1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së premtes

13 Janar 2005
https://p.dw.com/p/ArxB
Ministri i jashtëm i Indonezisë, H. Virajuda dhe ministri i jashtëm gjerman J.Fisher në Berlin
Ministri i jashtëm i Indonezisë, H. Virajuda dhe ministri i jashtëm gjerman J.Fisher në BerlinFotografi: AP

Komentet e gazetave të përditshme gjermane trajtojnë sot para së gjithash dy tema: ndihmën financiare për vendet e prekura nga tërmeti detar dhe diskutimin për punësimet paralele të politikanëve gjermanë.

Gazeta SÜDDEUTSCHE ZEITUNG që del në Mynih paralajmëron që të mos trajtohet me dorë të lirë ndihma për vendet e tërmetit:

"Bllokim i pagesës së borxheve apo subvencione- në ndarjen e ndihmës për vendet e prekura perëndimi nuk do të shpëtojë nga disa masa jo të rehatshme dhe ndoshta jopopullore. Kështu, qeveria gjermane nuk duhet të druhet nga vendosja e kushteve të hekurta për pagesën e parave. Që kjo të quhet diktat i perëndimit të pasur, kjo do të ishte e pamjaftueshme. Shumë më tepër bëhet fjalë për një pasojë të strukturave problematike politike në Sumatra. Që tani kanë mbërritur informacione për shpërdorimin e parave. Sipas organizatës, Transparancy International, Indonezia është njëra nga dhjetë vendet më të korruptuara të botës."


Gazeta DIE WELT që botohet në Berlin shkruan për këtë:

"Ministri i jashtëm i Indonezisë e quajti të nevojshme t'i kujtojë në vizitën e tij në Berlin gjermanët se prania e ndihmësve ndërkombëtarë në vendin e tij bazohet shprehimisht në kërkesën e qeverisë indoneziane. Sikur Berlin të kishte dhënë shenja se e ka marrë uria për koloni. Me sa duket madje edhe vetë ndihma për viktimat mund të keqkuptohet. Por ai që ofron një mbështetje që kap shumën prej 500 milionë eurosh, ai ka të paktën dy të drejta: të drejtën që të kujdeset që ndihmën ta marë ai që ka nevojë për të, dhe të drejtën për t'u trajtuar në një mënyrë të përshtatshme, në përputhje me mënyrat e zakonshme të sjelljes."


Pasi koncerni i Volksvagenit publikoi emrat e deputetëve të parlamanteve të landeve dhe të Parlamentit Federal, të cilëve ai u paguan rrogë, gazeta STUTTGARTER ZEITUNG vëren:

"Tani u morr vesh: gjashtë politikanë kryesorë kanë qenë, ose janë në listën e rrogave të Folksvagenit. Vetëm, përse nuk u veprua që në fillim kështu, mund të pyesësh dhe: cfarë kishte në mendje grupi i menaxherëve të VW, kur vendosi që prej vitit 1990 direktivën e vlefshme prej atëherë? Shpresonte vallë të fuste disa mbështetës nëpër parlamente?Ky është dyshimi që bren publikun. Për t'i shpëtuar këtij halli, parlamentet kanë përcaktuar disa rregulla, të cilët synojnë të garantojnë pavarësinë e të zgjedhurve. Këtu bën pjesë jo së fundi edhe pajisja financiare e tyre. Njëkohësisht, cdo përfaqësuesi të popullit nuk i ndalohet të ndjekë një punë të dytë paralele. Por kjo punë duhet të jetë veprimtari, dhe jo vetëm pranimi i një përcjelljeje parash në xhirollogari."


OSTSEE-ZEITUNG që botohet në Rostok kërkon kontrolle më të forta:

"Askush nuk është aq naiv sa të besojë se një deputet, me një rrogë të dytë nga VW të votojë ndonjëherë pro një ligji, që shkel interesat e industrisë së automobilëve. Por përfaqësuesit e popullit nuk janë përfaqësues firmash. Prandaj duhet të futen rregulla më të ashpër, të cilët i ndalojnë në një masë të konsiderueshme punët e dyta dhe të treta të politikanëve."


Edhe gazeta e Berlinit TAGESSPIEGEL shprehet në mënyrë kritike për pagesat e VW:

"Deputeti i punësuar, ose nëpunësi i deputuar synohet të luajë rolin e lobiistit. Lobiizmi në vetvete nuk është aspak i pahijshëm. Berlini është mbushur me lobiistë. Vetëm se shumica e lobiistëve nuk sillen sikur të ishin deputetë të pavarur financiarisht...Nga libri i Bundestagut mund të mësosh vetëm nëse një deputet kujdeset në mënyrë honorifike për mbrojtjen e zogjve ose për muzikantët e kishave, jo ama se atij i duhet të vendosë midis popullit, prej të cilit merr dietën dhe Folksvagenit, prej të cilit merr rrogë. Por kjo është ajo që na intereson të gjithëve."

Në fund, FRÄNKISCHE TAG që botohet në Bamberg:

"Ata, të cilët, megjithëse mbajnë një mandat politik, janë edhe më tej në listën e VW, duhet të pranojnë dy gjëra: që kanë marrë para pa bërë shumë punë për to dhe që emrin, edhe pa këtë, jo të mirë të politikës e kanë dëmtuar më tej. Eshtë gati revoltuese, kur kancelari përvesh krahët dhe i akuzon gjermanët për një mentalitet përfitimi për të ardhur keq, kur anëtarë të partisë së tij japin mbështetje për këtë."