1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së enjtes

1 Dhjetor 2004
https://p.dw.com/p/Arxl


Komentatorët e shtypit gjerman trajtojnë tema të ndryshme në shtypin e sotëm.

Shumë gazeta komentojnë vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese Gjermane për të mos e kthyer ose dëmshpërblyer tokën e shpronësuar në zonën sovjetike të pushtimit të Gjermanisë midis viteve 1945-1949.

FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG ndër të tjera shkruan:

"A është pasuruar Republika Federale Gjermane me shpronësimet në zonën sovjetike të pushtimit? A ka shkelur ajo në këtë mënyrë detyrimin juridik ndërkombëtar për të mos përfituar nga një shkelje e së të drejtës ndërkombëtare prej të tjerëve? Jo, thotë Gjykata Kushtetuese Gjermane për të disatën herë. Si mund të flasësh për shpronësime në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare në tokat gjermane të Lindjes ose në Vendin e Sudetëve, mund të dëgjosh të thuhet, kur gjermanët vetë nuk e spastrojnë padrejtëinë e vjetër sipas mundësive që kanë?, pyesin viktimat e reformës së tokës. Të tjerë e kanë pasur edhe më keq, marrin si përgjigje ata. Përfundimin afërmendsh, se të paktën të dëmshpërblehen ata, ku kjo është e mundur, këtë përfundim nuk ka dashur ta nxjerrë asnjë qeveri gjermane."


Ndërsa MÄRKISCHE ALLGEMEINE që del në Potsdam vëren:

"Me qartësi të gëzueshme e ka bërë të qartë Gjykata Kushtetuese Federale se kur bëhet fjalë për reformën e tokës nuk ka vetëm interesa individuale juridike. Gjermanët e nisën si "bashkësi fati" luftën dhe ashtu edhe e zhvilluan, dhe si të tillë i përballuan ata edhe pasojat. Që në kuadër të reformës së tokës u kryhen edhe shumë padrejtësi, për këtë nuk duhet heshtur- sepse ata që e humbën tokën atëherë nuk ishin vetëm cifligarët dhe nazistët, por edhe fshatarë të kallëzuar ose të tillë që nuk u pëlqenin pushtuesve. Qeverisë gjermane ky vendim i forcon shpatullat në mosmarrëveshjen me të dëbuarit që kërkojnë prona në zonat lindore të Gjermanisë. Edhe ata bëjnë pjesë në "bashkësinë gjermane të fatit". Përpjekja që si person i vecantë apo si jurist të bësh bisht në pagesën e llogarisë historike, kjo përpjekje nuk duhet të ketë sukses."


SÜDDEUTSCHE ZEITUNG analizon qëndrimin e qeverive gjermane dhe të organizatave të të drejtave të njeriut kur të drejtat e njeriut shkelen në shtete të tjera, si në Ukrainë:

"Nën Shrëderin, si edhe nën Kolin vlen një teori politike e relativitetit: sa më i madh të jetë shteti, aq më i vogël është shqetësimi për shkeljen e të drejtave të njeriut. Hipokrizia ka në politikë, kritikojnë organizatat e të drejtave të njeriut një emër qetësues: ajo quhet pragmatizëm. Kritikët nuk është se nuk kanë të drejtë; dhe pa kritikën e tyre nuk do të kishte përparime në të drejtat e njeriut. Por prej kësaj nuk rrjedh detyrimisht receta e drejtë për marrëdhëniet midis shteteve. Një politikë e zgjuar e të drejtave të njeriut duhet të dijë se kur duhet të veprojë me zë të lartë dhe kur duhet të veprojë me zë të ulët. Një politikë e zgjuar ekonomike e jashtme duhet ta dijë se kthehet në qesharake, kur partneri i bisedimeve fiton përshtypjen se kritikën e perëndimit mund ta blesh."


Ndërsa RHEINISCHE POST që del në Dyseldorf trajton mashtrimin që Greqia i ka bërë Komisionit Evropian për financat kombëtare dhe kërkesën e Gjermanisë për zbutjen e kritereve të Paktit të Stablitetit të BE:

"Greqia u fut në zonën e Euros duke raportuar shifra të gabuara. Nga sanksionet qeveria e Athinës megjithatë nuk duhet të ketë frikë, sic bën të ditur në të gjitha format komisioni i BE. Për mashtrim, Pakti i Stabilitetit të Euros nuk përmban gjoba. Nuk mund të mos tingëllojë si ironi që kancelari gjerman pikërisht në të njëjtin cast fillon të shprehë shpresën, se Pakti së shpejti do të reformohet. Shrëderit nuk i intereson të plotësohet ky boshllëk, pra që krahas borxheve të larta të ministrave të financave të shohë të përndiqet edhe falsifikimi prej tyre i bilanceve. Atij i intereson e kundërta, që Pakti të zbutet. Vetëm kështu mund të pengohet që vitin tjetër, kur ministri Hans Eichel të paraqesë shkeljen për të kartën herë radhazi të kufirit të borxhit të BE, Komisioni të detyrohet të kërkojë gjoba kundër Gjermanisë. Kështu që shifrat e gabuara të Greqisë në të vërtetë nuk kanë rëndësi. Pakti i Stabilitetit do të tridhet që do të tridhet. Përgjegjëse për këtë nuk është Athina, por Berlini. Stabiliteti i Euros vazhdon të mbështetet vetëm në kollonat e Bankës Qendrore Evropiane. Po të shpërthejë furtunë e madhe, kjo është shumë pak."