1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

5 Korrik 2006

Në qendër të vëmendjes së shtypit të sotëm gjerman përveç ndeshjes mes Gjermanisë dhe Italisë është çështja e rritjes së taksave në Gjermani, sepse sot në Gjermani është dita taksapaguesve

https://p.dw.com/p/Arp6
Një prej kalatave të portit të Hamburgut
Një prej kalatave të portit të HamburgutFotografi: AP

Ja se si shprehet për këtë temë gazeta "Braunschweiger Zeitung":

"Koalicioni i madh është administratori. Në rast nevoje thjesht shtrëngohet dara e taksave, sikur shtrydhja e qytetarëve përmes mbledhjes së taksave të ishte e mundshme pa kufizime. Atë që i mungonte kancelarit Shrëder, nuk është në gjendja ta ofrojë as koalicioni i ri: pra një perspektivë. Në qeveri ndodhen njerëz që flasin shumë dhe thonë pak. Në një farë mënyre ata qeverisin pa popullin, sepse shumica e qytetarëve nuk bën gjë tjetër vetëm se i pranon vendimet. Në rast se dikush do të lexonte deklaratat dhe premtimet elektorale të partive do t'i kuptonte përmasat e hipokrizisë."


Artikullshkruesi i "Landeszeitung" (Lüneburg) mendon ndryshe:

"Dita e taksapaguesve duhet të na bëjë të mendojmë, sepse gjithkush që ankohet në mënyrë të pandërprerë për taksat, harron se në ç'luks jeton: kopshte për fëmijët, shkolla pa pagesë, një infrastrukturë e mrekullueshme. Skandaloz nuk është niveli i taksave, por mënyra e shpërndarjes së tyre. Infermierët, punonjësit e pastrimit të plehrave apo policët janë shtylla të pazëvendësueshme të sistemit tonë. Dhe ndërkohë që këta marrin paga minimale, politikanët vazhdojnë të jenë mjeshtra të vetëshërbimit dhe miratojnë ligje që u garantojnë rroga dhe pensione të majme. Nga ana tjetër lobiistët i sigurojnë klientelës së tyre tendera me shuma të llahtarshme. Pikërisht ndaj këtyre mënyrave të administrimit të taksave duhet të protestohet."

Kalojmë në një temë tjetër, e cila preokupon opionin gjerman, angazhimi i ushtrisë gjermane, Bundeswehr, në Kongo.

"Badische Neuste Nachrichten" shkruan:

"Në Bosnje-Hercegovinë është stacionuar trupa e BE-së Althea, e përbërë prej 7.000 ushtarësh. Aksioni në Kongo duhet të dëshmojë tani se BE-ja nuk është në gjendje të kujdeset për rendim vetëm në pragun e dyerve të saj, por edhe në rajone të largëta në të cilat depertohet me vështirësi. Në këtë drejtim Kongoja është një fushë eksperimentale për evropianët. Por se përse pikërisht gjermanët duhet të merrnin pjesë në këtë aksion, kjo është punë tjetër. Gjermania është një ndër vendet më të forta të BE-së. Në rastin e një misioni të rëndësishëm Gjermania nuk mund të bëjë bisht, edhe në rast se ky aksion nuk kuptohet në radhët e popullsisë gjermane."

"Sächsische Zeitung" (Dresden) fokusohet tek problemet dhe vështirësitë e misionit në Kongo:

"Defektet e turpshme nuk flasin për profesionalizëm në përgatitjen e këtij misioni, i cili vazhdon të mbetet i diskutueshëm. Në rast se nuk janë rregulluar as gjëra të tilla të vetëkuptueshme, si pajisja e trupës, të duhet të shtrosh pyetjen se si i bëhet hallit në rastin e çështjeve më serioze, si siguria e ushtarëve apo bazat e misionit. Njoftimet për mangësitë vetëm sa mbështesin kritikat e atyre që e janë krejtësisht kundër misionit në Kongo."

Gazeta "Hamburger Abendblatt" trajton çështjen e eksporteve gjermane duke përdorur terminologji nga fusha e sportit:

"Gjermania është kapione bote sa u përket eksporteve. Mallrat me etiketën "made in Germany" apo shërbimet që ofrojnë firmat gjermane po bëhen gjithnjë e më të preferuara. Në katëmujorin e parë të 2006 vlera e eksporteve shënoi një rritje prej 16%, duke arritur shumën 216 miliardë euro. Tepër të kërkuar janë mjeshtëritë gjermane në sektorin e inxhinjerisë. Megjithë ankesat për pasojat negative të globalizimit shifrat dëshmojnë se Gjermania si vendi numër 1 në fushën e eksporteve, është një dër përfituesit e mëdhej të globalizimit të tregjeve ndërkombëtare."

Në fund citojmë prej "Lübecker Nachrichten" e cila trajton konfliktin në Lindjen e Mesme:

"Me kidnapuesit nuk hyhet në bisedime - ky ka qenë pozicioni i përhershëm i Izraelit. Pra kush rrëmben ushtarë izraelitë, duhet ta ketë të qartë se me këtë nuk arrin ta detyrojë Izraelin të lirojë nga burgjet palestinezët që mban në to. Ç'kuptim kishte pra kidnapimi i tanishëm i ushtarit izraelit? Ndoshta pikërisht për të shkaktuar reagimin e tanishëm të Izraelit, që duke marrshuar në Rripin e Gazës po dëshmon se ç'mendim ka për organet e vetëadministrimit palestinez. Reagimi masiv i Izraelit të bën të besosh se nuk ka të bëjë vetëm me lirimin e ushtarit të rrëmbyer, por është edhe një fushatë kundër Hamasit dhe një dënim për palestinzët që e zgjodhën atë."