1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman, 21 mars 2006

Pandeli Pani21 Mars 2006

"Asnjë popull nuk e lejon veten ta tërheqin pafundësisht prej hunde. Tirania e stilit sovjetik në mes të Evropës nuk mund të rezistojë për gjithmonë" - kështu shprehet gazeta "Badische Neuste Nachrichten", që botohet në Karlsruhe rreth zhvillimeve në Bjellorusi, temë kjo që është në qendër të vëmendjes së mediave gjermane.

https://p.dw.com/p/Arqo
Fotografi: dpa

Po për të njëjtën temë në gazetën "Hanoversche Allgemeine Zeitung" lexojmë:

"Demonstruesit paqësorë i rrahin, politikanët opozitarë i burgosin, gazetarët e pavarur i kriminalizojnë. Atë që shprehet me nota kritike ndaj qeverisë e pret përndjekja nga organet e shtetit. Kjo është tipike për Bjellorusinë, këtë vend që gjendet përpara portave të BE-së. Sundimtari në Minsk ka dymbëdhjetë vjet që keqtrajton qytetarët e vendit të tij, pa pasur frikë prej Brukselit. Madje edhe përcaktimi më i saktë për presidentin Aleksandër Lukashenko nuk vjen prej Evropës, por prej Xhorxh Bushit, i cili e quan atë dikatorin e fundit të Evropës. Bjellorusia është turpi i Evropës."

Ndërsa në gazetën e Mynihut "tz" lexojmë:

"Përfundimi i zgjedhjeve në Rusi ishte i parashikueshëm. Tani ka ardhur koha për të ndërhyrë, sepse gjendja shumë shpejt mund të mahiset. Demonstrat masive të kundërshtarëve të tij politikë janë një kërcënim serioz për populistin, Lukashenko. Ish-Republika të tjera sovjetike kanë dhënë shembullin e tyre se si një qeveri mund të përmbyset edhe në rrugë paqësore. Për këtë duhet pasur frikë se Lukashenko mund të përdorë dhunë kundër protestuesve. Në këtë moment, por më mirë që më parë, perëndimi duhet të përdorë letrën më të mirë që ka në dorë për të ndikuar vërtet ndaj presidentit bjellorus: Putinin. Për shkak të varësisë ekonomike Lukashenko nuk mund t'i lejojë vetes që të tallet edhe me Putinin."

Kalojmë në një temë tjetër, testet për të huajt që duan të marrin nënshtetësinë gjermane. Në lidhje me to në gazetën "Nordbayerischer Kurier" që botohet në Bayreuth lexojmë:

"Përgjigjet e sakta për pyetjet nuk i dinë as shumë gjermanë të mirëfilltë dhe ky test nuk shërben për të filtruar të padëshiruarit. Përgjigjet mund t'i gjesh brenda disa minutash në internet dhe ai që ka qëlime të këqia gënjen kur vjen fjala për teste. Pra kemi të bëjmë me shumë aksionizëm dhe pak përmbajtje. Kjo vlen edhe për kërcënimin e kryeministrit të landit të Hessenit, Roland Koch, që në rast nevoje t'i fusë në përdorim këto teste si i vetmi land në Gjermani. Në rast se në Gjermani nuk arrihet që të vendosen rregulla unike në lidhje me marrjen e nënshtetësisë, atëhere duhet që me reformën për sistemin federal të fillojmë edhe një herë nga e para."

Në shtypin gjerman i kushtohet vëmendje edhe përfundimit të panairit të librit në Laipcig. ja se ç'shkruhet për këtë në gazetën "Nordwest-Zeitung" (Oldenburg):

"Paniri i librit në Laipcig është gjithmonë një kënaqësi e veçantë, sepse në qendër të tij janë autorët e librave dhe jo manaxherët e shtëpive botuese, sepse në panair mund të hyjë gjithkush dhe sepse gjithçka është shumë më intime dhe e ngrohtë se në panairin e librit në Frankfurt. Leipcigu, si një Paris i vogël i mirëpret krahëhapur si shkrimtarët e njohur edhe ata që prezantojnë librin e tyre të parë. Gjithkush gjen në këtë panair publikun e vet. Sa mirë që ky panair e ka barkun të gjërë."

Së fundi citojmë nga gazeta "Mannheimer Morgen" e cila trajton problemin e numrit të paktë të fëmijëve në Gjermani:

"Asnjë shtet tjetër në botë nuk shpenzon kaq shumë para për fëmijët sa Gjermania. Rreth 100 miliardë euro në vit. Por në asnjë vend tjetër të botës nuk lindin kaq pak fëmijë sa në Gjermani. A mos bëhet gjë ndonjë gabim në këtë mes? Jo, aspak, sepse familjet kanë nevojë për siguri, pra edhe për atë materiale. Megjithatë shumë më tepër ato kanë nevojë për ndjenjën se të mundura janë që të dyja, edhe puna edhe fëmija. Në të kundërt për 20 a 30 vjet Gjermania jo vetëm që do të jetë plakur, por do të jetë edhe më e varfër në kënaqësi, afërsi dhe kreativitet."