1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

DW1 Gusht 2006

Zhvillimet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të dominojnë faqet e gazetave gjermane. "Märkische Allgemeine" (Potsdam) shkruan:

https://p.dw.com/p/Arof
Fotografi: AP
"Ditëve të fundit është spekuluar shumë për idenë nëse mes amerikanëve dhe izraelitëve ka marrëveshje të fshehta në lidhje me kohën se sa do të zgjasë ofensiva ushtarake ndaj Libanit. Teoria e dorës së lirë, sipas së cilës Uashingtoni do t'i zvarrisë për aq kohë përpjekjet e tij për zgjidhjen politike të konfliktit deri sa Hizbllahu të jetë dobësuar dukshëm, nuk mund të hidhen krejtësisht poshtë, po të nisemi prej vonesës së MPJ amerikane për vizitat e saj ndërmjetësuese në Lindjen e Mesme. Kjo do të ishte e pranueshme, në rast se Izraeli do t'ia dilte vërtet mbanë ta dobësonte Hizbollahun dhe dëmet kolaterale të ishin të kufizuara. Për fat të keq kjo nuk po ndodh. Papritur në mes të armëpushimit Izraeli paralajmëron ashpërsimin e ofensivës. Një gjë e tillë me siguri që nuk do t'i vlejë zbatimit të planit të paqes, që prezantoi së fundi Condoliza Rajs." Gazeta "Leipziger Volkszeitung" shprehet pesimiste: "Sa shumë që viktimat e Kanës na bëjnë të shpresojmë se palët në konflikt do t'i thërrasin mendjes, aq më e pamundur bëhet kjo shpresë. Qëllimi i aksionit ushtarak izraelit mbetet shkatërrimi faktik i lëvizjes Hizbollah. Sipas kësaj logjike çdo armëpushim i vendosur përpara këtij momenti rezulton si një triumf për milicët hizbollah. Një turp të tillë nuk do t'ia lejojnë vetes as qeveria e Olmerit dhe as administrata e Bushit. Edhe pse MPJ amerikane Rajs shprehet se ka ardhur koha për armëpushim, Uashingtoni e mbështet Izraelin në përpjekjet që përpara armëpushimit të jenë dobësuar milicët hizbollah. Në rast se lufta ndaj Hizbollahut do të vazhdojë në të njejtën formë si deri tani, atëhere mbetet çështje kohe deri sa të ndodhin tragjedi të tjera të përgjakshme, pa arritur ndonjë fitore ushtarake." Temë tjetër e shtypit të sotëm gjerman janë zgjedhjet në Kongo. >"Nordwest-Zeitung" (Oldenburg): "Zgjedhjet në Kongo duket se u zhvilluan në paqe dhe korrektësi. Por do të ishte naive që për këtë të brohorisje me të madhe. Prova e zjarrit do të jetë momenti, kur të shpallen përfundimet e votimeve. Në rast se Jozef Kabila do të ketë fituar vërtet shumicën e votave, kundërshtari i tij më i madh Jean Pierre Bemba nuk do të rrijë i qetë. Gjithsesi një fillim për një të ardhme më të mirë për Kongon u bë. Tani duhet që këto zhvillime pozitive të çohen përpara." "Nürnberger Nachrichten" kritkon mungesën e një koncepti të qëndrueshëm të BE-së për Kongon: "Zhvillimi çuditërisht paqësor i zgjedhjeve në Kongo nuk ndryshon gjë në lidhje me rezervat kundër trupës paqësore të BE-së në Kongo. Ajo bazohej vetëm në parimin e shpresës. Në rast rreziku 2000 ushtarët evropianë, ndër ta 780 gjermanë, do të mjaftonin për të evakuuar vëzhguesit ndërkombëtarë. Kjo trupë nuk mund të japë ndonjë kontribut për stabilizimin e vazhdueshëm të Kongos. Arsyet e ndryshme që japin politikanët për të justifikuar këtë trupë dëshmojnë vetëm për mungesën e çdo lloj koncepti. Gjithësesi në rast se në Kongo nuk do të kishte pasuri aq të shumta nëntokësore, nuk do të kishte pasur as dërgim të ndonjë trupe ushtarake." Së fundi citojmë nga gazeta "Volksstimme" (Magdebu rg) rreth zgjerimit të veprimtarisë së ISAF-it në jug të Afganistanit: "Zëvendësimi i ushtarëve të koalicionit nën drejtimin e SHBA-ve me ushtarë të trupave të ISAF-it në jug të Afganistanit ndodh në një moment të pafavorshëm. Ofesiva disajavëshe nuk ka arritur t'i dobësojë rebelët myslimanë të kësaj zone. ISAF-i merr tani përsipër një zonë lufte. Ndryshe nga GI amerikanë ushtarët e NATO-s nga Britania e Madhe, Kanadaja dhe Holanda nuk kanë përvojë në luftë me talibanët nëpër malet e Afganistanit. Kësaj i shtohet edhe mbështetja e hapur apo e fshehur e popullsisë vendase për talibanët. Perëndimit po i bëhet gjithnjë e më e qartë se për të vendosur paqen në Afganistan do t'i duhet shumë kohë dhe punë. Por pas kësaj mund të fillojë demokratizimi i vërtetë."