1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

28 Korrik 2006

Qëndrimi i Gjermanisë ndaj acarimit të gjendjes në Lindjen e Mesme, problemi i varfërisë në radhët e fëmijëve në Gjermani, nisja e kontigjentit të ushtarëve gjermanë në Kongo si dhe vendimi i gjykatës që Gjermania duhet të dëmshpërblejë viktimat e aksidentit ajror të 1 korrikut 2002 në Überlingen.

https://p.dw.com/p/Aroj
Rrugë të mbarë për në Kongo
Rrugë të mbarë për në KongoFotografi: AP

Në lidhje me raportet e veçanta të Gjermanisë me Izraelin dhe qëndrimin e saj në konfliktin në Lindjen e Mesme, gazeta "Neue Westfälische" (Bielefeld) shkruan:

"Marrëdhënet e posaçme të Gjermanisë me shtetin e Izraelit do të thotë nga njëra anë kritikë ndaj mënyrës se si po e zhvillon Izraeli luftën, por nga ana tjetër edhe detyrim për të ndikuar për vendosjen e paqes, e cila nuk duhet të shndërrohet në rrezik për shtetin hebre. Për këtë nuk mjaftron që të kërkohet vetëm një armëpushim."

"Frankfurter Neue Presse" shkruan:

"Disa prej politikanëve dhe ushtarakëve izralitë duhet t'u thuhet që të flasin me më pak cinizëm për dëmet kolaterale të shkaktuara prej veprimeve të tyre luftarake. Një politikan i partisë Likud shprehu aq pak keqardhje në një intervistë me radion kombëtare gjermane DLF në lidhje me vëzhguesit e OKB-së që gjetën vdekjen, sa që qëndrimi i tij të shokonte. Në luftimet që po zhvillohen në Lindjen e Mesme është gjithmonë fjala edhe për justifikimin moral të tyre kundrejt opioninit botëror. Dhe në këtë drejtim Izraeli nuk duhet t'i humbasë me mendjelehtësi prioritet që ka si e vetmja demokraci funksionuese në Lindjen e Mesme."

Gazeta "Neue Presse" (Hanover) trajton problemin e varfërisë në radhët e fëmijëve në Gjermani:

"Të dhënat e statistikave tregojnë se përmasat e varfërisë së fëmijëve në Gjermani lidhen drejtpërdrejt me problemin numrë 1 të vendit, me papunësinë masive. Sipas statistikave reformat e përfshira nën emrin Harz IV bënë që gjendja financiare e shumë fëmijëve të keqësohet. Në Gjermani po zhvillohen aktualisht debate se si t'i nxisim njerëzit që të bëjnë sa më tepër fëmijë. Por do të ishte mirë që ne të kujdesimi në masën e duhur edhe për fëmijët që jetojnë në këtë vend. Një fillim mund të bëhej përmes ndihmave konkrete prej të cilave do të përfitonin drejtpërdrejt fëmijët e prekur."

Nisur prej debateve në lidhje me dërgimin e trupe ndërkombëtare në Lindjen e Mesme, sikurse u kërkua në takimin e Romës, gazeta "Westfalenpost" (Hagen) analizon misionin e ushtrisë gjermane në Kongo:

"Misioni i Kongos është vetëm një test për misionet e ardhshme të suhtarëve gjermanë, si p.sh. në Lindjen e Mesme. Le të shpresojmë që çmimi që do të paguajnë ushtarët gjermanë në Kongo për të mbledhur përvojë në aksione të tilla nuk do të jetë shumë i lartë. Kur e gjendjen kaotike në kryeqytetin kongolez Kinshasa të vijnë në kokë mendime të turbullta. Ai që do t'u ofrojë një të ardhme të mirë banorëve të këtij vendi të korruptuar dhe të pasur me pasuri nëntokësore, duhet jo vetëm të garantojë zhvillimin zgjedhjeve, por të ofrojë një ndihmë më afatgjatë nga sa parashikohet në këtë mision."

Qëndrojmë në temën e fundit, vendimin për përgjegjësinë në lidhje me përplasjen me një avion poste dhe rrëzimin e avionit të shoqërisë ajrore Bashkirian Airlines, prej së cilit humbën jetën 71 vetë.

"Heilbroner Stimme" shkruan:

"Shteti gjerman u përplas rëndë në Gjykatën e Landit në Konstancë me realitetin juridik, i cili e quan përgjegjës në procesin e dëmshpërblimit me miliona euro për rrëzimin e avionit në Überlingen. Edhe pse gabimi pa asnjë lloj dyshimi ishte bërë prej firmës partnere zviceriane Skyguide, dëmshpërbimet duhet t'i paguajë qeveria gjermane. Suksesi i shoqërisë ajrore Bashkirian Airlines do t'i gëzojë edhe avokatët e viktimave, sepse prej shtetit gjerman do të përfitojmë me siguri më tepër se sa prej një firme private."

"Südwest Presse" (Ulm):

"Ndër detyrat e shtetit bën pjesë edhe kontrrolli mbi territorin e vet si në çështjet e sigurisë së brendshme edhe në ato të jashtme. Por kjo bindje duket se po thërrmohet. Joshja që përmes privatizimit të rimbëkëmben financat e dërrmuara shtetërore është e madhe. Kjo rrugë ka çmimin e saj. Në rast se detyrat shtetërore shndërrohen në shërbime, që mund t'i ofrojnë privatët, atëhere autoriteti i shtetit fillon të vuajë dhe bashkë me të edhe siguria e qytetarëve."