shfaq në mënyrë shumë të hapur simpatinë e tij për Kinën dhe Rusinë, vende këto që nuk e pranojnë gjithmonë politikën e SHBA-s. Ndoshta kancelari gjerman po mendon për një strategji gjermane mes superfuqive të kësaj bote. Por nuk e dimë se ç´synime fshihen pas qendrimit të kancelarit tonë. Koha do ta tregojë."

Ndërkohë gazeta Westdeutsche Allgemeine Zeitung nga Essen shkruan:

"Sigurisht që qeveria gjermane qëndron përpara një dileme: Të ndjekë një politikë reale apo të veprojë në mënyrë morale? Gjermania është një shtet eksportues. Pa eskport nuk ka nivel mirëqënieje dhe shumica e shteteve industriale të botës veprojnë sipas interesave të tyre ekonomike. Por atëherë le t´u shtrojmë pyetjen: Kur diktatura komuniste në Kinë është një partner për biznes armësh, përse mbahet përpara opinionit publik një qëndrim kritik kur bëhet fjalë për eksportin e automjeteve të blinduara në Izrael?"

Edhe gazeta Thüringer Allgemeine nga Erfurti mban një qëndrim kritik:

"Për partinë opozitare gjithçka është e qartë. Partia SPD dhe të gjelbërit do të vazhdojë të ngulin këmbë në Parlamentin Evropian se nuk do të bëhet biznes me armë me Kinën. Por që prej masakrës që ndodhi në sheshin Tiananmen në Pekin në vitin 1989, Kina prodhon vetë si tankse ashtu edhe helikopterë dhe nuk ka nevojë për ndihmën e evropianëve. Këtu bëhet fjalë për diçka tjetër: Mikrochips, të cilët nevojiten si për sistemin satelitor të automjeteve ashtu edhe për drejtimin e raketave. Por meqënëse këto pjesë prodhohen vetëm në shtetet e BE-së, firmat përkatëse protestojnë ashpër tek qeveritë e tyre kur bëhet fjalë pikërisht për ndalimin e eksportit të mallit të tyre. Dhe një kancelar që i bën thirrje ekonomisë që të krijojë sa më shumë vende pune, nuk mund të argumentojë më për të drejtat e njeriut në një vend si Kina."

Gazeta Mitteldeutsche Zeitung nga Halle shkruan:

"Mesa duket kancelari gjerman Schröder e kërkon patjetër përfundimin e kësaj embargoje. Madje ai nuk e fsheh aspak faktin se këtu bëhet fjalë për marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve. Por Schröder nuk e ka të lehtë t´u kundërvihet të gjithë deputetëve të tjerë më parlament. Dhe fakt është se Kina me ligjin e saj të ri kundër ndarjes nga Tajvani ja vështirëson edhe më shumë kancelarit Schröder që të argumentojë në mënyrë bindëse përpara Bundestagut. Përsa i përket temës së të drejtave të njeriut, askush nuk beson se Kina do ta ndryshojë politikën e saj lidhur me këtë çështje."


Dhe së fundi gazeta Badische Zeitung nga Freiburgu shkruan:

"Gerhard Schröder kujton se mund ta përfundojë shumë lehtë këtë embargo. Kancelari kërkon të tregohet si mik dhe partner i kinezëve. Ndoshta ai mendon se qëndrimi i ti përpara Bundestagut Gjerman i impresionin politikanët kinezë. Por fakt është se shumica e vendeve antare të BE-së mendon se ende nuk ka ardhur koha për heqjen e kësaj embargoje. Schröder u mundua të shfaqej në Bundestag si një politikan me vizione që siguron vende pune edhe në Kinë dhe të gjelbërit si mbrojtës të zjarrtë të lirisë dhe të të drejtave të njeriut."