1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman 29.06.06

29 Qershor 2006

Temat qëndrore të shtypit të sotëm gjerman, janë konflikti në Lindjen e Afërt dhe forcat e bundesverit gjerman në Afganistan, të cilat janë kthyer gjithashtu në qendër të sulmeve të radikalëve talebanë.

https://p.dw.com/p/ArpC
Ushtar gjermanë në Afganistan
Ushtar gjermanë në AfganistanFotografi: picture-alliance/ dpa
Gazeta WIESBADENER KURIER shkruan mbi konfliktin në Lindjen e Afërt: "Edhe 6 vite pas pothuajse pajtimit mes izraelitëve dhe palestinezëve në Camp David, kundërshtarët e zjarrtë ja dalin mbanë ta nxisin krizën në maksimum. Njëra palë rifilloi biznesin me pengmarrjet dhe pala tjetër atë të invazionit, ndonëse të dyja aktivitetet nuk sjellin ndonjë përmirësim politik." Gazeta HANDELSBLATT nga Dyseldorfi shkruan: "Pengmarrja është për qeverinë një argument shtesë për t´i mobilizuar forcat ushtarake për sulm. Në fakt izraelitët kanë kohë që mendojnë mbi një sulm masiv ushtarak në Rripin e Gazës. Mesa duket politikanët palestinezë humbën sërish një shans. Pas tërheqjes së trupave izraelite nga Rripi i Gazës vitin e kaluar, palestinezët duhet të kishin filluar menjëherë përpjekjet për të krijuar një shtet të pavarur." Gazeta NÜRNBERGER NACHRICHTEN komenton: "Kur u bë publik lajmi se Hamasi e njeh indirekt ekzistencën e shtetit Izrael si shtet suvran, momenti historik kishte përfunduar me kohë. Ndonëse presidenti palestinez Abaz, u përpoq me të gjitha forcat që të arrijë një marrëveshje politike mes Fatahut dhe Hamasit, ekstremistët arritën ta prishin atë. Sepse forcat palestineze që veprojnë në territoret izraelite, të cilat shkaktuan edhe pengmarrjen e ushtarit izraelit të dielën e kaluar, e kryen këtë akt në formë sabotazhi, për të dëmtuar imazhin e Abazit si partner të besueshëm bisedimesh me Perëndimin dhe Izraelin." Ndryshojmë temë. Ushtarët gjermanë në Afganistan janë kthyer në qendër të shënjestrës së rebelëve. Situata në Hindukush është temë tjetër e rëndësishme e gazetave të sotme. Gazeta RHEIN-NECKAR-ZEITUNG nga Haidelbergu shkruan: "Askush nuk ka pse habitet mbi sulmet e shpeshta kundër bundesverit në Afganistan. Talibani kishte kohë që e kish deklaruar këtë qëllim. Por me këto sulme, misioni i ushtarëve gjermanë për të ndihmuar në rindërtimin e vendit me riparimin e rrugëve dhe atë të sistemeve ujore, vihet në pyetje. Talibani nuk mund të mposhtet vetëm me armë. Por as vetëm me mjete paqësore. Edhe presidenti Karsai e di këtë fakt. Por ai nuk ka ende një përgjigje se si mund të fitohet beteja për besimin e popullit të tij." Gazeta BERLINER MORGENPOST shton: "Në deklaratat e komisionit të mbrojtjes së bundestagut, shkruhet rregullisht se situata në Afganistan nuk është e qetë apo stabile. Por këto vlerësime janë tepër të buta. Situata në veri të Afganistanit, pikërisht aty ku ndodhen ushtarët gjermanë, është keqësuar dukshëm. Tri sulme brenda tri ditëve kundër ushtarëve gjermanë, janë shumë më të rënda sesa jo të qeta apo jo stabile. Situata është alarmuese. Shtrohet pyetja nëse forcat e bundesverit gjerman janë të përgatitura sic duhet për një situtatë të tillë." Gazeta ALLGEMEINE ZEITUNG nga Mainzi analizon: "Afganistani është sipas vlerësimeve të ekspertëve sot aq i rrezikshëm dhe jo stabil, sa në kohët e rrëzimit të qeverisë së Talibanit dhe fillimit të misionit të ushtrisë gjermane aty në vitin 2002. Që prej kësaj kohe, aty kanë humbur jetën 18 ushtarë gjermanë. Shumë të tjerë janë plagosur. Por fakt mbetet se 2.700 ushtarët gjermanë që ndodhen atje, nuk mund të kthehen tani në shtëpi. Situata aktuale e rrit presionin për të gjitha kombet që janë angazhuar nga ana ushtarake në Afganistan, që ta rrisin punën e tyre. Përndryshe ata do ta humbasin Afganistanin dhe puna e deritanishme do të shkonte dëm." Dhe së fundi në gazetën MÄRKISCHE ODERZEITUNG nga Frankfurti lexojmë: "Pas dëbimit të Talibanit radikal islamik, Afganistani duhet të ishte tani në gjendje të rindërtohej, si nga ana ekonomike ashtu edhe nga ajo politike. Por nuk është rastësi që presidenti Karsai i ka kërkuar Perëndimit që ta ndryshojë kursin e tij. Në Hindukush lulëzon biznesi me heroinën dhe korrupcioni. Situata e sigurisë keqësohet nga dita në ditë. Por kjo situatë nuk ka të bëjë vetëm me rishfaqjen e talebanëve dhe terroristëve të huaj në vend."