1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së premtes

10 Mars 2005

Komentatorët e gazetave gjermane e përqëndrojnë sot vëmendjen në tema të politikës së brendshme: në programin prej "dhjetë pikash" të partive unioniste në Gjermani dhe në takimin e planifikuar të nivelit të lartë në Gjermani për të luftuar papunësinë.

https://p.dw.com/p/ArwO

Para takimit të nivelit të lartë të drejtuesve të partive unioniste gjermane me kancelarin Gerhard Shrëder javën e ardhshme, Bundestagu gjerman e hodhi poshtë me shumicën e socialdemokratëve dhe të të Gjelbërve "Paktin për Gjermaninë", të propozuar nga CDU dhe CSU-ja. Në mënyrë kritike, gazeta FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG vëren për këtë temë:

"Se sa e dobët në është në të dyja anët e institucionit tendenca për të bërë një copë rrugë të përbashkët të paktën për problemet më akute të vendit, kjo mund të konstatohej të enjten në Bundestag. Situata vërtet kërkon me forcë që të hiqet dorë nga lojërat taktike partiake dhe që të bëwhen përpjekje për të ndihmuar seriozisht tregun e punës, por ora kur mund të arrihej nuk duket se ka ardhur."


Në një përfundim të ngjashëm arrin LEIPZIGER VOLKSZEITUNG:

"Dështimi i parë i rëndë në votim në Bundestag në këtë legjislaturë është simptomë dhe me të vërtetë jo rastësi. Pa disiplinë, pa një bazë të dukshme përbashkësish koalicionare- kur kancelari u lutet me të madhe ministrave të tij për ide për qeverisjen e mëtejshme, ai nuk duhet të trembet as nga idetë me të vërtetë të mira të Merkelit."


Edhe gazeta PFORZHEIMER ZEITUNG trajton mungesën e gatishmërisë për kompromis midis qeverisë dhe opozitës për zgjidhjen e mizerjes në tregun e punës:

"Në këto kushte shtrohet pyetja se pse duan të takohen fare pas një jave krerët e qeverisë dhe të partive unioniste. Kancelari ka në plan të parë zbatimin e reformave të nisura, kryetarja e CDU-së, Angela Merkel e përjashton një "pakt -edhe më tej kështu". Në këto kushte qeveria dhe unionistët me të vërtetë mund t'ia kursejnë vetes takimin e nivelit të lartë. Ai që nuk ka në sirtar koncepte, nuk ka nevojë të ulet në një tryezë për t'i krahasuar ato me njëra-tjetrën. Atje ku nuk ka ide, nuk bën derman një takim i nivelit të lartë për vende pune. Edhe dyherë zero mbetet zero."

Gazeta e Bonit, GENERAL-ANZEIGER e sheh shkakun për mungesën e kompromisit para së gjithash në planet reformuese të unionistëve:

"Për të kaluar në vetëkënaqësi, partia e Merkelit nuk ka asnjë shkas, sepse strategjia e përcaktuar në "Paktin për Gjermaninë" për të luftuar papunësinë duket e turbullt dhe e mjegullt. Oferta për të shkurtuar subvencionin shtetëror për personat që ndërtojnë shtëpi, shqiptohet vërtet me qëllim të mirë. Vetëm se tek unionistët për këtë cështje ekzistojnë pikëpamje krejt në kundërshtim me njëra-tjetrën. Pikërisht para zgjedhjeve në kështjellën e socialdemokratëve në Nordrhein-Vestfali, CDU duhet t'i bëjë sytë katër, që të mos zërë pozicione të njëanshme në kurriz të punonjësve dhe në dëm të të papunëve."

Gazeta BADISCHE TAGBLATT që del në Baden-Baden arrin në të njëjtin përfundim:

"Ajo që ka përpunuar CDU/CSU-ja si bazë për bisedën e nivelit të lartë nuk është asgjë e re. Takimi i nivelit të lartë do të jetë me sa duket një konsultim për një dosje të riparaqitur plot me ide të vjetra dhe pozicionesh të ngurosura. Por meqenëse politika ekonomike ka të bëjë shumë me psikologji, konceptet dhe takimi i nivelit të lartë mund të shpalosin megjithatë efekt pozitiv, nëse dicka nga to këtë herë do të zbatohen me të vërtetë në një "Pakt për Gjermaninë". Vetëm kjo do të ishte më shumë se ajo që ka ndodhur tani dhe një sukses i vogël."


Ndërsa, gazeta BERLINER ZEITUNG konstaton përmbledhtazi:


"Si mund të zgjidhet rrënjësisht cështja e papunësisë në Gjermani, për këtë nuk ka recetë asnjëra nga partitë. Këtë ato duhet ta pranojnë. Dhe ne duhet të jemi të lumtur për këtë dhe të mos qahemi. Ne nuk duhet të kërkojmë receta, që nuk ekzistojnë në teori dhe aq më pak në praktikë. Vetëm në këto kushte është i mundur një dialog midis partive. Vetëm kështu hapat eventualë të vegjël kanë shans për sukses."


Dhe së fundi, një citat nga gazeta që del në Këln, KÖLNER STADT-ANZEIGER e cila trajton rreptësimin e së drejtës së protestës përballë radikalizmit të djathtë:

"Demokratët në Berlin do t'i rrahin sot shpatullat njëri-tjetrit, sepse mbajnë qëndrim të qartë në luftë kundër neonazistëve. A mund të gabohet një koalicion i madh berlinez, i bashkuar kundër ekstremizmit të djathtë? Po mundet. Sepse ndryshimet e së drejtës së mbledhjes krijojnë për raste të vecanta një grumbull paragrafesh të përshtatshme. Por përpjekja që ekstremizmi politik të mos luftohet me mjetet e politikës, por me kërbacin gjithnjë e më të madh të së drejtës penale, con në rrugë të gabuar. Ligjet ekzistuese mjaftojnë, ato duhet të përdoren vetëm më me konsekuencë."